Shumë shpejt duhet t’u kushtojmë më shumë rëndësi mendimeve që na shkojnë nëpër mend, sepse me ndihmën e një skaneri mund të bëhet i mundshëm leximi i tyre. Kjo gjë mund të lërë shenja të dukshme dhe të matshme në tru. Eksperimenti në fjalë është kryer nga një grup studiuesish të Universitetit të Londrës, të cilët kanë regjistruar aktivitetin cerebral që lidhet me lloje të ndryshme kujtimesh. Me një aparat për rezonancën manjetike funksionale për imazhet, që normalisht përdoret për të monitoruar aktivitetin e organeve të ndryshme, studiuesit kanë analizuar proceset mendore që ndodhin në zonën temporale të trurit dhe kanë treguar se kujtimet lënë një lloj shenje, e cila mund të deshifrohet.
Me fjalë tjera, studiuesit arritën të identifikojnë gjurmë të një kujtimi që stimulon mendimin. Puna e tyre bazohet në të ashtuquajturat “gjurmë të kujtesës” ekzistenca e të cilave është pranuar pothuajse prej një shekulli por që mekanizmi, natyra dhe vendndodhja mbeten ende të pazbuluara. Ky studim, publikuar në “Current Biology”, përpiqet të kuptojë mekanizmat e trurit duke shfrytëzuar “kujtesën episodike”.
Për eksperimentin në fjalë, studiuesit kanë marrë në studim gjashtë femra dhe katër meshkuj me moshë mesatarisht deri në 21 vjeç. ‘Kaviet’ do të shihnin tre klipe me filmime të ndryshme, që zgjasnin nga shtatë sekonda. Të gjitha filmimet ishin të ngjashme dhe tregonin persona të ndryshëm në aktivitete të përditshme normale: duke shkruar një letër, duke pirë kafe dhe duke ecur. Pasi panë videot “kaviet” kanë përshkruar me kërkesë të studiuesve atë që kujtonin nga skenat e sapopara. Në atë moment hyri në veprim skaneri që kishte monitoruar gjurmët e kujtesës të mbetura në tru.
Në pjesën e dytë të testit, vullnetarët duhej të kujtonin klipet ndërsa i ishin nënshtruar rezonancës. Në gjysmën e rasteve kompjuteri arrinte të kapte vetëm atë që vullnetarët thoshin. Studiuesit shpjegonin se kjo gjë ndodhte, sepse gjurmët e kujtesës që lidheshin me çdo klip kishin mbetur të pandryshuara gjatë gjithë kohës së eksperimentit, duke sugjeruar se ato ishin “fikse”. Kështu makina për rezonancën manjetike funksionale, duke regjistruar “gjurmët e kujtesës” tregoi se është në gjendje të lexojë mendimet e njerëzve.
Megjithatë, shprehen studiuesit, gjurmët e kujtimeve për secilën nga tri parashikimet ishin të ngjashme te të gjithë pjesëmarrësit. “Edhe pse skemat cerebrale zakonisht janë të ndryshme për çdo individ, ekziston një ngjashmëri në zonat e hipokampit të aktivizuara nga kujtimet”, shkruhet në studim. Sipas të njëjtit grup neuroshkencëtarësh të Universitetit të Londrës është vërtetuar se mund “të shihen” mendimet e një personi të vendosur në një situatë të realitetit virtual. “Studimi tregon se jemi një hap para, por është ende një teknikë në fazë embrionale dhe pritet të zhvillohet në të ardhmen. Truri është organi më i ndërlikuar, më i pakuptueshëm dhe enigmatik i trupit tonë. Ne mund të emërtojmë pjesë të tij, por dija jonë është e kufizuar në lidhje me funksionin e këtyre pjesëve dhe mbi të gjitha me lidhjen që ato kanë me njëra-tjetrën. Një studim që është marrë për një kohë të gjatë me studimin e këtij organi jetik të trupit tonë ka përmbledhur të gjitha faktet e njohura shkencërisht deri më tani për trurin, si edhe shpjegohet struktura, funksioni dhe problemet e tij”, thonë studiuesit.
Tru të ndryshëm kanë karakteristika të ndryshme. Madje, ndryshimet janë të mëdha edhe në trurin e muzikantëve, mes atyre që improvizojnë dhe atyre që luajnë duke pasur përballë një pentagram. Studimet kanë nxjerrë në dritë se lobet frontale aktivizohen kur muzikantët lexojnë notat, por nuk funksionojnë kur muzikanti improvizon notat, duke u lënë kështu hapësirë ideve momentale. Studiuesit thonë se kjo reflekton shumë në proceset e krijimtarisë. Kur truri pushon pas një aktiviteti shumë të ngarkuar, valët që lëshon janë të ndryshme nga ato që emeton në momentet e pikut të punës. Shumë neurone në tru mbeten të shëndetshme deri në vdekje. Por truri vetë ndryshon 5-10% në moshat nga 20 deri në 90 vjeç. Ndryshime të tjera përfshijnë zmadhim të hapësirave të ndryshme të kafkës dhe formim të pllakave të caktuara trunore e ndryshime të tjera sipërfaqësore në dukje. Shkaku i këtyre ndryshimeve nuk është shpjeguar ende. Megjithatë, një gjë është e sigurt, se një dietë e mirë ushqimore është shumë e dobishme për shëndetin e trurit, veçanërisht përdorimi i peshkut në mënyrë të vazhdueshme.