Programi është i ngjashëm me makthin e Xhorxh Oruell (Romani 1984) dhe sigurisht të gjithë ne jemi të përgjuar. Një hartë e botës tregon edhe sasinë e të dhënave që vilet nga secili vend, në varësi të shkallës që ai vend është i rëndësishëm apo i frikshëm. (Vetë shtetasit amerikanë janë në listën e më të përgjuarve, edhe pse ndiqen më pak se iranianët.) Ngjyrat që tregojnë këtë shkallë, sipas gazetës britanike vijojnë nga jeshilja e hapur, që tregon më pak të përgjuarit deri te e kuqja (ku ndodhen Irani dhe disa vende të tjera) që tregojnë se përgjimi dhe marrja e të dhënave është më intensive. Shqipëria në hartë shënohet me një ngjyrë të gjelbër, që tregon se jemi mesatarisht të survejuar.
Edward Snowden, 29 vjeç, ish-punonjës teknik në CIA dhe aktualisht i punësuar pranë kontraktorit në fushën e mbrojtjes, Booz Allen Hamilton, është njeriu që vendosi të publikonte skandalin dhe njëkohësisht u vetëdeklarua duke shpresuar se prej kësaj mund të fitonte njëfarë mbrojtjeje dhe duke e ditur se ata të cilët kishte kundërshtuar mund ta kapnin në çdo kohë që do të donin. “E di që nuk do ta shoh më shtëpinë”, ka thënë ai ndërsa tregon se i druhet një rrëmbimi dhe më pas burgut përjetë apo edhe dënimit me vdekje. I pyetur se përse e bëri këtë rrëfim, 29- vjeçari thotë: “Nuk dua të jetoj në një botë ku gjithçka bëj dhe gjithçka them, regjistrohet”. Sipas tij, NSA mbledh thuajse gjithçka nga serverët e kompanive më të mëdha, apo thyen çdo kod.
Ndërsa shpjegon atë që mund të bëjë “Prism” apo siç e quajnë ndryshe ‘informacion pa kufij’, shpërthyesi i skandalit thotë se përmes saj, ai mund të mësojë gjithë komunikimet që bën një person. “Nëse unë dua të di se për çfarë të ka telefonuar gruaja, apo e-mailet dhe mesazhet që ke shkëmbyer, apo password-et që përdor dhe kodet e kartave të tua të kreditit… unë mund t’i merrja përmes programit”, ka treguar ai për The Guardian. Ajo që e bën më të rëndë situatën është fakti se drejtues të NSA-së kanë gënjyer për mundësitë e tyre të përgjimit në senatin e SHBA. Të pyetur nga senatorët nëse mund të bënin identifikimin e dikujt që fliste në telefon pa përdorur mjete të tjera, ata kishin thënë që nuk mund ta bënin.
The Guardian thotë se ka marrë nga informatori dokumente top-sekret mbi të ashtuquajturin mjet për nxjerrjen e të dhënave (datamining tool), të quajtur edhe (Boundless Informant) ‘informator pa kufij’. Dokumentet sipas gazetës tregojnë detaje për miliarda informacione të marra sipas vendeve nga kompjuterat apo nga rrjetet telefonike. Fokusi i kësaj forme nuk ka të bëjë në fakt me brendinë e informacionit që marrin. Sigurisht ata nuk mund të lexojnë gjithçka që shkruani ju, por mbledhin metadata (të dhëna për përdoruesin, kohën, vendin e të tjera) prej nga dërgohet mesazhi. Sipas informatorit, nëse ata do të donin të gjenin se jeni ju pas një mesazhi të caktuar, ata menjëherë do ta mësonin këtë. Informatori gjithashtu ka hedhur poshtë faktin se kjo bëhet për të luftuar terrorizmit; ai thotë se dy atentatorët e Bostonit nuk u zbuluan prej grumbulluesit të informacioneve, por prej një pune të mirë policore në terren.
Ndërkohë në SHBA, kjo çështje i është referuar Departamentit të Drejtësisë si një çështje kriminale, njofton BBC. The Guardian shkruan se Snowden ka fluturuar në Hong Kong më 20 maj, ku gjendet në një hotel, edhe pse ai vetë e di se nuk mund të fshihet dhe se shpreson të mund të fitojë azil. Në gazetën britanike “The Guardian” ai përmendi Islandën si një vend të mundshëm për të kërkuar azil. Në shtetin ishull në Atlantikun Verior, liria e shtypit dhe e mendimit janë të mbrojtura në mënyrë të veçantë. Guardian ka deklaruar se Snowden është burimi për artikujt e tyre rreth programit të përgjimit PRISM, me të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) në SHBA ndërhyn direkt në serverët e firmave të mëdha të internetit si Google dhe mund të përgjojë përdorues në të gjithë botën.
Qeveria amerikane e ka mbrojtur programin dhe ka deklaruar se ai është i nevojshëm për mbrojtjen e sigurisë kombëtare në luftën kundër terrorizmit. Kongresmeni republikan Peter King kërkoi që ndaj Snowden të hapet një procedurë penale “me të gjithë ashpërsinë, që parashikon ligji.” Zyra e Koordinatorit Kombëtar të Shërbimit Sekret, James Clapper, bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka filluar marrjen e masave. Aktualisht nga shërbimet sekrete po hetohen përmasat e dëmit, që është shkaktuar nga zbulimet e Snowden.
Shtëpia e Bardhë është shprehur se është e hapur të debatojë mbi përgjimet dhe aksesin që kanë shërbimet sekrete në të dhënat personale të amerikanëve apo të kujtdo në botë, por nga ana tjetër vijon të hapë çështje penale për personat që informojnë shtypin në lidhje me sekretet që prej mjaft njerëzve shihen si shkelje të lirive. Shërbimet sekrete amerikane u përfshinë vetëm pak kohë më parë në një skandal të përgjimit të reporterëve të agjencisë së lajmeve AP, që ndiqeshin për të parandaluar rrjedhje të tjera të informacionit sekret. Ndërkohë, ajo që deri pak kohë mund të shihej si një teori konspiracioni, është tashmë e provuar. Sigurisht, ata dhe ndoshta jo vetëm ata mund ta dinë se çfarë bëjmë, me kë flasim dhe si jetojmë. Ata janë duke na vëzhguar.