Skandali 11 kompani fantazme perfituan brenda dites pese milione USD rimbursim TVSH-je

Skandali, 11 kompani fantazme perfituan brenda dites pese milione USD rimbursim TVSH-je

Njëmbëdhjetë kompani fantazmë kanë zhvatur gjatë periudhës parazgjedhore dhe deri në muajin tetor, rreth pesë milionë dollarë amerikanë, pasi kanë përfituar nga rimbursimi i TVSH-së me fatura fiktive. Megaskandali është zbuluar nga Auditi i Brendshëm i Ministrisë së Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjatë kontrollit në Drejtorinë Rajonale të Tiranës.

 

Shkelja e konstatuar shkon në 515 455 275 lekë. Ky zbulim ka bërë që Ministria e Financave t’i drejtohet Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekjen penale të tetë punonjësve të administratës tatimore: katër inspektorë, dy përgjegjës sektori, një drejtor kontroll-tatimor dhe një një drejtor i Drejtorisë Rajonale në Tiranë. Gjithashtu mësohet se janë kallëzuar edhe dy pronarët e 11 firmave që kanë më së shumti emra kinezë. Të 11 kompanitë, gjashtë në pronësi të një personi dhe pesë të një tjetri kanë hartuar fatura fiktive, ku janë rimbursuar në mënyrë të menjëhershme edhe brenda ditës. “Vetëm gjatë ditës së parë janë konstatuar shkelje të rënda në fushën e zbatimit të legjislacionit tatimor për procedurat e rimbursimit të TVSH-së, në 11 raste me pasojë vjedhjen e pasurisë shtetërore në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës. Faktet dhe elementët e zbuluar plotësojnë elementet e veprës penale “vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e kryer në bashkëpunim, parashikuara nga neni 135, si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal.

 

Shuma e vjedhjes së shkaktuar është 515 455 275 lekë dhe në të janë përfshirë ish-drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish-drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish-përgjegjës të sektorit të kontrollit tatimor në këtë drejtori, si dhe tre inspektorë kontrolli”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Financave. Gjithashtu bëhet e ditur se “për të gjithë këta është kryer pezullimi nga detyra. Gjithashtu në këtë vepër janë bashkëveprues dy persona përfaqësues ligjorë të 11 kompanive private, të cilat pas përfitimit të rimbursimeve kanë kryer procedurat e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Për të gjithë personat e sipërpërmendur, ditën e hënë, datë 21 tetor 2013 është bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Tiranë”. Ndërkohë që kontrolli për të verifikuar abuzimet e mundshme nëpërmjet auditivit në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës po vazhdon ende.

Skema e përfitimit

Kur e gjithë vëmendja e ishte e përqendruar te zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, në zyrat e Tatimeve po mendohej se si të përfitohej nga kjo situatë kaotike, ku shteti nuk ndihej dhe nuk ka forcën e duhur. Pikërisht në periudhën zgjedhore, por edhe gjatë rotacionit të qeverisë, pra nga qershori deri më tetor 2013, janë shënuar 11 raste nga 11 kompani të huaja, por me përfaqësues shqiptarë që kanë kryer shpenzime me fatura fiktive, duke kërkuar rimbursimin e TVSH-së. Këto kompani, deri në kryerjen e aktivitetit të shitjes, kanë qenë aktive, duke kryer shitje, kontrata, por gjithçka me fatura fiktive. E çuditshme është se ato janë rimbursuar menjëherë, duke kaluar etapat kohore që parashikon ligji. Kjo mësohet se ka bërë që të lindin dyshime nga auditi i Ministrisë së Financave. Ndërkohë që spektri i abuzimeve mund të zgjerohet akoma më tej, pasi Ministria e Financave, sipas burimeve, dyshon se në këtë vjedhje është përfshirë edhe Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) të bizneseve.

 

Kjo, pasi rezulton se menjëherë pasi 11 firmat janë rimbursuar për faturat e shpenzuara për shërbimet e kryera ndërmjet njëra-tjetrës kanë depozituar kërkesën për falimentimin e tyre. QKR-ja, me një procedurë të përshpejtuar apo jashtë çdo afati kohor, duket se i ka cilësuar si të falimentuara këto 11 kompani, duke i çregjistruar ato. Mësohet se këto 11 kompani të përfshira në këto transaksione të dyshimta, me fatura fiktive, vetëm 4 prej tyre kanë emra shqiptarë, të gjitha të tjerat, pra 7 firmat e tjera, kanë emra të gjuhës aziatike, kineze. Firmat janë të regjistruar në QKR për import dhe eksport mallrash. Për arsye të hetimit, Ministria e Financave, por edhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë dhënë detaje për emrat e tyre dhe për personat që janë nën hetim. Ndërkohë që sipas “Top Channel” mësohet se mes punonjësve të nivelit zbatues që u kallëzuan janë edhe dy zyrtarë të nivelit drejtues, ish-drejtori i Tatimeve Tirane, Ismail Muçaj, dhe ish-drejtuesi i hetimit tatimor.

 

Kallëzimin në fjalë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serjani, i cili shtoi se nuk mund të jepet asnjë detaj, për shkak se aktualisht njësia Task-Forcë po kryen veprimet e para hetimore. Mësohet se prokuroria ka kontaktuar me personat që janë kallëzuar për ndjekje penale nga ana e Ministrisë së Financave. Problemi i rimbursimit të faturave fiktive u bë publik nga ana e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë gjatë shqyrtimit të aktit normativ për buxhetin e vitit 2013. “Ajo që është më shqetësuese për mua dhe që të jeni të bindur se jam duke e ndjekur, ështe se ka deri vepra penale në administrimin e fiskut në Shqipëri”, u shpreh kryefinancieri Cani. “Top Channel”, disa ditë më parë, raportoi se bëhet fjalë për një skemë gjigante mashtrimi me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Në lojë janë përfshirë kompani fantazmë nga Kina, të cilat, sipas përllogaritjeve të para, kanë marrë nga buxheti përmes faturave fiktive të TVSH-së, dhjetëra milionë euro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama