Skandali i Haderajve - Shteti shemb monumentin e kultures arkeologiaDuhej restaurim

Skandali i 'Haderajve' - Shteti shemb monumentin e kultures, arkeologia:Duhej restaurim

Banesa e Hadërajve, monument i kategorisë II, është shembur pjesërisht nga vetë Drejtoria e Monumenteve të Kulturës, pas një vendimi të marrë nga prefektura, qarku e bashkia e qytetit.

Një pjesë e mureve të monumentit kanë rënë në datën 8 janar, veçse kjo nuk qe hera e parë; ka pasur shembje edhe më të kahershme! Pas kësaj, sipas Spartak Drrasës, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, është mbledhur Komiteti i Emergjencave Civile, me anëtarë nga bashkia, qarku, prefektura e zjarrfikësit. Prej tyre, është marrë vendim që të shembet në mënyrë të kontrolluar ajo pjesë e banesës që vë në rrezik jetë njerëzish.

 ”Nga specialistët tanë u pa rreziku që kanoste banesa dhe u vendos që një pjesë e saj të shembej. Nga 520 metra katrorë që është ajo, janë shembur vetëm 10 metra katrorë“, – tha dje Drrasa.

I pyetur nga “GSH” nëse për këtë vendim është marrë ‘OK’-eji nga ministria apo IMK-ja, Drrasa tha se ka raportuar pranë tyre, por nuk ka pasur kohë për të pritur përgjigjen e tyre, pasi shembja është bërë ditë të diel.


Zhuljeta Harasanin, drejtoreshë e Trashëgimisë pranë ministrisë,është shprehur se,  ”Është shembur vetëm një pjesë e murit, pjesa tjetër është solide. Kjo është bërë për të shmangur dëmtimin e banesës ngjitur. Ka rreth 20 metra kub inerte, që do të ruhen për t’u ringritur banesa siç ishte”.

Zonja Harasani, bëri me dije se projekti është gati dhe se do të financohet nga turqit e TICA-s, të cilët aktualisht po bëjnë rilevimin e zonës së Gjiro-kastrës. Në fund të këtij procesi do të vendoset se ku duhet ndërhyrë në mënyrë urgjente. E pyetur se, përse çështja nuk ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit, prej ku duhet marrë vendimi për çështje të kësaj natyre, Harasani tha se kjo u bë për shkak të emergjencës.

Lida Miraj, arkeologe, njohëse e monumenteve, e cilësoi ngjarjen një skandal.

“Një vendim të tillë, nuk e merr Komiteti i Emergjencave, sepse atje nuk kishte rënë tërmet. Ajo është një çështje për të cilën duhej të ishte mbledhur KKR. Nuk ishte arsye për t’u ngutur e për t’i hyrë me ekskavator. Mund të ishte vënë një mur rrethues i përkohshëm derisa të restaurohej, ose shtylla hekuri. Për mua, është mungesë përgjegjësie. Ç’janë këto shembje të kontrolluara?!”, e mbyll prononcimin e vet Lida Miraj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama