Sindromi Sarkozi Nuk na e merrte mendja edhe per Putinin

Sindromi

Thuhet se presidenti rus do të martohet më 15 qershor, me rastin e festës ortodokse të Trinitetit, në pallatin Konstantinovo, poshtë San Pjetërburgut, ku dy vite më parë mikpriti samitin e “G8”-ës. Ajo quhet Alina Kabaeva. Të gjithë rusët e njohin dhe e adhurojnë. Mbush 25 vjeç më 12 maj. Ka qenë kampione olimpike për gjimnastikën ritmike në Lojërat e Athinës në vitin 2004, ka marrë medalje botërore dhe një tufë titujsh evropianë. Pas Olimpiadës është tërhequr. Donte të bëhej aktore. E vërteta është se ka një fizik të përkryer, një shikim gazele, dy sy oriental dhe flokë të gjatë të zinj. Rusët e konsiderojnë më tërheqëse se tenistet Sharapova dhe Kurnikova: përballë saj duken vetëm si dy “pela të bukura”. Alina nuk u bë aktore dhe iu rikthye pedanës së kërcimit, duke fituar shumë konkurse të rëndësishme në kalendarin ndërkombëtar.

Dy sezone të mëdha dhe në fund të vitit 2006, mes zhgënjimit të përgjithshëm të admiruesve të saj, ose më mirë të burrave të Federatës ruse, përsëri një ndalesë, pas një aksidenti. Shumë shpresojnë se do të shkojë në Pekin, por kjo është më shumë një ëndërr kolektive për rusët. Alina ndërkohë, ka ndërmarrë një tjetër karrierë, atë politike. Që nga 2 dhjetori është deputete e “Duma për Rusinë e Bashkuar”, formacioni hegjemon i parlamentit rus (64,3 për qind e votave), e cila pikërisht dje shenjtëroi Putinin president të partisë me një mandat “të fuqishëm”.


Opinioni rus
Putin do të largohet nga posti i presidentit më 7 maj për t’u bërë kryeministër dhe pasardhësi do të jetë Dmitri Medvedev. Në këtë kornizë të kalimeve institucionale, në të cilat premtohet të ndryshohet radikalisht fytyra e Rusisë për ta “evropianizuar”, ka menduar në mënyrën e vet Putin me këtë zgjedhje të papritur dashurie. Por si vjen ky lajm në veshët e rusëve? Sipas të përditshmes “Moskosvskij Korrespondent”, nuk ka dyshime. Informatori i gazetës duhet të jetë një mik i ngushtë i shoqërisë “Art-Management Tsentr Karnaval-stil” e Pjetërburgut, e specializuar në ngjarjet dhe përgatitjet e ndryshme. Kjo shoqëri ka ekskluzivitetin të organizojë dhe të përgatisë dasmën e Putinit. Ajo që ka nxjerrë sekretin e ndarjes me gruan e parë ka qenë një pasaportë e presidentit, në një prej zyrave të Regjistrimit të Akteve Civile në Pjetërburg. Për të tjerat, të dy vajzat janë rritur tashmë.

Njëra është martuar dhe jeton në Monakco di Baviera, ndërsa tjetra është ende studente. Kështu që ka kohë të zgjidhë çështjet personale. Zëdhënësi i Alinës e përgënjeshtron lajmin, nga droja se nxjerr sekrete të sikletshme; në fund të fundit Putin mbetet njeriu më i fuqishëm i Rusisë. Gazeta “Repubblica” ka pyetur Kremlinin. Për rastësira të çuditshme, zëdhënësi i parë, Dmitri Peskov është “në mision”, zëdhënësi i dytë është i sëmurë dhe i treti thotë se nuk ka “kompetenca” për këtë argument. 25-vjeçarja është zëvendëspresidente e Komisionit për politikën e re, presidente e “Media-Group” në pronësi të biznesmenit Jurij Kovalciuk, mik i ngushtë i Putinit. Jo rastësisht javët e fundit televizioni rus është marrë me punët e Sarkozy dhe Karla Brunit, si për të përgatitur shikuesit për të nesërmen.

Kush “uli në gjunjë” Putinin?
Emri i gjatë është Alina Maratovna Kabaeva Tatar. Ka lindur më 12 maj të vitit 1983 (ende s’ka mbushur 25) në Tashkent, Uzbekistan. Kabaeva njihet për elasticitetin ekstrem. Ajo është 1.66 m dhe peshon 48 kg. Alina është gjimnastja më e suksesshme e Rusisë në ditët e sotme dhe në të njëjtën kohë gjimnastja më e dekoruar në historinë e gjimnastikës ritmike. Kabaeva nisi gjimnastikën ritmike në Uzbekistan në moshën 4-vjeçare. Trajnerja e parë ishte A. Malkina. Babai i saj ishte futbollist profesionist dhe familja e ka ndjekur gjatë karrierës së tij në Uzbekistan, Kazakistan dhe Rusi. Trajnerët e parë nuk e pëlqyen, pasi mendonin se ishte “e rëndë” dhe “e shëmtuar” për të qenë gjimnaste ritmike. Në rini lëvizi në Rusi dhe nëna e saj e dërgoi tek trajneria më e mirë ruse, Irina Viner, e cila e pëlqeu që në fillim. “Nuk i besova syve kur e pashë. Vajza ka një kombinim të rrallë të dy cilësive thelbësore, elasticitetin dhe shkathtësinë”, thotë ajo.
 
Aurora Foto : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama