Në bazë të analizave dhe zbulimeve të fundit, mund të dyshohet seriozisht se pandemia e AIDS-it nuk është përhapur nga ‘punëtorët e seksit’ (prostitutat) dhe përdoruesit e drogës, por nga mjekët në gjysmën e parë të shekullit XX, të cilët përkundër asaj se kishin qëllim të mirë, e kishin bërë këtë me anë të përdorimit të gjilpërave të ndotura.
Edhe pse sot, më shumë se 90 vjet pas paraqitjes së virusit shkaktar të AIDS-it (virusit HIV), është vështirë të thuhet me saktësi se çka ndodhi, dy studime të reja bëjnë të dyshohet se kampanjat për çrrënjosjen e sëmundjeve tropikale në Afrikë, mund ta kenë ndihmuar virusin HIV që të bëhej i aftë për t’i sulmuar njerëzit.
"Ky është një shembull i asaj kur qëllimet e mira sjellin dëme katastrofale", thotë Dr. Thomas Strickland, ekspert i sëmundjeve infektive nga Univesiteti i Baltimorit në Merilend.
"Ata mjekë shpëtonin jetë. Ata thjeshtë nuk e dinin se, në anën tjetër, po ashtu ishin duke krijuar bazat për pandeminë e virusit HIV".
Virusi kaloi nga majmunët te njeriu – duke u shndërruar nga virusi SIV në atë HIV – gjë që ndodhi në fillim të viteve 1920 në Afrikë. Ajo që nuk kuptohet edhe sot e kësaj dite, është se si arriti një infeksion i një numri të vogël individësh, në një zonë ‘të humbur’ në Afrikë, të përhapet në më shumë se 33 milionë njerëz në mbarë botën, sa është numri i të prekurve nga AIDS-i sot, duke mbytur 2 milionë njerëz.
Për një kohë të gjatë dihet se, gjilpërat që përdoreshin për dhënien e barnave intravenoze, përdoreshin më shumë se një herë. Sterilizimi i tyre nuk ishte adekuat. Sido që të jetë, del se edhe një herë njeriu dëshmohet si armiku më i madh i vetvetes, me apo pa qëllim, ndoshta edhe nuk ka aq rëndësi të madhe.