Skandali Vasili kunder bb Firma me dokumentacion fals

Skandali, Vasili kunder bb: Firma, me dokumentacion fals
Banka Botërore përplaset publikisht me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, për dështimin e tenderit të blerjes së pajisjeve spitalore.Në skandalin e publikuar nga “Gazeta Shqiptare” rezulton se në një tender të blerjes së pajisjeve spitalore është shpallur fituese një kompani me ofertë 600 mijë dollarë më të lartë sesa oferta tjetër. Për këtë rast, koordinatorja rajonale për Europën Juglindore në Bankën Botërore, Jane Armitage, i ka dërguar një letër ministrit të Financave, Ridvan Bode, ku ngre shqetësimin e procedurës së ndjekur për përzgjedhjen e fituesit. Pas qëndrimit të ministrit ka reaguar sërish mbrëmë Banka Botërore, ku ka sqaruar të gjithë situatën e krijuar.

Reagimi i Vasilit

Pikërisht për kompaninë që Banka Botërore ka sjellë si shembull të një skualifikimi të padrejtë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka derdhur një lumë akuzash. Sipas tij, kompania që përmendet kishte dokumentacion fals dhe, nga ana tjetër, ka qenë pikërisht Banka Botërore që ka këmbëngulur që të mos pranohen oferta të ulëta. “Ka qenë Banka Botërore, e cila nuk e ka pranuar çmimin më të ulët dhe ka kërkuar që vlerësimet teknike e specifikimet të shikohen më gjerë e gjatë. Është pranuar nga Ministria kjo gjë, pra që të hiqte dorë nga çmimi më i ulët, dhe BB referohet se duhet shikuar fituesi mes kompanive me çmime më të larta. Pas një rivlerësimi u shpall një kompani e caktuar. BB insistoi për një kompani tjetër që të shpallej fituese. Kjo kompani, për fat të keq, kishte deklarime false për shpalljen e tenderit, gjë që iu bë me dije me shkrim edhe specialistëve të Bankës, edhe drejtuesve në Uashington”, tha Vasili në deklaratën e tij. Reagimi i Vasilit erdhi pasi u mësua lidhur me letrën, të cilën koordinatorja rajonale për Europën Juglindore në BB ia kishte dërguar jo vetëm ministrit Bode, por edhe vetë ministrit Vasili dhe një sërë institucionesh të tjera. Banka Botërore, nga ana e saj, do të financonte në tenderin me vlerë 3.6 milionë dollarë rreth 1.1 milionë dollarë, të cilët i anuloi pas konstatimit të procedurës së ndjekur nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ku u skualifikua një kompani me ofertë më të ulët dhe u shpall fituese një tjetër me ofertë mjaft të lartë.

Reagimi i BB

Mbrëmë në darkë, Banka Botërore reagoi sërish, duke sqaruar në detaje të gjithë situatën e tenderit. “Oferta më e ulët në tenderin e sipërpërmendur të pajisjeve mjekësore ishte teknikisht e papranueshme. Për këtë arsye, Banka këshilloi të rishikohej raporti i vlerësimit të ofertave. Pas rishikimit, fituese u rekomandua një kompani, oferta e së cilës ishte 600 000 USD më e lartë sesa oferta me çmimin më të ulët, teknikisht e pranueshme. Skualifikimi i ofertës më të ulët u bë për arsye që nuk lidheshin me aftësi dhe burime të tenderuesit për të marrë përsipër kontratën në fjalë. Shqetësimi i vlerësuesve kishte të bënte vetëm me ofruesin lokal të shërbimeve. Sipas udhëzuesve të prokurimeve të Bankës, caktimi i ofruesit lokal të shërbimeve është kusht vetëm për firmosjen e kontratës dhe identifikimi i tij nuk është kusht për dorëzimin e ofertës, kualifikimi i ofruesit lokal të shërbimeve nuk lidhet me përgjegjshmërinë e ofertës dhe kualifikimin e kompanisë për qëllime të vlerësimit të ofertës apo dhe shpalljes së fituesit”, thuhet në reagimin e menaxheres së zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Kseniya Lvovsky. Në deklaratë thuhet se para se të merrej vendimi përfundimtar, Banka ka pasur disa komunikime me Ministrinë për të rishikuar edhe njëherë situatën. “Nisur nga fakti që huamarrësi nuk ndoqi kriteret e përmendura të vlerësimit dhe kualifikimit në dokumentet e tenderit dhe nuk rekomandoi si fitues ofertuesin me çmim më të ulët, me specifikime teknikisht të pranueshme, Banka nuk do ta financojë këtë kontratë”, përfundon deklarata.

Vizita

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ishte dje i pranishëm në qendrën shëndetësore N.2 në kryeqytet, për të parë nga afër ecurinë e investimeve në këtë qendër. Ai u njoh nga afër me investimet në infrastrukturë dhe aparaturat mjekësore në ndihmë të ofrimit të një shërbimi më cilësor. Të njëjtat investime sipas ministrit të Shëndetësisë po kryhen në të dhjetë qendrat shëndetësore të Tiranës dhe në dispozicion janë vënë 12 milionë lekë, të ndarë për të gjitha këto poliklinika. “Jemi në udhën e duhur për të pasur qendrat shëndetësore të duhura dhe për të përcaktuar saktë diagnozën”, tha Vasili.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama