Situata ambientaliste ne Shqiperi

Situata ambientaliste ne Shqiperi
Prej 15 viteve, ndjek me shumë vëmendje por edhe me shqetësim, problemet mjedisore në Shqipëri, sidomos në zonat urbane kryesore; dhe që në fillim të këtij shkrimi dëshiroj të nënvizoj se si rezultat i ndikimit të disa faktorëve, që do t’i trajtoj në vijimësi të këtij shkrimi, emissionet toksike të emetuara nga burime toksike të ndryshëm, por veçanërisht nga mjetet e transportit, të pa kontrolluara dhe të monitoruara me metoda shkencore, komponimet toksike që ato emetojnë, kanë krijuar një situarë ekologjike që po bëhet gjithmonë e më shqetësuese. Duhet ta pranojmë se tani nuk ndodhemi në fazën e paralajmërimeve dhe efekteve kërcënuese të rreziqeve potenciale të atyre mbetjeve të gazta helmuese, por ka kohë që ndodhemi nën ndikimin real dëmtonjës të tyre në shëndetin e njerëzve, veçanërisht te fëmijët dhe ambjentin në përgjithësi, nga ato masa të frikëshme toksike të CO, HC, NOx, VOC, PMx, që na qëndrojnë si një “vello e zezë” mbi hapësirat e qyteteve tona dhe sidomos të kryeqytetit!

 Në Tiranë, dhe në ndonjë qytet tjetër kryesor, janë vendosur në disa pika, aparatura matëse të vlerave të emissioneve toksike, dhe shpesh Instituti i Shëndetit Publik, jep edhe informacione sensibilizuese mbi rezultatet e matjeve të tyre: “grimcat e blozës janë disa herë më të larta se ato të normave të lejuara!”; “përqindjet e karbonit janë të larta!”, dhe në ndonjë informacion tjetër: “këto masa toksike rrisin numrin e mortaliteteve nga 2 deri në 8 përqind! Dhe shkaku është gjetur dhe shpjegohet me numrin e madh të automjeteve në përdorim shumë të amortizuara por në asnjë rast s’na jepen shifra të krahasuara me standartet.

Sigurisht këtë fakt nuk mundet të mos e konstatojnë qytetarët, sepse ata e shikojnë në çdo orë të ditës, se si nga dhjetra e qindra automjete që i bihen kryq e tërthor shesheve dhe rrugëve kryesore, madje edhe sheshit qëndror të kryeqytetit, para dikastereve të shtetit, Kryeministrisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë, duke lënë prapa re tymi dhe askush nuk i ndalon! Por unë pyes: a kanë institucionet që kryejnë matjet e emissioneve sa se përqind prej tyre i përkasin ose emetohen nga sektori i transportit? Sigurisht ata nuk mundet të përgjigjen sepse nuk janë kryer matje direkt në automjete, për të cilën ka edhe eksperienca dhe shembuj për t’iu referuar, si ajo e kontrollit në rrugë, I/M-Inspection/Maintenance, program i zbatuar me sukses në Zvicër (Switzerland).

Eshtë deklaruar shpesh nga Instituti i Shëndetit Publik, se “ndotjet mjedisore të qyteteve tona janë disa herë më të larta se normat e lejuara, sidomos nga ato të vendeve të BE”, “emissionet toksike rritin mortalitetin”, dhe këto janë hedhur në tregun mediatik vetëm si sensacione, dhe si për ironi, “për të treguar që edhe ne e njohim diçka mbi gjendjen ambientaliste për këto masa helmi që po jua shkurtojnë jetën njerëzve”! Por në asnjë rast nga institucionet shëndetësore nuk janë nxjerrë përfundime mbi bazën e studimeve dhe analizave mjekësore shkencore, në grupe moshash të caktuara, të atyre banorëve pranë shesheve dhe rrugëve më të ngarkuara me emissione toksike, se sa ato janë afektuar nga CO (monoksidi i karbonit)? Dhe konkretisht për rënien e nivelit të absorbimit të oksigjenit nga qelizat e gjakut (rruazat e kuqe); ndikimin apo dobësimin e aftësisë të menduarit dhe përceptimit, veçanërisht te fëmijët?

Dobësimin e reflekseve dhe shpërqëndrim të vemendjes! Ndikimet negative te gratë shtatzëna?. Si ndikojnë HC (hidrokarburet), në infeksionet të polmoneve? Pafuqishmërinë dhe lodhjet që ndjejnë, dhe që shpesh shprehet me atë pyetjen pa përgjigje, dhe pa mundur që qytetarët të gjejnë shkakun: “Pse ndjehemi kaq të këputur?!”; që provokon kollën, lotimin e syve dhe ndikimin në efektin serë? Nuk është dhënë ndonjë informacion publik për pasojat e NOx (oksideve të azotit, NO dhe NO2), dhimbjet e kokës që ato provokojnë, dhe irritimin e syve, djegie të fytit dhe të hundëve.

Mungesë informacioni ka edhe për ndikimin e pjesëzave PMx (bloza-soot), sëmundjet që ato shkaktojnë deri edhe kancer në rrugët respiratore dhe në mushkëri, duke afektuar kryesisht fëmijët dhe të rinjtë. Dhe kështu do vazhdonim t’i kujtojmë lexuesit për ndikimin e plumbit Pb, që dëmton sistemet e qarkullimit të gjakut dhe riprodhimit, veshkat dhe sistemin nervor, me pasoja akoma më të rënda te fëmijët duke ndikuar në kufizimin e zhvillimit intelektual të tyre dhe mundet të rezultojë edhe me dëmtime të sistemit nervor dhe hipertension arterial. Dhe do ta përfundonja me efektet e SO2, (dioksid sulfuri), që irriton membranat e sistemit respirator dhe shkakton enjte ose fryrje të trakesë. Duke sjellë këtë informacion publik, sigurisht shumë më të reduktuar, kurrsesi nuk do të pretendoja që të sillja atë kujtesë shkencore nga specialistë të fushave të mjekësisë.

Sistemi i matjeve të emissioneve në Shqipëri, nuk mundet të them që monitoron ajrin, sepse ky cilësim nuk mundet të jetë racional dhe i vërtetë me tërësinë e mungesave që ai mbart aktualisht, veçanërisht në lidhje me mungesën e informacionit publik, bazuar në analizat dhe matjet që kryen dhe të rekomandimeve që duhet t’i japë institucioneve profilaktike dhe preventuese shëndetësore, dhe jo thjesht me informacione të përgjithëshme. Ai duhet të theksojë shkaqet dhe si mundet të prevenohen ato, si një detyrim për funksionin me shumë përgjegjësi që duhet të kryejë. Ky sistem duhet të jetë një “observator dhe gjurmues” shkencor i emissioneve toksike, direkt në burimet e tyre, por ky nuk mundet të jetë i tillë, kur në Shqipëri nuk ka një sistem që realizon matjet e missioneve direkt në rrugë, për të specifikuar se sa për qind prej tyre shkaktohen nga mjetet e transportit dhe pjesa tjetër nga djegiet e mbetjeve qytetëse, dhe kur vendgrumbullimet e tyre, pothuajse në çdo kohë janë të pushtuara nga flakët dhe tymi.

 Djegiet e mbeturinave dhe akoma më e rrezikëshme e gomave të automjeteve, si lëndë për prodhimin e gëlqeres, si një praktikë e papërgjegjëshme, madje në një shkrim të para ca kohëve, kam tërhequr vëmendjen për këtë atentat që i bëhet mjedisit në përgjithësi dhe ajrit në veçanti, dhe kam dashur të sensibilizoj personelin shëndetësor të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, që nga djegiet e mbeturinave spitalore, pikërisht në këndin e murit lindor të kësaj ndërtese, ku ndodhen klinikat më të specializuara që kurojnë sëmundje të organeve jetike, madje edhe ato të porsadalurit nga reanimacioni i sëmundjeve kardiake, tymi dhe bloza nga djegia e mbeturinave: shiringave të ageve, shisheve plastike të serumit, bendeve të plagëve e të tjera mbetje, burime të sëmundjeve të rrezikshme dhe kancerogjene, kanë nxirë deri në katin më të sipërm të kësaj qendre spitalore!

Strukturat e matjeve, përfundimet e tyre nuk do të jenë të suksesshme sigurisht as edhe të besueshme, nëqoftëse ato nuk bëjnë matje direkt në automjete, duke zbatuar metoda që kanë të bëjnë me kontrollin direkt në rrugë, dhe të arijnë të konfirmojnë si në vendet e tjera, se si afërsisht 50 për qind e CO; 27 për qind të NOx dhe 25 për qind të CO2, të masave të përgjthshme të këtyre komponime që emetohen në mjedis, kanë si burime kryesore motorat e automjeteve. Ose nuk ka të dhëna se sa përqint të emissioneve të një motori krijohen në karter (crankcase engine), apo nga avullimi i lëndës djegëse, dhe sa është masa e atyre që del nëpërmjet tubit të shkarkimit, kjo në vartësi të kushteve teknike të motorrit, dhe sipas llogaritjeve dhe eksperimenteve, ato arijnë deri në 60 për qind. Ne nuk kemi ndonjë informacion të shkruar se sa kW/h, konsumohet për një km. rrugë të kryer dhe sa janë vlerat e CO, NOx, HC, PMx, etj., të shprehura në ppm (pjesë për milion) ose në gr/km, po për këtë njësi matje rrugore.

Por në Shqipëri mungon një element përbërës kryesor,  institucioni i asistencës teknike. Sistemi i matjeve, aktualisht nuk është në gjendje të interpretojë vlerat e larta të HC, CO, NOx, CO2, VOC, PMx dhe komponimeve të tjera që emetojnë motorrat, pa patur njohuri inxhinierike se si ndikojnë në rritjen e këtyre masave toksike problemet e mossinkronizimit të momentit të injeksionit të lëndës djegëse, dhe masa e saktë “ideale” që duhet të injektohet; raportet e papërshtatëshme të përzjerjes ajër-lëndë djegëse, karakteristikat kimiko-fizike të karburanteve dhe lubrifikanteve; pa saktësitë në momentin e flakërimit dhe vlerat e tensionit të flakërimit; konsumimi i pjesëve të motorrit, apo edhe mosfunksionimi i atyre sistemeve të drejtimit elektronik dhe të kontrollit të emissioneve toksike: valvulat EGR (Exhaust Gas Ricirculation), PCV (Positive Crankase Ventilation), konvertierët katalitikë, sistemi i injktimit të ajrit në dalje të produkteve të gazta nga motorri; mosfunksionimi i sistemit sensor-kompiuter (modul)-veprues.

Mendoj që mosnjohja e tyre lidhet direkt me mangësi edhe në kurrikulat mësimore të arsimimit politeknik, që nuk kanë integruar këto informacione teknike, ashtu si edhe të sistemeve të tjera të drejtimit elektronik, që aktualisht janë një trend i zhvillimeve konstruktive të automjeteve bashkëkohore.Sigurisht këto mangësi në njohjen dhe trajtimin e mbetjeve gazore nga sektori i transportit, nuk mundet të mos kenë efektet e tyre në atë numër të madh të aksidenteve rrugore që ndodhin në Shqipëri, ashtu si mungesa e sinjalistikës dhe infrastrukturës rrugore në përgjthësi, papërgjegjshmëria e drejtuesëve të automjeteve, por edhe të mungesës së një kontrolli rigoroz nga strukturat shtetërore. Dhe të gjithë këto faktorë, kanë një bilanc tragjik tronditës: Shqipëria aktualisht zë vendin e parë në Evropë, për frymë të popullsisë, në aksidentet automobilistike dhe të mortalitetit që shkaktohen prej tyre!

Nga anketa dhe sondazhe teëzhvilluara nga mediat, rezulton se 80 për qind e të pyeturve, pohojnë se ndjehen të pa sigurtë në rrugë! Por në këtë rast dëshiroj t’i kujtoj, sinqerisht dhe me një ndjenjë keqardhje dhe trishtimi të thellë institucioneve që duhet të merren realisht dhe me shumë përgjegjësi me mbrojtjen e mjedisit, bashkëatdhetarëve të mi, punonjësve të mjekësisë se: numri viteve jete njerëzore që “vrasin” emissionet toksike, ato “vrasës herë të dukshëm dhe herë të fshehur” në zonat urbane, është shumë herë më i lartë se ai i aksidenteve që ndodhin çdo ditë në rrugët tona!  Përgjigje të saktë nuk jep as Ministria e Mjedisit, e cila në websaidin e saj, publikon vlera të emissioneve toksike për periudha kohore tre vjeçare, i fundit informacion në internet është ai i publikuar në vitin 2008, por në asnjë rresht të atij informacioni, nuk jepen kontributet e çdo burimi të veçantë! Eshtë e qartë që me këto informacione nuk mundet të zhvillohen as politika në mbrojtje të mjedisit dhe as të formulohet një legjislacion ambientalist adekuat.Qytetarëve nuk i jepet informacion se si ozoni (O3), i cili krijohet për disa orë ose ditë, nga emissionet dhe gazet nga ndotjet urbane qytetëse, nën impaktin direkt të tyre në distancë, nën efektin e rrezeve djellore.

 Përfundimet: reduktohen prodhimet bujqësore, dëmtohen bimët frutore dhe pyjet. Mungojnë informacionet gjithashtu për efektin serë (greenhose effect) dhe ngrohjen globale në përgjithësi, nga masat gazore urbane dhe industriale, në veçanti nga CO2 (dioksidi i karbonit), një komponim që në vendin tonë si burime potenciale emetuese të tij janë fabrikat e materialeve të ndërtimit, dhe sektori i transportit, me ndikim indirekt nga produktet e tij CO dhe NOx. Në tërësinë e këtyre mangësive, sigurisht këto janë konceptime personale por jam i bindur se ato janë të bazuara shkencërisht dhe i janë referuar realitetit të pakontestueshëm ambientalist shqiptar, unë shikoj edhe në një masë jo të paqortueshme, mosintegrimin e Akademisë së Shkencave, në përvijimin dhe modelimin e perspektivave të së ardhmes, në fushën e alternativave energjetike, me përparësi ato ekologjikisht të pastra; studimin e potencialeve që ka vendi ynë në lëndët djegëse dhe të gazit, duke orientuar studimet shkencore nga burimet energjitike ekologjikisht të pastra, nga trendet e zhillimit energjitik botëror, e simbolizuar me emërtimin sinjifikativ “Çelësat e shekullit 21”.

Pavarësisht nga ndikimet e zhvillimit të ekonomisë së tregut të karburanteve, ajo nuk mund të mos rekomandojë kërkimet dhe ecurinë e prodhimit në pesë alternativat energjetike bazë të së ardhmes: Alkooli etilik (ethanoli), Alkooli metilik (methanoli), Gazi natyror i komprimuar (CNG), Bateritë elektrike, Bateritë me hidrogjen. Këto alternativa energjetike tanimë të konfirmuara për avantazhet e tyre, prej vitesh kanë tërhequr vemendjen e koorporatave më të njohura dhe të suksesshme në prodhimin e automjeteve, të cilat ia kanë përshtatur strukturat inxhinierike të automjeteve që prodhojnë, pikërisht përdorimit të këtyre lëndëve të para energjetike, dhe prej vitesh janë realizuar me sukses në RF gjermane, SHBA, Danimarkë dhe vende të tjera evropiane, në prodhimet “Honda-s”, “DaimlerChrysler”, “Fiat Panda” etj. Pikërisht edhe në kuadrin e reformave të kryera në Akademinë e Shkencave, dhe që unë e mendoj si efektive, atë të bashkëpunimit shkencor me universitetet, nuk duhet të humbet kohë në integrimin në kurrikulat e tyre të informacioneve për “Mjetet hibrite”, aplikimet e impianteve të gazit, strukturat e ruajtjes dhe përdorimit të hidrogjenit, dhe informacione të tjera në fushën e teknologjive të këtyre lëndëve energjitike.

Duke patur parasysh këtë situatë ekologjike aspak të kontrolluar, jo vetëm në aspektin e pasojave në sferën e transportit në përgjithësi dhe prapambetjen teknologjike të theksuar që lidhet me këtë sektor; shkatërrimin barbar të pyjeve nga njerëz që janë superpasuruar duke “shitur bukuritë e gjelbëra kombëtare”, që natyra i ka falur vendit tonë; shfrytëzimin pa kriter të inerteve të lumenjve, që i ka shpërbërë shtretërit shekullorë të tyre, për të marrë nga ato “përgjigjen e egërsuar” duke na sulmuar dhe shkaktuar pasoja të pallogaritura ekonomike me përmbytjet masive, shkatërrimin e të mbjellave dhe “çuarjen apo fshehjen” nuk dihet se ku, të mijra hektarëve tokë bujqësore pjellore; ndotjen e ujrave bregdetare turistike me mbetjet hotelore; dhe derdhjen në det, nëpërmjet përrenjve dhe lumenjve që kalojnë në afërsi të fushave naftëmbajtëse dhe impianteve të përpunimit të saj dhe që prej kohësh skarpatet e tyre janë nxirë nga qindra ton solar e mbetje të industrisë së naftës, që ato ia dërgojnë plazheve tona çdo ditë, i propozoj Akademisë të Shkencave, institucioneve shtetërore që kujdesen për shëndetin e njerëzve, Ministrive të Mjedisit dhe të Transporteve, Univeriteteve, Shoqatave Ambientaliste, që të organizojnë mbajtjen e një Konference Kombëtare për Mjedisin, në një kohë sa më të afërt!    

                                             



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama