“Në 7 fakultete çka do të thotë në 13% të fakulteteve që zhvilluan zgjedhje nuk konkurroi asnjë kandidat për shkak se asnjë pedagog nuk plotëson kriterin bazë që është titulli Profesor i Asociuar ose Doktor i Shkencave mbrojtur në një universitet të huaj dhe përvojë akademike në një universitet të huaj pas doktoratës. Në 175 departamente konkurruan 101 kandidatë të vetëm, pra rreth 57 % e departamenteve kishin vetëm 1 kandidat në garë, ndërsa 21 % e departamente kishin 2 kandidatë në garë, ndërkohë që në 33 departamente ose 19 % nuk u zhvilluan zgjedhje, sepse asnjë pedagog nuk përmbush kriterin që kërkon ligji i Arsimit të Lartë, gradën Doktor i Shkencave,” tha dje ministri i Arsimit Myqerem Tafaj.
Sipas ligjit, që një departament, apo fakultet të hapet dhe më pas të akreditohet, duhet të ketë personel akademik me grada doktorature. Gjithsesi sipas ministrit të Arsimit, zgjedhjet në tërësi, në universitete kanë arritur standardet, ndërsa fushata duhet të ishte më aktive.“I gjithë procesi zgjedhor në fazën e tij përgatitore dhe në ditën e votimit u zhvillua sipas standardeve të përcaktuara në rregulloren e zgjedhjeve, të hartuara dhe miratuara nga vetë universitetet. Për këtë unë dëshiroj të falënderoj të gjithë aktorët, rektoratet, dekanatet, komisionet zgjedhore në nivel universiteti dhe fakulteti për organizimin dhe zhvillimin normal të zgjedhjeve, si dhe të gjithë pedagogët që morën pjesë në këtë garë, bashkë edhe me studentët që votuan. Rreth 97 % e pedagogëve dhe personelit ndihmës në universitete mori pjesë në votime, ndërsa nga studentët morën pjesë vetëm 28.5%,” tha ministri Tafaj. Në përfundim ministri Tafaj garantoi të zgjedhurit për bashkëpunimin me MASH në funksion të thellimit të reformave të nisura në arsimin e lartë dhe për të gjitha reformat që janë në proces, ku objektivi kryesor mbetet rritja e cilësisë