Skënderbeu po kalon një nga momentet më të vështira të këtij sezoni. Jo vetëm sepse humbi me skuadrën e fundit në tabelë, porse loja e kampionëve në fuqi prej kohësh nuk është si dikur. "Panorama Sport", duke u konsultuar edhe me trajnerë të ndryshëm, është përpjekur të evidentojë disa nga problemet që ka sot skuadra korçare.
Largimet lanë pasoja
Berisha dhe Olainka lanë një boshllëk të konsiderueshëm. Lojtarët e afruar gjatë janarit nuk rikuperuan dot as 50 për qind të mangësive që u krijuan me largimin e dy xhevahireve të Skënderbeut. Afrimet nuk dhanë efekt Orelesi, Nafiu, Plaku, Orue dhe Xhejms s'e ndihmuan ekipin që të "amortizonin" largimin e Berishës dhe Olainkës. Kjo e detyroi Josën që t'i besonte kryesisht gardës së vjetër dhe sapo u dëmtua Salihi, ekipi fitonte me shumë vështirësi deri sa në fund pë- soi tri humbje radhazi. Asnjëri prej këtyre lojtarëve nuk ka mundur të bëjë diferencën në momente të vështira, përjashto Plakun në ndeshjen e fundit. Por, edhe kjo është shumë pak.
Efekti "Shkëmbi"
Një skuadër që fiton 5 herë radhazi titullin duhet thënë se është mësuar me një njeri ku mbështetet në momente të vështira. E thënë më ndryshe: "Jemi keq, ia kalojmë topin Shkëmbit, ai do të bëjë diç- ka...". Kapiteni nuk ka luajtur më dhe ekipi s'ka fantazi. Me sa duket, asnjë plan B kur është në vështirësi. Ky defekt "mbulohej" nga aftësitë e shkëlqyera të Berishës dhe Olainkës, por pas largimit të tyre Skënderbeu ka qenë vazhdimisht i turbullt në fushë.
Lilaj "i shtrydhur"
Është më i miri dhe më efikasi sot në rolin e tij, por nuk mund t'i kërkohet që pas një angazhimi në tri kompeticione të jetë konstant në të gjitha ndeshjet. Pa Shkëmbin në krah i ka rënë barra që edhe të furnizojë sulmuesit me ndonjë asist. Është përpjekur, por kjo e ka stërmunduar. Kundërshtarët ia kanë marrë dorën: "bllokojmë Lilajn dhe Skënderbeu bëhet skuadër normale...". Eskuerdinja nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, ndërsa Latifi shkëlqen me hope...
Rënia e "gardës së vjetër"
Progni nuk ka stonuar, por s'bën më as gjëra të shkëlqyera si dikur. Radasi është një kopje e shëmtuar e lojtarit të disa muajve më parë. Arapi i rënduar së tepërmi dhe pa shkëlqimin e dikurshëm. Po kështu edhe Vangjeli, i cili tani, përveçse del gjithnjë e më rrallë në sulm, edhe kroset i ka të gabuar...
Eksperimenti në mbrojtje
Rokada e vazhdueshme mes Osmanit dhe Jashanicës e ka çorientuar repartin e defensivës. Duke mos pasur as mbështetjen e mjaftueshme nga Eskuerdinja dhe Orelesi, por edhe duke ndryshuar vazhdimisht qendra e mbrojtjes, Skënderbeu ka filluar të "fusë ujë" në çdo ndeshje.
Mungesa e përulësisë
Vitin e kaluar Skënderbeu kritikohej pse fitonte me lojë të shëmtuar, por në fakt dukshëm ishte një skuadër më cinike dhe më kërkuese në fushë, ndonëse kalkulonte mirë se si dhe se ku duhej të shpenzonte energji. Në këtë moment është ndryshe. Skuadra hyn me mendjemadhësi në ndeshje që në letër duken të lehta, por lojtarët harrojnë se janë në sprintin final të titullit dhe nuk kanë shanse rikuperimi. Rasti i fundit është Tërbuni, ku ekipi me sa duket e kishte cilësuar të fituar ndeshjen ende pa fituar.