Si e morët rolin e Skënderbeut? Në tetor të vitit 2009 erdha në Shqipëri për të interpretuar në operan “Salome”. Në kohën që do largohesha, drejtori Zhani Ciko më foli për rolin e Skënderbeut dhe për operan që m’u duk mbresëlënëse. Ishte një mundësi e veçantë, e pazakontë për mua. Pra, isha në dijeni të këtij roli për më shumë se tre vite. Atëherë kërkova për të mësuar për historinë e Shqipërisë dhe të Skënderbeut. U njoha me një figurë historike interesante, me heroin dhe diplomatin mendjemprehtë. Më bën çudi që ai jetoi 65 vjeç, pasi kishte kaluar një pjesë të jetës së tij nëpër beteja.
Ç’mendoni për atë pjesë të historisë së Shqipërisë që njohët? Për amerikanët është e vështirë të kuptohet një komb me kaq histori të gjatë. Kemi vetëm 200 vjet histori. Ju keni një histori të shkurtër pavarësie, por histori të gjatë në këto troje. Më bën çudi forca për ruajtjen e gjuhës dhe zakoneve për 500 vjet nën sundimin otoman.
Si është konceptuar Skënderbeu i Saletti-t? Historia fillon me kthimin e tij pas jetës në Perandorinë Osmane dhe vijon me bashkimin e princave. Në qendër është Skënderbeu i ri, që zgjon shpresat për liri në të ardhmen. Nuk rrëfehet fundi i jetës së tij. Donika shfaqet fare pak. Opera u shkrua në vitet ‘60. Fillimisht u krijua në tre akte dhe pati një romancë të gjatë, por ajo u pre. Jemi në kohën e regjimit të Hoxhës dhe mendoj se edhe pjesët ku flitej për religjionin u prenë po ashtu. Dua të kujtoj që Skënderbeu i parë në operan e Prenk Jakovës ka qenë Gjoni Athanas. Ai jeton në Boston dhe unë u lidha me të në kohën kur mora përsipër projektin. Shumë këngëtarë që interpretojnë në këtë opera kanë studiuar me të dhe mendojnë që ai është një yll. Kjo është e vërtetë, ai është një artist i shkëlqyer.
Në prezantimin e shfaqjes u njoftua se do shohim një hero të zhveshur paksa nga miti. Po, patjetër. Kuptohet që janë pjesë shumë të vogla të shfaqjes. Pjesën kryesore të veprës e zënë bëmat heroike të Skënderbeut. Nga ana tjetër, përveç autoritetit të padiskutueshëm, do shihet njeriu real, udhëheqësi karizmatik dhe me personalitet. Në opera do rrëfehet lidhja vëlla-motër, ka edhe një moment të shkurtër me Donikën, aty shihet sesi ai e çmon dhe e respekton atë. Ai e sheh si grua të fuqishme, një grua me personalitet. Kjo i ngjan një propozimi martese.
Si e keni mësuar gjuhën?
E di që jam i pari që këndon një rol shqiptar në opera. Unë kam kënduar në 12 gjuhë të ndryshme. Kjo është gjuha ime e 13-të. Jam i vetëdijshëm për vështirësitë dhe përgjegjësinë. Unë nuk jam Pavaroti, nuk kam një zë perfekt. Por jam një aktor i mirë. Po ashtu kam një dhunti. Kur e flas një gjuhë mund të mos kem shqiptimin perfekt, por kur këndoj, tingëllon korrekte. E kam bërë këtë edhe më parë. Shumë këngëtarë të operas ndihen mirë kur interpretojnë në gjuhën e tyre, atë që u vjen më shumë përshtat. Për mua kjo është e mërzitshme.
Kam nevojë për diçka më shprehëse. Kur mbarova “Salome”-në i kërkova këngëtarit Erlind Zeraliu që të përkthente të gjitha fjalët e tekstit dhe të më tregonte se çfarë ndodhte në çdo skenë të operas “Skënderbeu”. E mora regjistrimin me vete në Kaliforni dhe e ridëgjova, punova me gjuhën e folur, dëgjoja tingëllimën, i merrja kuptimin çdo fjale, e lidhja me muzikën, mësova ku duheshin vënë thekset për ta bërë të tingëllojë në shqip. Në Kaliforni punova me një tjetër shqiptare. Greta Zenelaj erdhi atje për të punuar bashkë.
Çfarë angazhimi keni për vendin ku jetoni?
Gjatë karrierës sime kam interpretuar brenda dhe jashtë Kalifornisë, deri edhe në La Scala dhe Metropolitan Opera, që nuk kanë domethënien që kanë patur për mua. Tani shoh për të tjera sfida. Me bashkëshorten kemi hapur një kompani. Ndihmojmë adoleshentët dhe të rinjtë të marrin njohuri mbi kulturat ndërkombëtare, operan, letërsinë, u mësojmë për Shqipërinë, për vende të ndryshme. U zgjojmë kuriozitetin për botën dhe artin.