Skandali i naftës virgin mund të konsiderohet tashmë i mbyllur, të paktën në shkallën më të ulët të gjyqësorit, e cila e ka dhënë verdiktin përfundimtar për të akuzuarit kryesorë, ku i dënoi me vetëm disa muaj burg. Ndërsa biznesmenin Hajri Elezaj, së fundmi, e dënoi me 6 muaj burg, duke i hequr këtij të pandehuri disa akuza. Si përfundim, Elezaj u dënua vetëm për falsifikim dokumentesh, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e tjera, si ajo e mashtrimit, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe largimit nga vendi i qëndrimit.
Me këtë vendim, gjykata nuk i ka nxjerrë fajtorë për mashtrimin që i bënë shtetit dhe qytetarëve këta të pandehur, pasi nuk kishte prova, megjithëse denoncuesi i kësaj afere nuk ishte as më shumë e as më pak, por vetë ministri i Ekonomisë, personi që verifikon dhe kontrollon këtë aktivitet. Duke u ndalur te vendimi, gjykata argumenton se të akuzuarit si bashkëpunëtorë të biznesmenit, duhet të shpallen të pafajshëm. Ata janë Bledar Rama dhe Dashamir Kasaj.
Enigma më e madhe e këtij vendimi është se kush e përfitoi shumën prej 160 milionë lekësh që shteti ua rimbursoi këtyre kompanive? Madje, as gjykata nuk i ka dhënë përgjigje, duke i mjaftuar vetëm se aktet e kryera në prokurori janë të pavlefshme. Ndërkohë që kjo gjykatë ka marrë në konsideratë konkluzionet e mbrojtjes, sipas së cilës: vjedhja konsiderohet hedhja në dorë e pasurisë së tjetrit për të mos e kthyer më, me qëllim përfitimi material… Nuk mund të flasim për marrëdhënie besimi apo përdorimi gënjeshtre në raporte mes një personi fizik dhe një institucioni apo organesh shtetërore!
Dhe, arsyetimi vijon se: për pasojë, në rastin konkret, mund të diskutohet vetëm për përgjegjësi civile… Madje në këtë hetim, dhe pse përdoren nga organi i akuzës aktet absolutisht të pavlefshme, nuk bëhet e mundur të provohet të jetë shkaktuar ndonjë dëm ekonomik organeve shtetërore. Në fakt, akuza ka sqaruar se këto kompani janë rimbursuar nga shteti me 16 567 348,58 lekë.
Pretendimet e akuzës
Sipas vendimit të gjykatës, nafta virgin nuk është produkt i gatshëm në tregun shqiptar. Është nënprodukt që del nga rafinimi i naftës bruto. Ky nënprodukt blihet me qëllimin e vetëm për t’u eksportuar jashtë shtetit. Sipas kontratave të ARMO-s, “Euroil” ka blerë sasira të konsiderueshme virgin, me qëllimin e vetëm eksportimin jashtë vendit. Ky mall do të ngarkohej në Ballsh dhe do të transportohej me mjete dhe shpenzimet e blerësit, me autobote, duke magazinuar ngarkesën në magazinat e Vlorës dhe mandej në anije për eksport ose duke e shkarkuar direkt në anije për eksport. Nga këqyrja e praktikave doganore pranë degës së Doganës Vlorë, rezulton se në kundërshtim me sa pasqyrohet në këto deklarata eksporti, sasia e naftës virgin nuk ishte ngarkuar në anijet “Rita S” dhe “Calitea” dhe nuk ka kaluar nga Porti Detar Vlorë.
Rezulton tërësisht e provuar se dy praktikat doganore që i përkasin vitit 2009 përmbajnë dokumente të falsifikuara për sa i përket përmbajtjes, faktit të pasqyruar në këtë dokumentacion të eksportimit të afërsisht 17 mijë tonë virgin naftë jashtë vendit, ndërkohë që kjo sasi nuk është ngarkuar fare në anije, në Portin Detar të Vlorës.
Prokuroria pretendon se mbi bazën e këtij fakti të rremë, i pandehuri Hajri Elezaj ka kërkuar dhe bërë të mundur që të përfitojë rimbursim të TVSH-së në mënyrë të padrejtë. Rezulton se vlera e TVSH-së së zbritshme dhe të rimbursuar “Euroil” për naftën virgin të eksportit të datës 10.02.2009 të kësaj shoqërie është në vlerën 16 567 348,58 lekë.
Sipas akuzës, e gjitha kjo sasi është transportuar me autobote në depozitat e karburantit të ndodhura në Golem, për t’u shitur më pas në tregun e brendshëm.
Drejtuesit e automjeteve, të cilët kanë transportuar naftë virgin të paeksportuar, kanë deklaruar se ata janë dërguar në Ballsh nga shtetasi Iljas Fisheku. Ata kanë kontaktuar me shtetasin Bledar Rama, i cili vepronte për llogari të firmës “Euroil”. Këta shoferë kanë pranuar të kenë kryer transport të naftës virgin nga Ballshi për në depozitat e Golemit. Në depozitat e ndodhura në Golem kanë qenë pikërisht dy punonjësit dhe shtetasit Iljas Fisheku, Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi, të cilët prisnin autobotet me naftën virgin, merreshin me shkarkimin e naftës virgin, si dhe merrnin dokumentacionin e shoqërimit të mallit.
Vendimi u gjykatës
Mashtrimi
Gjykata analizoi edhe veprën penale të mashtrimit të kryer nga i pandehuri Hajri Elezaj dhe kompania e tij “Euroil”. Nga ana e Prokurorisë nuk u paraqit asnjë provë që të provojë faktin që sasia e naftës të pasqyruara në dy deklaratat doganore ta kenë shitur në ndonjë pikë karburanti në Shqipëri. Pafajësi.
Pastrimi i parave
Në rastin konkret nuk mund të kemi të bëjmë me produkte të veprës penale ndër të tjera, pasi, siç argumentuam, nuk provohet që i pandehuri Hajri Elezaj dhe “Euroil” sh.a. të jenë përgjegjës për veprën penale të mashtrimit. Për të provuar këtë element të veprës penale, prokuroria rezulton se është bazuar vetëm me dyshime, të dhëna të përgjithshme dhe jo mbi bazën e provave të marra gjatë hetimeve. Pafajësi.
Falsifikimi
Rezulton se i pandehuri Hajri Elezaj ka falsifikuar disa praktika doganore. Falsifikimi qëndron në përmbajtjen e tyre, ku thuhet se sasia e naftës për eksportin e datës 10.02.2009 për sasinë 2625.9 tonë dhe i datës 28.02.2009 për sasinë 14583679 tonë nuk pasqyron të vërtetën mbi destinacionin e kësaj sasie nafte. Nga akti i ekspertimit rezulton se këto deklarata janë firmosur për shoqërinë “Euroil” nga i pandehuri Hajri Elezaj. Fajësi, dënohet me 6 muaj burg.
Arratisja
Gjatë kohës që i pandehuri ishte në arrest në burg në kushte spitalore, më pas në arrest shtëpie, në asnjë rast ai nuk është larguar nga vendi i qëndrimit. Në ditën që është ndryshuar vendimi nga Gjykata e Apelit, duke u caktuar arresti në burg, nuk është bërë e mundur ekzekutimi i këtij vendimi. Për hir të së vërtetës, i pandehuri Hajri Elezaj ishte atë ditë dhe dy ditë më pas i shtruar në spital, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Është e vërtetë që i pandehuri Hajri Elezaj nuk është gjendur në banesën e tij, por pretendon se ka qenë i shtruar në spital. Pafajësi.
16 567 348 lekë
Është vlera e TVSH-së e zbritshme dhe e rimbursueshme kompanisë “Euroil” për naftën virgin të eksportit
2 991 780 lekë
Janë shpenzimet procedurale të parapaguara nga shteti në fazën e hetimeve paraprake dhe ato të gjykimit që do t’i ngarkohen të pandehurit Hajri Elezaj
DËNIMET E FUNDIT
Hajri Elezaj, 6 muaj burg
Bledar Rama, pafajësi
DËNIMET E MUAJIT MAJ
Pronarët (falsifikim)
Iljas Fisheku, 10 muaj e 20 ditë burg
Edmond Ferraj, 1 vit e 4 muaj burg
Transportuesit (dëshmi e rreme)
Arian Daci, i pafajshëm
Fadil Abdurramani, 3 muaj burg
Flamur Merkaj, 3 muaj burg
Gazmend Serjanaj, 3 muaj burg
Genci Prençe, 3 muaj burg
Kadri Hajredini, 3 muaj burg
Reshat Aleksi, 3 muaj burg
Vladimir Koteci, 3 muaj burg
Nikollaq Llozi, 3 muaj burg
Fatmir Kaja, 3 muaj burg