Fondi Monetar Ndërkombëtar ditën e djeshme ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet per ekzistencën e një skenar grek për Shqipërinë. Deklaratat janë bërë nga shefi i FMN-së, Nadeem Ilahi, i cili ka thënë se duhet pasur kujdes kur flitet për këto tema të nxehta.
“Kemi dëgjuar shumë për një skenar grek në Shqipëri. Unë mendoj se duhet të jesh i kujdesshëm kur krahason dy vendet dhe meqë ra fjala edhe ekonomia greke tani po del nga kriza. Por, t’i kthehemi pyetjes. Ka diferenca të mëdha. Zhbalancimet e Greqisë ishin shumë më të mëdha se këto të ekonomisë tuaj. Ju keni një borxh shumë më të ulet se sa ishte ai i Greqisë dhe për rrjedhojë edhe konsolidimi fiskal që nevojitet është shumë më i vogël. Dhe mos harrojmë që ekonomia shqiptare ka potencial të madh për t’u ringritur. Ka një treg pune shumë fleksibël, me çmim të ulët, ka një sektor publik të vogël dhe nuk ka kufizimet që kishte ekonomia greke”, tha Ilahi. Ky i fundit theksoi më tej, se nisur nga të dhënat e fundit të FMN-së, ekonomia shqiptare ka filluar të ringrihet dhe kjo dëshmohet nga një sërë treguesish.
“Shohim shenja të mira në performancën e të ardhurave. Veçanërisht tek TVSH-ja. Ky është ndoshta fillimi i një trendi pozitiv. Kemi përmirësim në tregti, si tek importet ashtu dhe eksportet. Po kështu, disa sektorë si tekstilet po gjallërohen. Pra, faktori i jashtëm i ekonomisë po përmirësohet, por edhe besimi i brendshëm konsumator dhe ai i investitorëve po ashtu, për shkak të reformave për klimën e biznesit”, nënvizon Ilahi.