Skandali “Levinski”, 1998
Marrëdhënia e ish-presidentit amerikan Bill Klinton me Monika Levinski. Skandali “Levinski” e vuri ish-presidentin amerikan Bill Klinton në qendër të një skandali seksual me praktikanten Monika Levinski. Mohimi i lidhjes nën betim nga ana e Klinton e përkeqësoi akoma më shumë problemin duke krijuar kështu përveç turpërimit dhe një problem ligjor, çka shkaktoi vënien e tij para gjyqit. Sidoqoftë ai mbeti në detyrë deri në përfundim të mandatit të tij. Lajmi i marrëdhënies jashtë martesore të ish-presidentit u përhap në të gjithë shtypin duke dhënë detaje të marrëdhënieve seksuale me praktikanten 22 vjeçare. Në dëshminë e tij Klinton kishte mohuar faktin se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Monika Levinskin.
Mark Folej, 2006
Ish-kongresmen amerikan, i cili u dërgonte mesazhe adoleshenteve që kishin punuar si ndihmëse në Kongres. Mark Adam Folej është një politikan, i cili ka shërbyer si anëtar i Kongresit Amerikan nga vitit 1995–2006, duke përfaqësuar Floridan. Më parë një nismëtar fushatash kundër abuzimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre, Folej dha dorëheqjen nga kongresi më 29 shtator 2006, pas akuzave se ai u kishte dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje seksuale, adoleshenteve që kishin shërbyer si ndihmëse apo korriere në kongres. Pas këtyre akuzave, FBI nisi hetimet. Dy prej vajzave kanë deklaruar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me Folejn, por vetëm pasi kanë qenë në moshën e lejueshme për të mos u quajtur minorene.
“Çështja Petticoat”
Një ndër skandalet më të hershme në historinë moderne të SHBA-ve është ai i quajtur “Çështja Petticoat” në vitin, 1831, kur sekretari i Luftës së qeverisë amerikane, Xhon Henri Iton u martua me Margaret O’Neil Iton. Mendjet konservatore të kohës, të kryesuara nga bashkëshortja e zv/presidentit amerikan, Floride Kalhoun ndërmorën një fushatë përjashtimi ndaj çiftit të ri, pasi pretendohej se ish-bashkëshorti i Margaret kishte vrarë veten pikërisht për shkak të marrëdhënies së saj me sekretarin e Luftës së shtetit. Pegi dhe Iton u martuan menjëherë pas vdekjes së Timbërleik, duke skandalizuar gratë “e respektuara” të kryeqytetit amerikan. Skandali ishte aq intensiv saqë shumë anëtarë të qeverisë dhanë dorëheqjen. Si pasoje edhe Iton dha doreheqjen.
Uno Sosuke, 1989
Ish-kryeministri japonez dha dorëheqjen pasi një geisha tregoi se kishte pasur një lidhje me të. Uno Sosuke ka qenë kryeministri i 75-s në Japoni, por mundi ta mbante këtë post vetëm tre muaj pasi një skandal seksual e detyroi të jepte dorëheqjen. Ishte një geisha, e cila deklaroi publikisht se kishte pasur marrëdhënie me kryeministrin. Rrethanat e këtij skandali nuk kishin të bënin aq me faktin se ai kishte pasur një lidhje jashtë martesore, se sa mungesën e përgjegjshmërisë. Kjo për arsye se sipas pretendimeve të geishës ai nuk i kishte paguar asaj shumën e duhur, çka e kishte detyruar atë të ankohej publikisht. Kjo histori nuk u bë shumë publike në vend, derisa një reporter i “Washinton Post” arriti të merrte historinë dhe t’i jepte ngjarjes vëmendje ndërkombëtare.
Dejvid Blanket, 2004
Sekretari i Shtetit jep dorëheqjen pasi zbulohet se ai kishte një marrëdhënie me një grua të martuar, Kimberli Kuin dhe supozohej se në atë kohë po përpiqej të lehtësonte procedurat e vizës për dadon filipinase të fëmijëve të saj. Gjatë kohës si Sekretar Shteti në kabinetin britanik, Blanket kishte marrëdhënie me Kimberli Fortier, botuesja me kombësi amerikane e revistës së krahut të majtë “The Spectator”. Marrëdhënia trevjeçare përfundoi kur Fortier vendosi të kthehej tek bashkëshorti i saj. Në fund të nëntorit 2004, dolen pretendime se Blanket kishte abuzuar me postin e tij duke përdorur influencën e tij për të përshpejtuar procedurat e aplikimit të lejeqëndrimit në Angli të dados filipinase së të dashurës. Blanket dha dorëheqjen më 15 dhjetor 2004.
Xhon Braunli
Ish-kryeministri i provincës së Albertas në Kanada jep dorëheqjen në vitin 1934, pas akuzave se ai kishte joshur një grua të re. Partia e tij pothuajse u zbeh në zgjedhjet pas skandalit. Reputacioni i Braunli u shkatërrua nga një skandal seksual, në të cilin një grua e re e denoncoi atë për ngacmim seksual. Ai u shpall fajtor dhe në korrik të vitit 1934 dha dorëheqjen. Për shkak të popullatës konservative, partia e Braunli pësoi një rënie dramatike dhe në zgjedhjet e vitit 1935 nuk arriti të fitonte as edhe një vend në legjislaturë. I shkatërruar nga humbja dramatike elektorale, Braunli iu rikthye praktikave ligjore në Edmonton. Në vitin 1948 ai u bë president i firmës dhe menaxher i përgjithshëm.
Kris Briant, 2003
Deputeti britanik zbulohet se kishte postuar foto të tijat me të mbathura në faqe interneti për homoseksualë, ku kërkonte partner. Pasi fotot u publikuan nga një sërë gazetash britanike, deputeti bëri publike një deklaratë për shtyp ku kërkonte ndjesë. Në deklarate shkruhej: “Më vjen keq që një gjë e tillë ka ndodhur. Unë kam qenë gjithnjë i hapur rreth jetës time private, por nuk kam synuar që ta kthej atë në një çështje primare. Gjëja më e rëndësishme është puna që bëj për zgjedhësit e mi si deputet dhe nuk do të lejoj që të shkëputem nga përfaqësimi i duhur i këtyre njerëzve”. Briant pranoi që fotografitë dhe mesazhet ishin autentike. Më pas ai deklaroi se nuk e kishte fshehur asnjëherë faktin se ishte gej dhe se kjo ishte çështje private e tij.