Shqipëria e ka nisur me humbje dhe tashmë është e thjeshtë që të mund të analizohet ajo që ka ndodhur. Të ftuar në emisionin e "Top Channel" pas ndeshjes, ish-mesfushorët Ervin Skela dhe Bledi Shkëmbi kanë komentuar paraqitjen e kuqezinjve.
"Mavraj, Kukeli Sadiku dhe sigurisht Hysaj kanë bërë një ndeshje shumë të mirë. Gjykoj që problemi niste në repartin e mesit të fushës. Kukeli u përpoq që të bënte mirë qetësimin e lojës, ndryshe nga Xhaka e Abrashi.
Këta të fundit, në momentin që ne merrnim topin në zotërim, duhet të ndihmonin në ato që cilësohen si pasat e thjeshtë dhe që të japin momente frymëmarrjeje në fushë", është shprehur Shkëmbi. Si në të njëjtën vijë mendimi ka qenë edhe ish-mesfushori tjetër i Kombëtares.
"Trajneri ishte i kushtëzuar me zgjedhjet që duhet të bënte pas daljes së Canës. U tregua i matur dhe Shqipëria nuk kaloi në aventurë duke eksperimentuar.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve që u bënë, u ruajt i njëjti rreshtim. Për mendimin tim, mund të ishte provuar edhe një tjetër modul pas zëvendësimeve që u bënë", ka deklaruar Skela.