Skandali i TVSH-se u vodhen 20 mln euro gati prangat

Skandali i TVSH-se, u vodhen 20 mln euro, gati prangat

Task-force e Prokurorisë së Tiranës ka thelluar hetimet për skandalin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së. Ekspertët kanë zbuluar se shifrat e abuzimit shkojnë në disa milion euro, ndërkohë që mekanizmi që ka çuar hetuesit te kjo shifër marramendëse është bazuar në të njëjtën skemë me të cilën u zbuluan abuzimet e 8 ish-drejtuesve dhe inspektorëve tatimorë të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

Referuar të dhënave nga organi i akuzës bëhet me dije se shuma që dyshohet se është vjedhur me anë të procedurave të rimbursimit të TVSH-së kap shifrat e 20 milionë eurove, ndërkohë që në kallëzimin penal të kryer në prokurori për 8 ish-funksionarët, të cilët vijojnë të jenë nën hetim, dëmi shkonte deri në 515 milionë lekë. Të dhënat e grupit të hetimit bëjnë me dije se në ketë skemë vjedhjeje janë të përfshirë ish-funksionarë të lartë të Tatimeve, të cilët tashmë janë vënë nën hetim dhe mësohet se shumë shpejt organi qendror i akuzës do të deklarojë shkeljet dhe abuzimet e ndodhura me rimbursimin e TVSH-së.

 Ndonëse jo zyrtarisht, saktësohet se ata që kanë drejtuar në Drejtorinë e Tatimeve do të ndiqen penalisht, ndërkohë që po punohet për të zbardhur gjithë mekanizmin e kësaj vjedhjeje ndër vite. Burimet zyrtare janë të rezervuara në lidhje me listën e emrave të ish-funksionarëve të lartë të cilët priten të ulen në bankën e të akuzuarve, por deri më tani janë publikuar vetëm emrat e 8 personave që janë kallëzuar nga Auditi i Ministrisë së Financave me 21 tetor të këtij viti. 

 Hetimet

Grupi i hetimit që po merret me skemën e mashtrimit me faturat e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) ka zgjeruar tash më rrethin e instancave dhe të personave që janë përfshirë në këtë skandal. Hetimet janë përqendruar në sektorin e Doganave dhe të Tatimeve, po ashtu edhe tek Thesari i Shtetit. Ekspertët e prokurorisë që po merren me çështjen e këtij skandali teksa kanë hetuar dosjen e 8 të kallëzuarve të Ministrisë së Financave, kanë zbuluar emra ish-zyrtarësh të tjerë të lartë të cilët rezultojnë të implikuar në skemën e mashtrimit. 

Ndërkaq, janë dy kompani fantazmë që hetuesit kanë mundur t’i gjurmojnë dhe të deshifrojnë lidhjet me personat e përfshirë në stimulimin e këtyre firmave mashtruese. Sipas të dhënave që vijnë nga hetimi, bëhet me dije se për të mundësuar përvetësimin e shumave marramendëse janë përfshirë doganierë dhe inspektorë tatimesh e deri drejtorë drejtorish. Burimet saktësojnë se i njëjti hetim është ushtruar në degën e Thesarit, pasi zinxhiri i vjedhjes dyshohet se shtrihet pikërisht deri tek dijenia mbi derdhjen e shumës së rimbursimit për kompanitë fantazmë. Janë 11 të tilla të cilat dyshohet se kanë vepruar në një hark kohor prej një viti, por sipas prokurorisë dyshimet bien se kjo skemë ka funksionuar prej shumë kohësh duke bërë të mundur boshatisjen e lekëve të arkës së shtetit.

 Task-Force e hetimit mësohet se ka përgatitur një dosje voluminoze në lidhje me këtë skandal, ndërsa dyshimet bien mbi funksionarë të lartë që kanë drejtuar në sektorin e doganave dhe të tatimeve, të cilët sipas të dhënave, pritet që së shpejti të vihen nën një urdhër-arresti për tu njohur me akuzat që kanë të bëjnë me vjedhje në shumë të mëdha.  

Zbulimi i skandalit 

Drejtoria e Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave hetoi procedurat e rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë Tatimore të Tiranës për periudhën Qershor– Tetor 2013. Nga kontrolli rezultuan shkelje të rënda në procedurat e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, në 11 raste me pasojë vjedhjen në shuma të mëdha, në të cilën janë përfshirë disa persona, punonjës të administratës tatimore rajonale të Tiranës. Shuma e vjedhjes së shkaktuar u konstatua se ishte 515 455 275 lekë dhe në të, sipas hetimeve ishin të përfshirë ish- Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës, ish Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, dy ish-përgjegjës të Sektorit të Kontrollit Tatimor në këtë Drejtori si dhe tre inspektorë kontrolli. 

  Skandali “hodhi” rrënjët te skrapi 

 Ndonëse alarmi u dha nga ministri i Financave në Komisionin e Ekonomisë në të vërtet sinjali për mundësinë e një skandali të tillë në vendin tonë u hodh që në fillim të këtij viti.  Referimi mësohet se është kryer pikërisht mbi zbulimin e ekzistencës së një mashtrimi të tillë të kryer nga subjekte që merreshin me grumbullimin dhe me tregtimin e skrapit. Hetimi disamujor në veprimtarinë abuzive të këtyre subjekteve dhe që në atë kohë u saktësua se mekanizmi i vjedhjes me anë të rimbursimit të TVSH-së mund të rezultonte fatal. Gjithashtu u mësua se ky krim mund të kryhej lehtësisht dhe se autorët e kishin po kaq të lehtë edhe të fshinin të gjitha gjurmët e mashtrimit të tyre. Mirëpo për të kryer këtë krim rrjeti duhej të shtrihej në implikimin në degën e doganave, të tatimeve e deri të Thesari i Shtetit, pavarësisht se referuar të dhënave nga hetimi bëhet me dije se këta të fundit mund të jenë edhe viktimë e këtij mashtrimi ndonëse janë një sërë emrash që po hetohen. Burimet tregojnë se tashmë hapja e një biznesi mund të bëhet brenda ditës dhe është më e thjeshtë edhe për grupet e krimit ekonomik që të depërtojnë në këtë skemë mashtrimi.  Gjithashtu mësohet se po kaq lehtë edhe mund të kryhet mbyllja e biznesit e për pasojë është arritur në përfundimin se kjo skemë mund të jetë vënë në zbatim prej shumë vitesh. Kështu hetimet janë përqendruar te fakti se kjo skemë e TVSH-së është përdorur për abuzime edhe herë të tjera. Është faktuar tashmë puna e Drejtorisë së Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që njoftoi se, pas një hetimi disamujor në subjekte që merren me grumbullimin dhe tregtimin e skrapit, ka mundur të zbulojë një skemë të mashtrimit me TVSH-në nga disa subjekte tregtare, subjekte emrat e të cilëve nuk u bënë të ditura asnjëherë.  Po kështu, asnjëherë më që prej asaj kohe, nuk u fol për këtë skemë vjedhjeje që sot trondit prokurorinë me shifrat e miliona eurove që rezultojnë të grabitura në arkën e shtetit Mekanizmi i grabitjes së milionave, që tronditi shtetin. 

Mekanizmi i grabitjes së milionave, që tronditi shtetin

Drejtoria e Hetimit Tatimor bëri të mundur zbulimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të skemës mashtruese, ku disa subjekte që ushtrojnë këtë lloj veprimtarie (për arsye hetimi nuk jepen emrat e tatimpaguesve) në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ndërtuar skemën mashtruese të kreditimit të TVSH-së.  Dosja me 8 personat e dyshuar ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës 10 ditë më parë. Objekti i hetimit është i qartë: për veprën penale “vjedhje e kryer në bashkëpunim duke shpërdoruar detyrën”, vepër kjo e parashikuar nga neni 135 si dhe nenet 25 dhe 26 të Kodit Penal. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bënë të ditur se për të gjithë personat e kallëzuar ekzistojnë prova të cilat i implikojnë në këtë skandal, ndërsa do të vijojë puna deri në verifikimin e të gjithë dosjeve të rimbursimit të TVSH-së. Të kallëzuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranes për këtë akt janë 8 ish-drejtues dhe inspektorë tatimorë në Drejtorinë Rajonale të Tiranës. Ismail Muça, ish Drejtori Rajonal Tatimor i Tiranës dhe Afërdita Hysi ish- Drejtoresha e Kontrollit Tatimor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë janë dy prej drejtuesve që akuzohen për veprën penale të vjedhjes së kryer duke shpërdorur detyrën.  Gjashtë zyrtarët e tjerë kanë kryer funksione të ndryshme në tatime gjatë periudhës Qershor-Tetor 2013, kohë kur u faktua se ishte kryer vjedhja në vlerën 515 milionë lekë. Ndërkohë që nën hetim janë edhe 11 kompani, të cilat pasi kanë kryer operacionet ekonomike, (personat që dyshohet, janë në listën e prokurorisë tashmë,) i kanë çregjistruar në QKR, duke bërë të mundur edhe zhdukjen e çdo gjurme të ekzistencës së kompanive. 

 Mekanizmi i vjedhjes 

Në emër të një kompanie fiktive në Kinë është sjellë fiktivisht një ngarkesë në Shqipëri, e cila po fiktivisht është zhdoganuar dhe hedhur në treg nga një firmë fantazmë, e regjistuar në QKR për rreth një muaj. “Biznesmeni” shqiptar ka tërhequr mallin nga tregu dhe ka kërkuar nga shteti shqiptar rimbursimin e TVSH-së që nuk e ka paguar kurrë në Drejtorinë e Tatimeve të Tiranës. Nuk ka zgjatur shumë ditë dhe kjo strukturë i ka kthyer shumën e pretenduar firmës fantazmë, e cila menjëherë pasi ka marrë paratë ka pushuar së ekzistuari. Kështu ka funksionuar skema e mashtrimit me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar të cilën kompanitë që sjellin mallra në Shqipëri e paguajnë në momentin që sjellin mallin në vend dhe e grumbullojnë duke shitur këtë mall. TVSH-ja nuk është llogaritur as si humbje dhe as si fitim për kompanitë, ajo është kosto për konsumatorin e fundit të produktit dhe një nga zërat me të ardhura më të larta për buxhetin e shtetit. Përmes kësaj skeme janë falsifikuar dy dokumente tatimorë. E para është pagesa e TVSH-së që nuk është kryer asnjëherë për llogari të shtetit shqiptar dhe e dyta është fatura për rimbursimin e saj. As Prokurorisë dhe as Ministrisë së Financave nuk i është dashur shumë kohë për të zbardhur skemën e mashtrimit, pasi paratë kanë dalë nga Thesari i Shtetit në kohën kur kjo strukturë nxirrte para nga arka, por nuk pasqyronte në faqen zyrtare asnjë lëvizje. Menjëherë pas pasqyrimit të faturave të pagesave nga dega e thesarit, Ministria e Financave pikasi pagesën, jo vetëm për faktin se ishte vlerë e konsiderueshme, por edhe për shkak se kjo strukturë thuajse nuk kishte kryer asnjë rimbursim TVSH je për një kohë relativisht të gjatë.

Dy “pronarët” shqiptarë të 11 kompanive kineze

 Nga hetimet është mësuar se në të vërtet janë dy shqiptarë të cilët rezultojnë të jenë edhe pronarët e 11 firmave fantazmë kineze me anë të të cilave edhe është realizuar vjedhja e bujshme. Dy personat më 10 gusht të këtij viti “kanë blerë” 11 kompanitë kineze duke bërë të mundur edhe regjistrimin e tyre. Mirëpo, hetimi në dokumentacionin e daljes së parave ka bërë të mundur të fiksojë edhe një fakt tjetër, që paratë janë hedhur në një hark kohor prej dy javësh, pra deri me 24 gusht.

Brenda këtyre 14 ditëve është bërë e mundur që të kryhet vjedhja e dokumentuar tashmë nga organi i hetimit, paçka se ende nuk bëhen me dije emrat e dy shqiptarëve që kishin blerë të 11 kompanitë kineze. Dyshimet në lidhje me emrat e dy personave që mundësuan vjedhjen e 515 milion lekëve mësohet se bien pikërisht mbi rrethin e të implikuarve që dyshohet se janë në ish-drejtuesit e lartë të Tatimeve dhe të Doganave


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama