Jeni të ftuar në një festë dhe nuk dini si të hyni në bisedë me njerëzit që ju rrethojnë? Do të donit që dikush ta kuptonte pëlqimin tuaj? Ja disa hapa efikasë për të realizuar ëndrrën tuaj
Një batutë? Funksionon. Kjo do të ishte sa për të thyer akullin. Për të vazhduar më tej, mjafton një shëtitje në një park ose vajtja në një lokal. Joshja mund të realizohet kudo, mjafton që të ketë tërheqje. Por edhe kjo fushë, si gjithë të tjerat, ka truket e veta për të rezultuar të suksesshëm. Janë truke "shkencore", të studiuara mirë, të cilat vënë në punë mekanizmin e tërheqjes. Duke filluar nga hapi i parë që është biseda...
Mesazhi është hapi i parë i cili të bën të vazhdosh ose të ndalosh nëse e kupton se tjetri nuk është i interesuar. Fillimisht, ai që flet është trupi. Një psikologe ka studiuar sjelljet "flirtuese" të bëra nga gratë dhe reagimin që meshkujt kanë pasur kundrejt këtyre ngacmimeve. Ajo ka vërejtur 52 sinjale trupore të cilat janë lëshuar nga femrat dhe 17 sinjale refuzimi. "Janë hapa që fillimisht nisen nga gratë, e më pas japin mesazhin fillestar. Nëse ky mesazh kuptohet dhe pranohet nga personi tjetër, atëherë nis loja e shikimeve dhe e fjalëve me zë të ulët", shpjegon më tej ajo. "Këta janë hapa shumë të rëndësishëm në tërheqjen e vëmendjes mashkullore".
Në fakt, gratë që lëshojnë më tepër sinjale interesi, kanë më shumë mundësi për t‘u afruar me seksin tjetër. "Të njëjtin shans kanë edhe meshkujt, por sigurisht që duhet të jenë më të sofistikuar", vazhdon ajo. "Testi që vlerëson sjelljen e bërë nga burrat dhe gratë, tregon se meshkujt kanë tendencën t‘i vlerësojnë sinjalet pozitive si mesazhe interesimi më shumë se refuzimi. Në fakt, është thelbësore aftësia për të kuptuar reagimet e tjetrit", nënvizon psikologia. "Kjo lejon që të përqendrohesh në atë që të lëshon sinjale pozitive, duke anashkaluar atë që nuk tregon interes".
Kontakti i parë mund të kalojë mes një loje shikimesh. "Një shikim i shpejtë, i shkujdesur, duke hequr sytë e duke e shikuar përsëri, është një sinjal i fortë joshjeje: tregon interes dhe tërheq vëmendjen e tjetrit, por shpesh herë ka kuptim të dyfishtë dhe nuk shpreh pikërisht atë që do doje të transmetoje", shpjegon më tej psikologia. "Më pas mund të ketë edhe një shkëmbim shikimesh, ku ato janë më të zgjatura dhe më të thella: një shikim pak më i zgjatur mund të thotë shumë dhe të transmetojë dëshirë për afrim".
Personi që duam, na ka parë, por si t‘ia bëjmë që të hymë në bisedë? Është e kotë ta torturoni veten për të kërkuar diçka të bukur për të nisur bisedën. "Një frazë neutrale do të ishte shumë e zgjedhur, sepse edhe tjetri do ta ketë më të lehtë që ta vazhdojë bashkëbisedimin". Gjithçka mund të nisë me një koment për ambientin, për muzikën apo ushqimin. Në këtë mënyrë akulli thyhet shumë thjesht. Nëse personi tjetër është i interesuar, do vazhdojë ta zgjasë bisedën", nënvizon psikologia. Mund të tentohet me një pyetje në lidhje me atë çka bën. Nëse përgjigjja që jep është e mbyllur dhe më pas bën një pyetje tjetër, atëherë kjo është një shenjë e mirë.
Një nga recetat për të bërë për vete një mashkull është e thjeshtë dhe efikase: të flasësh dhe ta shikosh në sy. Psikologu Arthur Aron, në Universitetin e Nju Jorkut, që prej shumë kohësh studion mekanizmat e dashurisë, ka testuar se cilët faktorë favorizojnë intimitetin dhe tërheqjen. Në një eksperiment, çifte të panjohur duhet të flisnin për tema shumë personale dhe më pas të shiheshin me kujdes në sy. Rezultati? Pjesëmarrësit treguan se ndjeheshin të tërhequr dhe të afërt me shoqëruesin me të cilin bënin testin. "Të ndash informacione personale me dikë tjetër, duke evituar detajet private për të shmangur shqetësimin, rrit intimitetin", shpjegon Aron. "Ta shikosh personin që ke përballë në sy ndërsa bisedon, krijon një lidhje shumë direkte dhe të thellë.
Dhe jo vetëm kaq. Një shikim tepër i zgjatur nuk duhet bërë, sepse tjetri e kupton si një sfidë", tregon ai. Në Universitetin e Londrës është realizuar një eksperiment, ku pjesëmarrësve u janë treguar foto të njerëzve të ndryshëm. Në këto foto shikimi i disave ishte i drejtpërdrejtë dhe në disa të tjera shikimi i tyre ishte kuturu. Sigurisht që grupi i fotove të para u pëlqye më shumë nga pjesëmarrësit. Pra shikimi është tipari më i rëndësishëm i joshjes, sidomos kur jemi në fazat e para.
Mekanizma analoge vazhdojnë që të shtohen në lojën e dashurisë. Aron dhe një grup shkencëtarësh amerikanë kanë vënë re se kur u tregonin të dashuruarve fotografinë e të dashurit/dashurës, në trurin e tyre rritej aktiviteti i motivimit dhe përqendrimi në një objektiv të caktuar. "Ja pse kur jemi të dashuruar kërkojmë që të shohim shumë shpesh personin e zemrës, për të qenë më mirë nga kjo eksperiencë e mrekullueshme", thotë Aron.
Ja një tjetër truk i vogël, por shumë efikas: shikojeni personin që ju pëlqen drejt e në sy për 10 sekonda në formën e germës A. Pra që shikimi të zgjatet dhe më pas shikoni diku tjetër. Është një mesazh shumë pozitiv.
T‘i besosh tjetrit diçka personale, rrit intimitetin. Por është e ndaluar që të kaloni gjithë mbrëmjen duke folur për veten, sepse dukeni agresivë dhe nuk i jepni hapësirë tjetrit. Më mirë tregoni që dini të dëgjoni me shumë interes. Dëgjojini edhe problemet e tjetrit. Ndalojeni bisedën nëse tjetri e ul ritmin dhe ju shikon në sy. Një kompliment (edhe banal) vlen gjithmonë. "Kush e merr, ndjehet i vlerësuar dhe i kushton rëndësi atij që ia ka dedikuar. Kështu që interesi është reciprok", nënvizon psikologia. Nëse dëshironi që personi tjetër ta kuptojë se ju e pëlqeni, komplimenti është gjëja e dytë që duhet të bëni.
Batutat me humor shërbejnë pozitivisht dhe kjo është e provuar shkencërisht. Nga rezultatet e një studimi të bërë prej një universiteti të Kanadasë tregohet se femrat dëshirojnë meshkujt e qeshur dhe gazmorë, ndërsa për meshkujt preferohen ato femra të cilat qeshin me batutat e tyre. Pjesëmarrësve të një eksperimenti iu kërkua që të zgjidhnin një partner mes dy personave të ndryshëm, njërit me sens humori dhe tjetrit që e vlerësonte humorin.
Në më shumë se 60 për qind të rasteve gratë zgjodhën "tipin simpatik", ndërsa meshkujt vlerësonin partneren e cila çmonte ironinë e tyre. Në një tjetër test, vajza dhe djem duhej të vlerësonin persona të seksit të kundërt. Ata kishin një foto dhe ajo ishte prezantuar si një nga frazat e tyre: një batutë dhe një pohim normal. Femrat menduan se partneri i tyre më i mirë i mundshëm ishte ai i cili kishte shkruar diçka humoristike.
Nëse qeshni të dy bashkë për diçka të caktuar, atëherë edhe kjo gjë ju bën më të afrueshëm. Arthur Aron ka treguar se të ndani eksperienca të gëzuara rrit intimitetin për ata që takohen për herë të parë. "Qeshja largon tensionin e takimit të parë me një të panjohur. Kjo bën që tjetri të fitojë më tepër konfidenca", tregon Aron.
Mundet që personin e dashur ta bëni për vete edhe me diçka të shpejtë dhe të bukur. Duke i kërkuar, për shembull, një xhiro në lojërat e "Luna Parkut" (malet ruse), apo nëse jeni në plazh, do të ishte shumë mirë nëse do t‘i kërkonit të bënit sërf bashkë. Është shpjeguar shkencërisht se takimi me dikë që është në një gjendje emocionale të caktuar, për shembull pasi ka provuar frikën, rrit probabilitetin për t‘u tërhequr nga tjetri nëse ky i fundit i përshtatet me tipin tuaj", përfundon Aron.
Gazeta Shqip