Ska ndihme ekonomike pa mesuar zanat

S'ka ndihme ekonomike pa mesuar zanat

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë, Erion Veliaj prezantoi dje nismën e re të dikasterit që drejton, lidhur me përfitimin e ndihmës ekonomike. Sipas kësaj nisme, të papunët që duan të përfitojnë ndihmë ekonomike nga shteti, do t’u nënshtrohen detyrimisht kurseve profesionale për të përfituar një zanat.

Ai që refuzon të trajnohet nuk përfiton as ndihmë ekonomike. Kjo nismë e re e qeverisë pritet që të vihet në zbatim së shpejti dhe përfshin të gjithë ata persona që janë në moshë për të punuar. Gjithashtu, ministri Veliaj tha dje se do të përjashtohet nga skema ndihmës ekonomike ata të papunë që refuzojnë ofertat për punësim.

Këtë ministri Veliaj e deklaroi ditën e sotme gjatë një takimi me bizneset. Sipas tij, nisma e re e qeverisë do t’u japë fund zanateve të pacertifikuara. “Kurset profesionale do t’i japin fund një tregu, ku çdokush mund të bëjë elektricistin dhe hidraulikun, por në fund, askush s’mban përgjegjësi për dëmet që mund të shkaktojnë në punë”, tha ai.

Sipas Veliajt, kurset profesionale do të orientohen më shumë drejt Veriut të Shqipërisë, pasi sipas tij, niveli i papunësisë atje është më i lartë. Gjithashtu, ndër ndryshimet që i janë bërë deri më tani skemës së ndihmës ekonomike, është shkollimi i detyrueshëm i fëmijëve për familjet që e përfitojnë atë.

Nëse një familje që përfiton ndihmë ekonomike, refuzon të shkollojë fëmijët, atëherë asaj i pritet automatikisht ndihma. Ministri Veliaj, kërkoi gjithashtu, që zyrtar e punësimit të marrin një rol më aktiv në uljen e papunësisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama