Skaneri i zgjedhjeve Kush fiton ne 8 maj

Skaneri i zgjedhjeve: Kush fiton ne 8 maj
Tre gazetarët e njohur Blendi Fevziu, Sokol Balla dhe Alfred Peza analizojnë fushatën elektoral të zgjedhjeve vendore. Sfidat, pikëpyetjet dhe nyjet e pazgjidhura të një përballjeje të ashpër politike.

Sokol Balla: 21 janari s’prodhon vota për qeverinë, përkundrazi...

Si e gjykoni kandidimin e Edi Ramës? A është më shumë një akt politik me impakt kombëtar, apo vijon të jetë një angazhim më shumë qytetar dhe një obligim ndaj të shkuarës së tij si kryebashkiak?

Nuk ka asnjë dyshim se vendimi i Ramës për të qëndruar si kryetar bashkie i Tiranës është kryesisht politik, por sigurisht që është i bazuar edhe në veprimtarinë e tij dhjetë vjeçare, veprimtari e cila duhet thënë se megjithëse ka regjistruar arritje apo mosarritje, ka një vlerësim që duhet theksuar: në dhjetë vjet si kryetar bashkie, Rama nuk ka regjistruar asnjë dështim fatal apo skandal, të barazvlershëm, apo të krahasueshëm me Gërdecin, tregtinë e armëve, Pangon, video-skandalin e Metës. Akuza disa vjeçare ndaj tij si Mister 20 përqindëshi, mori përgjigje ligjore në një rast tipik këtë vit, nga prokuroria, e cila e mbylli përfundimisht si dosje.

Nisur nga kjo bazë minimaliste e analizës, ku na ka vënë në fakt ecuria 6 vjeçare e qeverisë qëndrore, plus meritën e padiskutueshme të Ramës në kthimin e Tiranës nga një shurrtore gjigande, në një metropol shumëngjyrësh, megjithëse pak kaotik e sigurisht me difekte që duhet të marrin përgjigje afatgjatë, si trafiku, parkingjet, argëtimi dhe gjelbërimi, mendoj se mandati i katërt i Ramës si qytetari i parë i kryeqytetit, për aq sa do të zgjasë, do të kërkojë jo thjesht zhvillimin e projektit të tij, por edhe korigjim.

Korrigjim i cili kërkon në fakt një vullnet politik. Një vullnet politik do të thotë vendimmarrje. Për Tiranën kjo do të thotë vendimmarrje edhe në Këshillin Bashkiak, ndaj edhe deklarimi astut i Ramës në Top Story të enjten, ishte jo për fitoren e tij, por për kontroll politik në këtë Këshill. Cka nënkupton votë kundër LSI. Dhe këtu hyn dimensioni politik i kandidimit të Ramës.

Këto zgjedhje për PS kanë dy synime: i pari është afatgjatë, rezistencë deri në zgjedhjet e reja ndaj PD dhe Berishës dhe këtu s’ka supriza. I dyti në dukje afatshkurtër: testimi i limiteve të LSI, faktorit që mbajti PS në opozitë dhe Berishën në pushtet. 12 përqindëshi i LSI në 2007 në Tiranë, ka përballë 6 përqindëshin e 2009. Cila nga dy shifrat është reale, sidomos pas skandalit Meta-Prifti? Nëse PS dhe PD luajnë për vendin e parë e të dytë në çdo skenar, për LSI 8 maji është egzistencial: ajo të paktën teorikisht rrezikon të shkojë nga vendi i tretë, drejt vendit zero, ose reduktimit të saj në nivelin e të gjithë partive të tjera të vogla, që në zgjedhje shkojnë ose mezi shkojnë tek niveli 4 %. Por në Tiranë edhe ky 4 % mund të rezultojë jetik për rezultatin final të 8 majit. E thënë ndryshe kundërshtarët e Metës mendojnë se ndryshe nga 40 mijë votat e pretenduara prej tij, ai nuk duhet të marrë më shumë se 4 mijë. Por meqë këto shifra ngjallin reminishencën e 4 mandateve të marra në 2009, nga 40 të pretenduara, duket se aksioni politik i PS dhe opozitës është që në cdo rast, votat e LSI të mos rezultojnë “të arta”. Me një fjalë, të mos vendosin peshoren e votave në Këshill bashkiak.

Sa i përket ndikimit kombëtar të kandidimit të Ramës në Tiranë, për këtë është folur shumë. Thjesht dua ta përmbledh në pak fjalë: Tashmë opozita ka vënë hipotekën e vetme dhe më të sigurt të saj në tetë maj. Tashmë çdo deputet, kandidat bashkie, komune a komisioner, s’mund të akuzojnë kryetarin e tyre për dobësi, si dhe u duhet të maksimalizojnë përpjekjet për të marrë vota e ruajtur ato, ndryshe nuk do të falen më nga mekanizmi electoral i PS. Ndërsa kundërshtarëve do t’u duhet të harxhojnë shumë energji në Tiranë, duke shpresuar kështu të lënë më “qetë” njerëzit të votojnë në provinca. Tashmë procesi i manipulimit në Tiranë do të jetë më i vështirë, nisur edhe nga mobilizimi i strukturave të PS si edhe të monitorimit të dukshëm dhe të padukshëm të ndërkombëtarëve...

A ka ndryshuar diçka në strategjinë elektorale të opozitës, krahasuar më zgjedhjet e fundit? Ku i shihni ngjashmëritë dhe ndryshimet?

PS dhe koalicioni është zgjeruar. Lënia jashtë e PBDNJ është taktike. Marrëveshja siguron bashkëpunim edhe jashtë kornizës së koalicionit, ndërsa përballja në Himarë është më shumë taktike se politike. Kandidati i PS nuk arrin të mundë Bollanon, por siguron një divorc publik politikat e tij kontraverse locale, çka në këtë kohë nacionalizmi të rigjetur, mund t’I sjellë impakt pozitiv në rang kombëtar. Strategjia kombëtare politike është më e radikalizuar, por më e saktë. Ka vetëm një fajtor: Saliu. Saliu ishte edhe në 2009, por Rama atëherë ishte në kërkim të titullit të kampionit olimpik të paqes, sesa në kërkim të pushtetit. Sot është ndryshe. Rama po vendos në vend dinjitetin e opozitës, edhe pse shumë nga ne do të donin që metodat të ishin më pak radikale, por kuvendi bëhet sipas vendit. Këtë ofron dhe kërkon Saliu. Opozita është thjeshtë reciprokisht reaguese.

Kjo vlen edhe për përgatitjen për zgjedhjet. Nëse në 2009 Rama shpresoi sinqerisht se Saliu dhe komisionerët do të firmosnin humbjen e tij dhe rotacionin e qetë, tashmë ai po kërkon që ta imponojë këtë me forcën dhe kërcënimin e protestave dhe me garancitë përmes ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve. Dhe këtu po e ndihmon strategjia e Saliut “Fol me murin”, që vazhdon prej 28 qershorit 2009. Kryeministri duke refuzuar çdo kërkesë të ndërkombëtarëve për të lëshuar diçka ndaj opozitës, po i jep asaj në fakt kartën më të fortë: atë të kontestimit të ditës së zgjedhjeve. Nëse opozita futet pa asnjë garanci në këto zgjedhje, pasi ka konsumuar gjithë vullnetin e saj për të lëshuar sa herë që ia kanë kërkuar ndërkombëtarët, në fakt ka fituar të drejtën të klithë faull në tetë maj. Dhe ka shumë gjasë që ta besojnë të gjithë.

Dora e fortë me këllqe të dobëta e PD këto 2 vjet, në fakt është arsyeja kryesore e forcimit dhe e radikalizimit të opozitës, mbështetësve të saj dhe atyre që deri dje e shihnin paqen bashkëpunuese të Ramës, si pazare që ai bënte me Berishën. Kjo ka bërë që kauza e opozitës të ketë më shumë frymë dhe entuziasëm sesa kishte në vitin 2009, kur edhe zyrtarisht Berisha nuk arriti më shumë se barazim. Dy vjet, shumë skandale, e disa të vrarë më pas, zorr se kjo strategji e Berishës që forcoi opozitën, mund të prodhojë paralelisht më shumë vota edhe për qeverinë.

Në zgjedhjet e 28 qershorit LSI, ashtu si në vitin 2005, pati një rol përcaktues. Si e shihni peshën e saj politike në këto votime?

Në rënie. LSI ka kërkuar nga Berisha më shumë sesa mund të mbajë dhe ndërsa mund të pretendonte vetëm një gjë që sigurisht do ta fitonte, Durrësin me Ter Kokën. Te të tjerat, rrezikon humbjen e gjithë koalicionit, këtu ndoshta duke përjashtuar Tiranën ku rezultati i saj pritet me interes. Vetëm një naiv mund të shpresojë bymimin e LSI pas pazarit me Berishën në 2009 dhe “videopazarit” në 2011.

Çfarë do të sillte një fitore tjetër e opozitës në zgjedhjet lokale, për ecurinë e krizës politike në vend? Po një fitore e Berishës, çfarë efektesh do të prodhonte në rrafsh kombëtar?

Një fitore e opozitës në vetvete do të përbënte një normalitet për të gjithë, dhe për vendin. Sigurisht dhe për Berishën i cili duhet të mësohet se për gabimet paguan, dhe se pushtetin nuk mund ta ketë për gjithë jetën e tij biologjike. Fitorja e opozitës do të ishte fillimi i zgjidhjes së krizës dhe zbatimin të disa skenareve, ku zgjedhjet e parakohshme do të ishin vetëm një, prej tyre. Të tjerat do të ishin bashkëqeverisja e reformave deri në 2013 ose qeveri teknike me mbështetje të përbashkët deri në zgjedhje të reja në 2012.

Nëse do të deklaroheshit sot për fituesin e zgjedhjeve të 8 majit, cila do të ishte përgjigja?

Në vitin 2009 i vetmi deklarimi parashikues i imi ka qënë se PD do ta ketë vështirë të marrë një mandat të dytë. Dhe ashtu doli. Kësaj radhe po bëj një parashikim tjetër: që PD do të ketë vështirë të mbajë deri në fund një mandat të dytë, në kontekstin e pas tetë majit, sido që ai të shkojë. Por vetëm një i çmendur mund të besojë se vrasja e 4 demonstruesve mund të prodhojë vota për qeverinë. Nëse ndodh – pa skenar vjedhjesh – atëherë të gjithë kemi gabuar atdhe e duhet të nisemi prej andej nga kemi dalë.


Blendi Fevziu: S’kam dyshuar kurrë në kandidimin e Ramës dhe Bashës

A mendoni se ndodhemi përballë një fushate që po vonon të fillojë apo është thjesht një iluzion optik, për shkak se kemi qenë prej kohësh në një situatë prej fushate elektorale të padeklaruar?

Nuk besoj se është as njëra dhe as tjetra. Nga njohja që unë kam për fushatat elektorale lokale në këto 20 vjet, ndodh gjithnjë kështu. Angazhimi është më shumë poshtë dhe i shtrirë në gjithë territorin dhe nuk përqendrohet kryesisht në Tiranë, siç ndodh me zgjedhjet e përgjithshme. Programet ndërtohen sipas nevojave dhe interesave të zonave e qyteteve dhe nuk ka një program kombëtar. Dhe mbi të gjitha, liderët nuk kanë ndikimin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe pesha shpërndahet tek disa dhjetëra kandidatë që konkurrojnë në terren. Në këtë kontekst, as jemi vonë dhe as herët. Jemi po në atë terren politik shqiptar, ku konsumohen shumë llafe, luhen shumë lojëra, ku ndryshon forma, por përmbajtja është po ajo.

Palët po shkojnë drejt zgjedhjeve, pa u ulur deri tani në një tryezë negociatash për rregullat e lojës, siç ka ndodhur rëndom para zgjedhjeve. Për më tepër, kjo ndodh pasi janë harxhuar dy vjet debat politik, pikërisht për transparencën e zgjedhjeve. A ka një paradoks në këtë mes?

Nuk besoj se ka një paradoks, por një pamundësi të palëve për të prodhuar diçka më të mirë sesa ajo që kanë prodhuar në vitin 2008. Plus besoj se opozita llogariti vitin e fundit dhe në mënyrë të veçantë pas ngjarjeve të 21 Janarit që të ngrinte si strategji të saj shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Nuk besoj se kjo bëhej për të përmirësuar rregullat e lojës, sepse me vullnet kjo bëhej në më pak se një javë (Në prill 2008 PD dhe PS kanë ndryshuar kushtetutën dhe kanë ndërtuar një kod zgjedhor për 12 ditë); besoj se kjo ishte një strategji force për të treguar superioritet ndaj kundërshtarit në një fushë përballje mirëfilli politike. Një lloj strategjie që i dha rezultat Ramës në zgjedhjet e shkurtit 2007. Duke ngritur problemin e kohës së zgjedhjeve dhe problematikën e tyre me forcë, duke kërcënuar se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin ose do të zhvilloheshin pa opozitën, kjo e fundit besoi se do të spostonte komunitetin ndërkombëtar nga vetja, tek gjetja e një zgjidhjeje me mazhorancën. Ideja që zgjedhjet duhet të shtyhen, qoftë edhe një javë, mesa duket u perceptuan si instrument i luftës politike dhe komuniteti ndërkombëtar sqaroi me venmdosmëri se zgjedhjet duhet të zhvillohen në datën e dekretuar nga Presidenti Topi që në vjeshtë. Kështu, palët do të hyjnë me këtë kod, që si edhe kodet e tjerë, është një kod konsensual, i miratuar me votat e PD dhe PS.

Opozita dhe një pjesë e medias kritike ndaj qeverisë, sheh tek qëndrimi i ndërkombëtarëve, një lojë të kamufluar për të ruajtur statu quo-në politike në vend. Sa përkon me të vërtetën, sipas jush, kjo tezë?

Unë nuk di deri më sot ndonjë forcë politike që të pranojë kritikat e ndërkombëtarëve. Kur deklaratat e tyre iu vijnë për mbarë, i konsiderojnë tejet të rëndësishme; kur nuk iu pëlqejnë, i konsiderojnë të njëanshme, në favor të stabilitetit, të imponuara nga interesa ekonomike apo plot si këto. Personalisht, jam kundër konsiderimit të ndërkombëtarëve si një faktor jetik dhe përcaktues, sepse pas 20 vitesh demokraci, besoj dhe mendoj se ne mund të marrim edhe vetë vendime me peshë dhe mund t’i zgjidhim edhe vetë mosmarrëveshjet. Por në përgjithësi, duke hequr disa doza subjektive, ndërkombëtarët janë realistë dhe i shohin zhvillimet me një sy më të ftohtë dhe më të paanshëm sesa ne.

Meqenëse më hapët këtë temë, po ju marr një shembull. Për tri javë më radhë, ju mëshua me forcë faktit që Shqipëria është si Egjipti, Libia apo Tunizia. Ne të gjithë e dimë që kjo s’është e vërtetë, madje është marrëzi. SHBA ka investuar shumë që Shqipëria (padyshim edhe Kosova) të shkëputet nga e shkuara e saj e izolimit dhe diktaturës për t’u bërë pjesë e BE-së. Tani, i duhet të dëgjojë, nga vetë shqiptarët, se ka prodhuar një Libi të ngjashme me atë të Gedafit!! Kur disa zyrtarë të lartë amerikanë thanë që Shqipëria nuk është as Tunizia dhe as Libia, dëgjova komente se ata nuk janë realistë dhe e bëjnë këtë për hir të stabilitetit.
E para, stabiliteti nuk mbahet me forcë dhe këtë perëndimi e di mirë. E ka marrë si mësim që më 1997-ën. E dyta, ne nuk jemi Libi dhe kush tenton të na shesë për të tillë, gabon. Madje duhet t’ia themi ne dhe jo zyrtarët amerikanë që kjo s’është e vërtetë.

Edi Rama po luan edhe një herë me kartën e fshehjes së lëvizjeve të tij, si në rastin e kandidimit të tij, ashtu edhe në atë të kandidatëve të tjerë, komisionerëve, etj. A i jep kjo taktikë ndonjë avantazh mbi kundërshtarin?

Nëse Rama po e bën, them se ai mendon që i jep rezultat. Personalisht s’kam pasur ndonjë dilemë që Rama kandidon. Ashtu siç kam besuar se edhe Basha ishte i përzgjedhur që një vit më parë.

Nëse do t’ju duhej të jepnit sot një përgjigje, cili do të ishte sipas jush fituesi i këtyre zgjedhjeve?

Nuk besoj se unë jam Orakulli i Delfit. Nëse gazetarët do të arrinin të parashikonin zgjedhjet, atëherë s’kishte fare nevojë që ato të bëheshin, mjafton të na pyesnin ne.

Por unë them diçka tjetër. Ka shumë mënyra se si mund t’i lexosh zgjedhjet lokale dhe në shumicën e rasteve (me përjashtim të atyre ekstreme), të dyja partitë ndihen fituese në zgjedhjet lokale. Në fakt kush quhet fitore në zgjedhjet lokale: vota popullore për këshilltarët, që jepet për forcën politike? Numri i qarqeve? Vota e Tiranës që është kryeqyteti dhe padyshim tërheq maksimumin e vëmendjes? Vota e bashkive të mëdha? Vota e komunave? Meqenëse mundësia që një koalicion t’i ketë në anën e tij gjithë këta tregues, lë gjithnjë mundësinë për interpretime dhe shikime të dyanshme. Por nuk besoj se kjo ka shumë rëndësi. Ka rëndësi që zgjedhjet të zhvillohen normalisht dhe që shqiptarët të dalin nga qerthulli i dyshimit dhe kontestimit të zgjedhjeve.

Alfred Peza: Dy enigma, rregullat e lojës dhe arbitri ndërkombëtar

Sa të rrezikuara janë, sipas jush, zgjedhjet e 8 majit nga manipulimet e mundshme?

Kur kanë mbetur ende edhe 6 javë nga dita e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme lokale, është e pamundur të dish, sesa realisht të rrezikuara janë standardet e këtij procesi, nga manipulimet e mundshme. Por, ajo që mund të thuhet me saktësi që tani, është se edhe në këto zgjedhje, nuk u arrit që të evitoheshin tensionet elektorale, përqasja negative dhe e pasinqertë drejt arritjes së standardeve të demokracive perëndimore. Gjithashtu, duket se më 8 maj do mungojnë rregullat e qarta të lojës, infrastruktura e përsosur zgjedhore dhe klima politike normale. Kjo do t’i shtonte një tjetër dozë të errët, atmosferës politike të 2 viteve të fundit, rënduar nga kriza e pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, për shkak të mungesës së dialogut dhe besimit mes mazhorancës e opozitës.

Si të mos mjaftonin të gjitha këto, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë “publiku” shqiptar ka filluar të shohë me dyshim edhe paanshmërinë e “arbitrit” ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, enigmës për numërimin e saktë të votës, i shtohet edhe dilema për cilësinë e “raportit të vëzhguesit” të ndeshjes, në përfundim të saj. Nëse këto hamendje vërtetohen, atëherë mund të ndodhë që të kemi mall, për shprehjen e mërzitshme që na shoqëroi pas zgjedhjeve në këto 20 vjet: “Ky proces ishte një hap përpara në raport me zgjedhjet e shkuara, por…”.

Pas ngjarjeve të 21 janarit, kandidatura e Lulëzim Bashës për Tiranën, ka marrë një plasaritje jo të vogël. Sa do të ndikonte në fushatën e tij elektorale kjo ngjarje?
Prej 2 muajsh, Lulëzim Basha i është shmangur në mënyrë sistematike shpjegimit publik të pozicionit dhe përgjegjësive të tij si ministër i Brendshëm, për ngjarjet e 21 janarit. Nuk e ka bërë këtë gjë, as në media, as në ndonjë konferencë shtypi a takim publik dhe as në Parlament. Nëse do kishte zgjedhur ta bënte, duhej ta kishte hedhur këtë hap, sapo tymi i trazirave të largohej nga kangjellat e Kryeministrisë.

Nga pikëpamja e marrëdhënieve publike, kjo do t’ia kishte lehtësuar shumë barrën. Sepse ai tashmë do të kishte një alibi dhe në të tilla raste, sinqeriteti apo guximi, shpërblehen. Por me sa duket, Basha do vazhdojë të shmanget për ta bërë këtë deri më 8 maj. Mbetet për t’u parë, nëse kjo strategji do ta dëmtojë apo do ta ndihmojë atë në garën përballë Edi Ramës. Por, ka 2 elementë që duhen llogaritur në këtë lojë. Mësimi i parë, i vjen nga “armiku” i tij politik, ish- ministri i Brendshëm i 1991,Gramoz Ruçi. Më 2 prill, kur u vranë 4 persona gjatë trazirave në Shkodër, ai ndodhej në Tiranë, në mbledhjen e këshillit Presidencial. Atë botë nuk kishte as celularë, as internet e as radio të komunikimit në distancë.

E megjithatë, me të drejtë, prej 20 vjetësh Ruçi “e mban mbi kurriz” këtë ngjarje e cila ndoshta do ta shoqërojë derisa të dalë nga politika. Mësimi i dytë, i vjen nga “ati” i tij politik. Në rast se përgjegjësitë qeveritare për vrasjen e 4 personave më 21 janar “i merr përsipër” shefi i tij Berisha, atëherë Basha rrezikon që të mbetet nën hijen e tij, edhe në garën për kreun e Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht nga strategjia që do ndjekë në fushatën elektorale, në këtë mënyrë, Basha rrezikon që të mos votohet si menaxher i ardhshëm i kryeqytetit, por si investim politik i Berishës. Në të dyja rastet, llogaritë duket të jenë bërë gabim. Por, gjithnjë në të tilla raste, ka pasur edhe një rrugë të tretë. Strategët e Obamës që i janë bashkuar tashmë stafit elektoral të Lulëzim Bashës, mbase e kanë bërë gati tashmë “A”-sin nën mëngë. Të presim...

Cila duket më logjike në këto zgjedhje, konsiderata e opozitës se gjithçka shkon keq, apo ajo e pozitës, se gjithçka shkon mirë? Ku qëndron e vërteta në këto dy vizione për rrugën nëpër të cilën po shkel vendi?

Në situata polarizimesh të forta, kur dyja palët janë qartazi të ndarë nga njëra- tjetra, e vërteta qëndron diku në mes të qëndrimeve “bardh e zi”. Ajo që mund të thuhet me siguri, është se, as opozita nuk ka të drejtë se “gjithçka shkon keq”, por as mazhoranca kur thotë se, “gjithçka shkon mirë”. Përmirësimi në vazhdimësi i sistemit dhe i rregullave të lojës, kompromiset e mëdha të elitës së vendit dhe real-politika, janë disa nga rrugët kryesore nëpër të cilat kanë kaluar të gjitha demokracitë funksionale. Fatkeqësisht, politika është bërë biznesi më i madh dhe më i sigurt në këtë vend. Vetë klasa e biznesit, media dhe elita shoqërore e vendit, nuk po arrijnë që të imponohen. Rrugët e mundësitë për të ndryshuar këtë realitet nëpërmjet presionit pozitiv mbi politikën, janë. Lajm i mirë është se disa nga institucionet kryesore kushtetuese të vendit, i kanë rezistuar “kapjes” nga mazhorancat. Por, me këtë shpejtësi, ndoshta do të duhen edhe 20 vjet të tjera, derisa të arrijmë që të shndërrohemi në një demokraci normale. Me sa duket, rreth 40 vjet, janë ciklet e ndryshimeve të mëdha në historinë e Shqipërisë.

A është një kandidim i sforcuar ky i Edi Ramës, për të katërtën herë në bashkinë e kryeqytetit, apo është e vetmja gjë që ai mund të bënte?

Kandidimi i Edi Ramës, për herë të katërt, për Kreun e Bashkisë së Tiranës, nuk është as i sforcuar dhe as e vetmja gjë që ai mund të bënte. Sepse, më shumë se kaq, kandidimi i tij, është i vetmi stacion ku mund të çonte modeli që ai vetë “shpiku” për të bërë karrierë deri në majën e politikës shqiptare. Një model që e bënë atë të “pushtonte” dhe të vazhdojë të jetë në krye të PS në opozitë, nëpërmjet menaxhimit të interesave që burojnë dhe rrjedhin nga godina e Bashkisë së kryeqytetit.

Nëse ai realisht do ishte i interesuar për një tjetër kandidat për menaxher të Tiranës, do kishte filluar të paktën një apo dy vjet përpara, që të përzgjidhte një apo më shumë kandidatë potencialë, t’i marketonte ata publikisht, politikisht e mediatikisht. Më pas të përzgjidhej një prej tyre, ta rriste në sytë e opinionit publik, derisa ai/ajo të ishte gati, që të startonte garën për kryeqytetin. Ashtu siç vetë PS veproi me Edi Ramën vetë, 10 vjet më parë, kur pasi e thërriti nga Parisi, e bëri Ministër Kulture, për ta përgatitur ndërkohë për t’u zgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës.

Nëse do t’ju duhet të përgjigjeshit sot, cili do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve?

Nëse do të kisha aftësinë që të parashikoja që tani, fituesin e një gare si ajo e 8 majit 2011, mes Ramës dhe Bashës për kreun e Bashkisë së Tiranës, me siguri që do isha pronari i kompanisë më të madhe të parashikimeve në botë. Por, përtej humorit, mendoj se garën e bën më shumë të paparashikueshme, mungesa e rregullave të qarta të lojës që po e paraprin dhe po e shoqëron këtë proces. Pasi, në fitoren apo humbjen e mundshme të njërit apo tjetrit kandidat, është e pamundur që të arrish në një përfundim logjik, për aq kohë sa nuk kemi në dorë, çelësin e enigmës: Koeficientin e devijimit të rezultatit elektoral, për shkak të problematikave dhe nivelit të parregullsive që mund të ndikojnë në rezultatin final dhe zyrtar të këtyre zgjedhjeve. Uroj që vullneti i qytetarëve, të mos cënohet deri në atë shkallë, sa të mund të devijonte në thelb, kahjen e votës së tyre.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama