Në vijim bëmë këtë bisedë të shkurtër me Artistin, që e mban gjallë humori. Ai mbetet një ndër humoristët më të shquar të vendit tonë, me atë freski e energji që ka patur dikur në zenitin e tij krijues dhe interpretues. Dhe pse mosha ikën, ndoshta ai s’do ta ndjejë peshën e saj, pasi është gjithmonë i qeshur, gjithmonë në lëvizje i ftuar në shumë vende të botës ku ka emigrantë për të përcjellë humor. Rrugëve të Tiranës atë e gjen me bashkëshorten ku në çdo hap ndjen buzëqeshjet dhe përshëndetjet e njerëzve.
Por ai ndoshta mbetet aktori më i spikatur, pasi në jetën e tij ka qenë mundës, pjesëtar i cirkut, humorist, pantonimist, etj.. Por pjesën më të bukur të jetës ai ja ka dhuruar skenës, humorit, estradës së Tiranës. Ai loton kur thotë se “Tani që në demokraci jemi shkëputur nga ideologjizmat”, ku partia nuk ndërhynë në krijimtari, Estrada e Tiranës nuk funksionon. Ai e ka filluar me cirk karrierën si artist, për të kaluar pastaj në estradë me një galeri të tërë personazhesh. Veç kësaj ai ka lozur në disa filma humoristikë, Ka marrë këta çmime, “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit”, “Mirënjohja e qytetit”, “Urdhri i Punës i Klasit të Dytë”etj.. Skënder Sallaku ka një pjesë organike që nuk e ndan dot nga vetja, që është bashkëshortja e tij, Vitore Sallaku, artiste si dhe ai dhe që veç jetës familjare kanë bërë bashkë edhe jetën jashtë, atë të punës.
Të kujtohet kur ke lindur, Skënder?
Mos përfito nga konfidenca, më thuaj shoku apo zoti Skënder. Unë nuk mbaj mënd se si dhe kur kam lindur, atë e di nëna ime e ndjerë, por kam kartën në gjendje civile që shënon: Skënder Sallaku ka lindur më 25 janar të vitit 1935.
Si ka nisur dhe përfunduar karriera jote?
Kush tha që ka përfunduar. Bëj humor çdo ditë me gruan, miqtë dhe kjo më mban gjallë. Jam bërë bozë duke thënë për veten: Kam qenë kështu e ashtu…mjafton të them që kam nisur si kampion në mundjen klasike dhe vazhdoj të jem aktor i humorit. Jam specializuar në Kinë dhe kam punuar tërë jetën në Estradën e Shtetit, që tashmë është shndërruar në brengë. Mos harroj të them se jam “Artist i Popullit” me kartë dhe me dashurinë që më falin artdashësit.
Pse e keni brengë Estradën e Shtetit?
Po, është pengu im i vetëm që u prish Estrada e Shtetit në kryeqytet, ndërsa funksionojnë në shumë qytete të tjera. Ishte shtëpia jonë, ku kemi kaluar jetën dhe më besoni, nëse do të dëgjoni që Skënder Sallaku ka derdhur lot, kjo ndodh vetëm njëherë: Kur kaloj pranë ish-estradës.
Si e festove 77-vjetorin, çfarë dhuratash të sollën?
Në të vërtetë kanë qenë shumë telefonata, duke nisur nga Top- Channel, mëngjesin e 25 janarit dhe lumë urimesh, veçanërisht nga gra. Më besoni as me rastin e 75- vjetorit, që ishte jubilare, nuk kam marrë kaq urime. Dhurata? Më sollën fëmijët një laptop, por ma mori Vitorja. Më tha se i duhej për të shkruar librat dhe unë ia dhashë.
Çfarë ka ndryshuar tek Skënder Sallaku një vit më pas?
Asnjë ndryshim, jo një vit, por as 5 vjet më pas. Ndjehem njësoj, me shëndet, humor. Kaloj ditën me një plan që e miratoj që në mëngjes tek Vitorja dhe vetëm kur vjen ora për të shkuar në krevat, ku është pika e dobët.
Çfarë do të thuash me këtë?
Ahaaaa, vetëm këtu më ka ngecur sharra në gozhdë. Nuk mundem më fizikisht, megjithë përpjekjet, që të bëj dashuri si dikur..Sikurse të isha mirë edhe në këtë pikë, unë do ta quaja veten 60 vjeç. Nga një anë kjo më bën edhe të qetë, pasi ndryshe do të bëhej xheloze Vitorja. Nuk më ka lënë të qetë tërë jetën.
Po ti ke qenë xheloz?
Po, kam dashur ta kem gjithmonë në krah gruan time, ndërsa për domethënien e pyetjes tënde dua të them se, nuk ma ka hedhur dot as kush. Jam gjarpër..
Jemi në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë, cila do të ishte një këshillë e Skënder Sallakut për politikanët, duke e thënë seriozisht?
Unë gjithmonë flas seriozisht, pavarësisht se qesh. Politikanëve do t’ju thosha të ishin më seriozë, se sherri mes tyre ka depërtuar deri në shtëpitë e shqiptarëve, madje na kanë bërë të flasim me vete. Unë do t’ju thosha në këtë vit të veçantë për Kombin, të na lënë rehat, ti ngjajnë Ismail Qemalit që bashkoi trojet, shqiptarët, kurse këta janë bërë copë-copë.
Mos të zemërohet dikush me këtë koment tuajin?
Do t’i them që bëra qyfyr dhe kaloj lumin.
Sa vjet do të dëshiroje të jetoje?
Deri më 99 vjet, nuk dëshiroj të mbush 100. Dua të mbetem 99-tsh. Kuptohet i humorit
Ta mbyllim bisedën: Gëzuar ditëlindjen Skënder Sallaku, u bëfsh 99-tsh!
Faleminderit!