Kalimi i patentave në sistemin e ri me pikë nuk do të ketë kosto për qytetarin. Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ylli Spahiu ka bërë me dije se regjistri kombëtar elektronik është i përfunduar.
Sa i takon lejeve të drejtimit të prodhuara nga viti 2005 e në vazhdim, do të jenë po këto leje drejtimi dhe qytetarit nuk do të paguajë kosto shtesë, pasi patenta përmban të gjitha elementët e sigurisë që kërkohen. Aktualisht në regjistrin elektronik të këtij institucioni dhe të Policisë Rrugore janë hedhur të dhënat e 740 mijë lejeve drejtimi. Nga ana tjetër, edhe Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë pritet të ndryshojë në kuadër të nismës së Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
Në nenin 120/1 propozohet të bëhen ndryshime, sipas të cilave tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues. Sipas këtij ndryshimi, heqja e pikëve të patentave në rast shkeljeje nuk do të jetë më kompetencë e një funksionari të vetëm, por e një komisioni. Ndërsa, në pikën 2 të këtij neni thuhet se në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, mund të zbriten maksimumi 15 pikë.