Mes studentëve që duan të përfitojnë “batjava” studimet e larta, ka edhe nga ata të cilët kanë arritur rezultate të larta. Në një kohë kur anëtarët e Komisionit të Arsimit kërkojnë transparencë lidhur me produktin që ofrohet sot në sistemin privat dhe në një çast kur kontrollet dhe inspektimet e Ministrisë së Arsimit kanë arritur “pikun”, gazeta “Shqip” çel një debat ku ftohen të marrin pjesë ekspertë, profesorë e specialistë të arsimit të lartë dhe të kontribuojnë me përqasjet dhe opinionet e tyre mbi dhënien e diplomave në Institucionet e Arsimit të Lartë Privat. Në ditën e parë të çeljes së këtij debati, një ekspert i pavarur, i cili për shkak të statusit të tij, si lektor në disa universitete kërkon të mbetet pa cituar, jep opinionin si ekspert dhe njohës i thellë i institucioneve të arsimit publik dhe privat në vend.
A janë të gjithë studentët e privatëve si Bossi, a do të jenë të aftë ata të kualifikohen në tregun e punës, a do të jenë me “njollë” në diplomë ata të cilët studiojnë në institucione që janë kapur apo do të kapen me shkelje e parregullsi?
Familjet shqiptare të etura për t’u ofruar fëmijëve dije, për t’u siguruar të ardhmen, po bëjnë gabime që kursimet i shpenzojnë për të blerë diploma apo kanë faj sepse nuk mendojnë në mënyrë kritike: “Jo të gjithë mund të jenë me shkollë të lartë, sot Shqipëria ka nevojë edhe për teknikë, për punë profesionale që i mungojnë tregut, por edhe do të sillnin më shumë përfitime”.