Lumi e ka fjalën për "shkëlqimin dhe harmoninë e gënjeshtërt". Dy aktorët të cilët regjisori i vlerëson shumë, u jepet rasti të shfaqin edhe aftësi në fushën e këngës, vallëzimit, të plastikës së trupit. Harmonist i shfaqjes është Agon Xharra. Skenografia është realizuar nga Mentor Berisha. Kostumet nga Samka Ferri. Me regjisorin Bekim Lumi flasim më gjatë për teatrin sot, në Shqipëri dhe Kosovë. Bekim, ju thoni "Çifti Martin" del kundër klisheve të krijuara për teatrin absurd. Si është e mundur kjo kur "pjesëza" i përket repertorit dhe autorit kryesor të absurdit në teatër?
I referohem poetikës së viteve 1970-'90, të trajtimit të teksteve të teatrit absurd, duke përfshirë tekstet e Joneskos, Beketit, Hrabalit, Adamovit dhe Kamysë. Kur flitet për teatrin absurd, ekziston mënyra, klisheja, formati, fytyra përmes së cilës janë trajtuar tekstet e kësaj natyre. Kjo ka bërë që teatri absurd të konvencionalizohet, të krijojë klishetë e veta dhe në bazë të këtyre mostrave, të trajtohet nga individualitete regjisoriale. Vetë fakti që kam përzgjedhur një sekuencë prej tri faqesh, do të thotë që kam shpërfillur rendin e deritashëm të trajtimit të teatrit absurd. Dhe së dyti, me qasjen poetike regjisoriale të interpretimit të tekstit, ku më tepër sesa situatat në dukje absurde, të çiftit, unë kam gjetur ndodhi dhe kam "shpikur" aventura në të cilat kalon ky çift.
Kam marrë madje dhe histori nga jeta e prindërve të mi në një situatë lufte. Mezi iu kanë shpëtuar plumbave dhe gjithë çfarë kanë marrë me vete, ishin dy valixhe ku kishin futur dokumentacionin e shtëpisë, disa fotografi që kanë mbetur kujtimi i vetëm nga familja jonë nga ditët e luftës. Këto dy valixhe janë dy rekuizat e vetme të shfaqjes. Dua të them se mundësitë për trajtimin e teksteve të teatrit absurd janë të pakufishme. Gjithë puna është nëse regjisorët janë në gjendje të braktisin steriotipet, klishetë.
Kolegu juaj Fatos Berisha, gjatë vizitës në Teatrin Kombëtar tha ndër të tjera se teatri i Kosovës vuan nga buxheti i ulët, pagat e ulëta, repertori i varfër. Ju ndani të njëjtat shqetësime?
Për mua është çështja e fizionomisë së një Teatri Kombëtar, e vlerave dhe standardeve që zbatojnë këto teatro në trajtimin e teksteve dramaturgjike kombëtare. Janë krijuar keqkuptime në raport me këto tekste të cilat shpeshherë lënë për të dëshiruar. Ana tjetër e këtij problemi është mungesa e kapacitete regjisoriale, mungesa që fshihen pas maskës nacionale. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me teatrot tanë. Ndodh përgjithësisht me teatrot nacionalë të Ballkanit, për shkaqe politike dhe historike.
Po buxhetet e vogla si ndikojnë?
Si një teatër i mbështetur materialisht nga shteti, është nën presionin e burokracisë politike të Ministrisë së Kulturës dhe të organizmave të tjera financiarë. Buxheti është krejtësisht simbolik. Me të nuk mund të pretendosh që të realizosh vlera të jashtëzakonshme dhe të prezantohesh me dinjitet në teatrot ndërkombëtare. Aspekti tjetër problematik është mënyra e organizimit të Teatrit Kombëtare dhe teatrove shtetërorë.
Këto, duke pasur pas vetes një bagazh historik, të ndërtuar me fizionominë e teatrit të pasluftës, vazhdojnë të krijojnë një repertor me shfaqje të cilat më ngjajnë me hot dog-un ose hamburger-in, shfaqje që bëhen sa për të ngopur barkun dhe jo për të shijuar diçka nga vlerat e vërteta me të cilat identifikohet teatri në botë.
Sigurisht që vlera të diskutueshme, të dyshimta ka edhe në skenën teatrore evropiane, por krahas tyre ekzistojnë teatro të tjera, të cilat në përputhje me dinamikën dhe shpirtin e njeriut të shek. XXI, krijojnë një teatër më të çlirët, më alternativ, jashtë klisheve. Me këto të fundit është e mbushur skena teatrore në Kosovë dhe Shqipëri. Në këtë kontekst faji nuk i përket as politikës, as ministrive të kulturës, të cilat nuk japin më shumë buxhet. Faji është i vetë artistëve në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët nuk e bëjnë dot kapërcimin kreativ kualitativ dhe nuk përqafojnë ato vlera me të cilat identifikohet krijimtaria regjisoriale në botë.
Çfarë ka shkaktuar ky moskomunikim me botën e teatrit përtej nesh?
Natyrisht mungesa e ballafaqimit krijon infarkt kardiak, dhe kjo vërehet në repertorin e teatrove tona. Këto teatro lëvizin brenda një qarku shumë të ngushtë, i cili iu krijon regjisorëve iluzionin e gënjeshtërt sikur të kenë bërë mrekulli me shfaqjet e tyre. Mungesa e ballafaqimit vjen nga mungesa e guximit të krijuesve shqiptarë për të krijuar vlera që mund të përfaqësohen në festivale ndërkombëtare.
Vazhdojmë të krijojmë vlera të përfillshme vetëm për ambientin provincial shqiptar, të rrokshme vetëm për vëmendjen, pasionet, apo dëshirat e spektatorit tonë. Një shfaqje nuk ndërtohet vetëm për një audiencë të kufizuar. Ju drejtoni një teatër eksperimental. Na thoni diçka mbi këtë përvojë. Në shtator 2010 kam krijuar teatrin laborator "Loja", një teatër me karakter eksperimental dhe kam punuar 1 vit pa asnjë mbështetje dhe subvencionim nga ana e shtetit.
E kemi mbajtur në këmbë me donacione të pakta që kam gjetur nga disa organizata joqeveritare. Me ato pak para kam ndërtuar një performancë alternative në Muzeun Etnologjik të Kosovës, quhet "Këmisha e Gjakut" dhe është ndërtuar mbi motivet e tri tragjedive të Shekspirit, "Hamleti", "Makbethi", "Rikardi III" dhe mbi motivet e Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Nuk më ka penguar në këtë nismë as mungesa e buxhetit, as mungesa e mbështetjes institucionale. Thjesht i kam vënë vetes qëllimin për të realizuar një shfaqje që do të përmbushte shijet dhe standardet e mia regjisoriale. Siç e thashë, aspekti material nuk është i vetmi prapa të cilit fshihen artistë të caktuar ose justifikohen për mossuksesin e tyre.