Skënderbeu dhe Partizani vazhdojnë "luftën" në distancë edhe në merkaton e verës. Pas çështjes së hapur me mbrojtësin Arbnor Fejzullahu, që ka arritur akordin me korçarët, por nuk ka arritur të marrë dokumentacionin nga të kuqtë, një tjetër lojtar nxjerr në pah rivalitetin e madh mes dy klubeve.
Bëhet fjalë për një prej lojtarëve më të mirë të sezonit të fundit në Maqedoni, mesfushorin Armend Alimi. 29-vjeçari ka prishur kontratën me Shkëndijën e Tetovës dhe tashmë është një futbollist i lirë. Sipas gazetës shqiptare në Maqedoni, "Lajm", në drejtim të mesfushorit kanë vërshuar oferta nga klube të Kategorisë Superiore. Mirëpo, nuk është vetëm Skënderbeu dhe Partizani, por gjithashtu edhe Flamurtari që po mundohet të joshë Alimin, i cili luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe dallohet për goditjet drejt portës, si dhe asistimet, në një kohë që i përdor mirë të dyja këmbët.
Mesfushori nga Kumanova, i cili numëron edhe 14 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë, mësohet se po shqyrton me kujdes mundësitë që ka, pasi për shërbimet e tij interesim kanë shprehur edhe klube nga Kazakistani. Në sezonin e fundit, Alimi fitoi Kupën e Maqedonisë me Shkëndijën, si dhe falë paraqitjes së mirë me skuadrën tetovare u grumbullua në eliminatoret e Europianit me Maqedoninë.
Burime në klubin korçar treguan dje për "Panorama Sport" se Alimit i është bërë një superofertë dhe pritet tashmë përgjigjja e tij. Shanset janë të mëdha që mesfushori të veshë fanellën e Skënderbeut. Merkato - Largimi i Renato Arapit ka hapur një gropë në krahun e majtë të mbrojtjes së Skënderbeut. Në këtë pozicion ka luajtur Leonit Abazi, por ky i fundit është tipik mesfushor krahu dhe më shumë ka sakrifikuar për nevoja të skuadrës.
Një nga të pikasurit e Skënderbeut në këtë rast është mbrojtësi i majtë i Kukësit, Gledi Mici, për të cilin është interesuar edhe Partizani. Edhe vetë trajneri Andrea Agostineli ka deklaruar për gazetën se i pëlqen Mici, por gjithsesi kjo pistë duket e vështirë, për vetë faktin se mbrojtësi është nën kontratë me Kukësin deri pas përfundimit të angazhimit në Europë.
LLAZI SARO