Situate e renduar nga reshjet ne vend MPB Ne Diber mbytet nje 27-vjecar

- Ministri Tahiri urdhëron mbledhjen e Shtabeve të Emergjencave në çdo qark -

12243594_10153485298694457_1758340551050143492_nTIRANË, 22 Nëntor/ATSH/.- Reshjet e dendura të shirave dhe moti i keq kanë shkaktuar një situatë të rënduar në disa zona të vendit, ndërkohë që sipas ministrisë së Brendshme për shkak të kësaj situate ka humbur jetën shtetasi Adil Vladi 27 vjeç, i cili ishte duke pastruar një kanal uji në hidrocentralin Lura 1, Lura 2, në Armollë, qarku Dibër.

Situata e rënduar nga moti i keq ka sjellë përmbytje nga uji, mungesë energjie elektrike, dëmtime të urave, bllokime rrugësh për shkak të inerteve etj., të cilat përveç vështirësive të krijuara, kanë dëmtuar në disa raste pasurinë apo bizneset e shtetasve.

Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri janë mbledhur Shtabet e Emergjencave në çdo Prefekturë, të cilat po ndjekin dhe monitorojnë situatën në vazhdimësi.

Strukturat e Policisë së Shtetit, shërbimit zjarrfikës, strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, të Transporteve, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Prefektëve po punojnë në terren për përballimin e situatës.

Në bazë të të dhënave nga Shtabet e Emergjencave në Prefektura si dhe të informacioneve të grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile, në vijim paraqitet një përmbledhje e problematikave në zonat emergjente sipas qarqeve:

Qarku Tiranë:

- Ka pasur probleme të përmbytjes nga uji në zonat përballë ish ekspozitës "Shqipëria sot"; në Kodër Kamëz rruga "Rustem Haklaj"; si dhe në Yzberisht, rruga "Riza Juka".

Në vendngjarje është dërguar automjet zjarrfikës për thithjen e ujit dhe punonjës nga bashkia e Tiranës dhe struktura të tjera për normalizimin e situatës. Prezencë uji ka edhe në disa rrugë kryesore të qytetit Tiranë dhe në zonat përreth.

- Tek ish-stacioni i trenit rruga "Karl Gega" ka një shembje dheu në një gropë pallati. Po merren masa urgjente nga Njësia Administrative për ndërhyrje në këtë situatë.

- Autostrada Tiranë-Durrës, është përkohësisht me trafik të rënduar për shkak të prezencës së ujit në autostradë. Po punohet në bashkëpunim me Drejtorinë e ARRSH-së për normalizimin e situatës.

- Në lagjet Kombinat, Yzberisht, Kashar dhe Paskuqan ka ndërprerje të energjisë elektrike. Grupet e OSHEE-së janë në terren për riparimin e difekteve.

Qarku Kukës:

Për shkak të reshjeve që vazhdojnë me intensitet të lartë, ka pasur ndërprerje të energjisë dhe inerte në mjaft prej akseve rrugore. Nga erërat e forta është dëmtuar në disa vende edhe sinjalistika rrugore. Problem është rrëshqitja e aksit rrugor Kukës-Bushtricë Km 29 dhe rrëshqitja e aksit Krumë-Qafë Prush në vendin e quajtur Bregu - Vlanës.

Është dëmtuar një biznes në Bashkinë Has, si dhe dy stallë bagëtish në fshatin Domaj. Megjithatë në territoret e bashkive nuk ka bllokim të qarkullimit. Ka ndërprerje të energjisë elektrike si rezultat i erërave të fuqishme që kanë goditur linjat e tensionit të mesëm e të ulët duke shkaktuar këputje telash dhe rënie shtyllash.

Aktualisht janë pa energji:

Rrethi Kukës - Njësia Administrative Arrën, Kalis, Grykë Çaj, Malzi, Zapod, Shishtavec, Topojan.

Rrethi Has - Njësia Administrative Fajza, Gjinaj (tre fshatra), Golaj (dy fshatra).

Rrethi Tropojë - Lekbibaj, Margegaj, Tropojë e Vjetër, Bytyç.

Qarku Dibër:

Në njësinë Administrative Lurë, ka humbur jetën shtetasi Adil Vladi 27 vjeç, i cili ishte duke pastruar një kanal uji në hidrocentralin Lura 1, Lura 2, në Armollë. Sipas informacioneve ai është rrëmbyer nga rrjedha e ujit. Po punohet nga strukturat e policisë dhe banorët për gjetjen e trupit të shtetasit.

Problem në të gjithë qarkun mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi ka disa fshatra të Dibrës dhe mjaft zona të rrethit të Matit ku mungon energjia elektrike. Nga ana tjetër, megjithë reshjet e dendura, nuk ka pasur dëmtime në infrastrukturë apo rrëshqitje të dherave, ndërkohë që të gjithë akset rrugore janë të kalueshme pa probleme. Vetëm në dalje të Burrelit, ka një dëmtim të rrugës nacionale nga rrëshqitjet. Po punohet nga bashkia Mat me dy fadroma për hapjen e rrugës.

Qarku Durrës:

Probleme më të rënda janë konstatuar në Fushë-Krujë përkatësisht në fshatrat Zezë, Tapizë, Nikël pati fryrje të lumit Zezë, i cili depërtoi në disa banesa në dy lagjet e fshatit Zezë, që janë pranë lumit. Uji dëmtoi dhe një pjesë të rrugës pranë urës që lidh fshatin Vrion dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe këmbët e urës së fshatit Zezë. Tashmë niveli i lumit ka rënë. Në Fushë-Krujë pati fryrje të lumit tek ura kryesore e qytetit. Në zonën e Cudhisë ka rrëshqitje dheu në rrugën e Bruz Malit dhe të Shkretës. Hidrovori i Porto Rromanos dhe ai Hamallaj janë në gatishmëri dhe situata është pa probleme.

Qarku Shkodër:

Njoftohet se në zonën e Malësisë së Madhe, Kelmendit, Kozhnje e Pronjet janë dëmtuar dy ura që lidhin fshatrat Kozhnje, Nikç e Vukël.

Qarku Gjirokastër:

Në fshatin Petran, të bashkisë Përmet, si rezultat i motit të keq dhe erës së fortë është dëmtuar një stallë bagëtish në pronësi të një shtetasi.

Pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, brigadat e OSHEE-së po bëjnë maksimumin për riparimin e defekteve brenda një kohe të shkurtër. Në 10 Drejtoritë Rajonale dhe në terren po punon një personel prej 1650 punonjësish për riparimin e defekteve, të ndara në 26 grupe për ndjekjen e regjimit të punës dhe 26 inxhinierë të sigurisë në punë. Aktualisht po furnizohen me energji elektrike të gjithë hidrovoret dhe qendrat spitalore./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama