Amy Singley dhe Steven Smith janë lindur të njëjtën ditë, në të njëjtin spital, në Pennsylvania, para 24 vitesh, dhe pas disa ditësh lidhjen e tyre do ta kurorëzojnë me martesë. Kjo është shumë e çuditshme si histori por shumë e bukur njëkohësisht gjithashtu. A bëhet fjalë për një rastësi? Historia thotë se nuk është një e tillë. Pasi nënat e tyre kanë qenë në të njëjtën dhomë gjatë lindjes, dy familjet vazhduan miqësinë më vonë në qytetin Eaton. Fëmijët luanin bashkë dhe shkonin në të njëjtën shkollë. Amy dhe Steven zyrtarisht filluan të “kalojnë” në vitin e dytë të shkollës së mesme. Shumë njerëz prej asaj kohe thonë se ata “janë të lindur për njëri tjetrin”. Çifti vendosi të martohet më 12 qershor.
Brigitte Machnik ka fotografuar luanët të cilët po çiftoheshin në mes të rrugës në parkun natyror “Sigean Reserve Africaine – Park” në Francë, teksa shoferët prisnin... Kjo është një nga ngjarjet më të rralla që mund të ndodhin. Luani u përpoq ta ndalonte luaneshën në cep të rrugës, por ajo megjithatë i bëri lajka dhe arriti t’i shmangej deri në mes të rrugës. “Aty filloi gjithçka. Të gjitha automjetet ndaluan. Dhe s’kishte se si të ndodhte ndryshe në fakt, sepse edhe sikur të të mungonte dëshira për t’i parë, nuk kishë zgjidhje. E kryen punën pas dhjetë minutash. Pasi kreu punën, luani u largua dhe liroi rrugën për automjetet”, tha Brigitte Machnik (48 vjeçe) nga Karlsruhe për gazetën gjermane Bild.
Kamera e rrugës në Wenzhou të Kinës ka incizuar një skenë të pabesueshme të kalimtarëve të zemëruar të cilët kapën dhe rrahën dajak dy hajdutë të cilët me motoçikletën e tyre u përpoqën t’ia vidhnin çantën një gruaje. Hajdutët u përpoqën të arratiseshin me motoçikletë por reagimi i shpejtë i kalimtarëve dhe dyqanxhinjve detyroi hajnat që të ktheheshin nga kishin ardhur. Kamera regjistroi çastin kur njëri prej dy motoristëve goditi një kombibus para se të arrinte të arratisje. Aty gjërat shkuan keq për kriminelët. Njerëzit të cilët i dolën menjëherë në ndihmë gruas u armatosën me çfarë gjetën para vetes dhe hajnat e rrethuar filluan t’i godasin. Në fund arriti policia dhe arrestoi kriminelët, ndërsa ata më pas u dërguan në spital ku iu ofrua ndihma mjekësore pas lëndimeve të shkaktuara nga masa e zemëruar.
Një re gjigante pluhuri si në filmat e Hollywoodit me katastrofa, kapërdiu një fshat të vogël në Kinën qendrore. Banorët u fshehën nëpër shtëpi duke mbyllur dyert dhe dritaret derisa stuhia e pluhurit po vërshonte rajonin. Gjatë kësaj stuhie, rëra e pluhuri nxinë edhe diellin, ndërsa dita u shndërrua në natë. Dukshmëria ishte zvogëluar në më pak se 200 metra. Shpejtë fuqia e stuhisë u zvogëlua, ndërsa reja e pluhurit u lëshua ngadalë në tokë duke u hapur fshatarëve shumë punë për ta larguar pluhurin dhe rërën. Rajoni Golmud, i prekur nga kjo stuhi pluhuri ka mbi 200.000 banorë. Çdo pranverë erëra të forta fryjnë nëpër shkretëtirë duke krijuar stuhi rëre, të cilat shkaktojnë ndërprerjen e energjisë elektrike, bllokojnë rrugët dhe rrisin numrin e sëmundjeve të mushkërive.
Mjeku gjerman, Gunther von Hagens, njeriu i cili ka krijuar projektin “Bodies revelaed”, tash shet disa pjesë të trupave njerëzor nga koleksioni i tij i pasur. Të interesuarit mund të blejnë për shembull mushkëritë e një duhanxhiu, gishtat ose një copë të kokës njerëzore. Çmimet sillen prej 120 deri në 12.000 euro. Von Hagens, i cili ka shpikur këtë proces të veçantë. Hagens i njohur edhe si “Doktor Vdekja”, kohë më parë hapi “plastinariumin”, një hapësirë në të cilën kombinohen ekspozimi i trupave njerëzorë me një laborator të hapur ku vizitorët mund të shohin si trupat përpunohen para ekspozimit. Hagens merr trupat njerëzor prej njerëzve të cilët vendosin vullnetarisht të bëhen pjesë e ekspozitës së tij.
Muzikantja avangarde amerikane, Laurie Anderson dhe bashkëshorti i saj, rockeri legjendar Lou Reed, gjatë vikendit do të performojnë në shkallët e Operës së Sydney ku do të organizojnë koncertin e parë për qen. Ky koncert muzikor nuk do të jetë i gjatë, zgjatë vetëm 20 minuta, pasi supozohet se qentë nuk kanë mundësi të koncentrohen më gjatë. Edhe pse një pjesë e koncertit mund të dëgjohet edhe nga pronarët e qenve, pjesa më e madhe e muzikës megjithatë do të ekzekutohet në frekuenca të larta të cilën mund ta dëgjojnë vetëm qentë. Dresuesi profesional i qenve do të jetë afër skenës për të parandaluar rrëmujën në publik, pjesëmarrja e të cilëve megjithatë nuk do të lejohet pa zinxhirë. Opera e Sydneyt e ka paralajmëruar këtë ngjarje si “të detyrueshme për çdo qen dhe mikun e tij me dy këmbë”.
Njeriu i cili humbi në malet e pafund të Kanadasë i lindi ideja për ta rrëzuar një largpërçues të energjisë elektrike për të thirrur ndihmë, njoftoi kompania për distribuimin e energjisë elektrike, SaskPower. Burri ndërpreu energjinë elektrike, e cila përcjell energjinë deri në një vend të izoluar me 1200 banorë Wollaston lake, në perëndim të Kanadasë. Strategjia e tij funksionoi, në afat prej 24 orësh elektro kompania dërgoi një helikopter për të kontrolluar gjendjen e largpërçuesve. Teknikët gjetën katër shtylla të rrëzuara dhe burrin i cili u gëzua kur pa helikopterin, tha zëdhënësi i kompanisë, përcjellë AFP. Ai humbi si pasojë e motit të keq. Mbeti pa ushqim dhe u detyrua ta përdorë sëpatën, sqaroi zëdhënësi.
Në SHBA, është realizuar një operacion i jashtëzakonshëm në trurin e një muzikanti, të cilit i ishte kërkuar nga mjekët që gjatë operacionit ai t’i bjerë violinës, në mënyrë që të jenë më të sigurt se nuk janë duke ia dëmtuar trurin dhe nuk shkon asgjë gabim me operacionin. Kjo është shumë qesharake kur e dëgjon por kështu ka ndodhur vërtet. Pacienti Roger Frish, vuante nga një lloj çrregullimi neurologjik, që shkaktonte dridhje të pakontrolluar të njërës dorë dhe pasi ishte identifikuar diagnoza, nga mjekët u vendos që ky lloj operacioni patjetër duhet të realizohet me trurin e hapur të pacientit. Operacioni kaloi me sukses dhe videoja nga ky “koncert i improvizuar”, është më se mbresëlënëse.