Brenda një kohe shumë të shkurtër, largimet te skuadra e Skënderbeut kanë shkuar në katër. Pas Vangjelit, Arapit dhe Demës nga kampi i Skënderbeut, radha është e Gerhard Prognit që të luajë me një tjetër skuadër që do të jetë në Azerbajxhan. Burime të sigurta pranë lojtarit kanë bërë me dije për "Panorama Sport" se mesfushori pukjan që mbylli sezonin me Skënderbeun është mjaft pranë kalimit te Zira, ekipi nënkampion në Azerbajxhan.
Akordi është arritur dhe transferimi i futbollistit mund të konsiderohet fakt i kryer, pasi pritet vetëm firmosja e kontratës. Ashtu si edhe tre lojtarët e mësipërm, Gerhard Progni luajti dy sezone të suksesshme me Skënderbeun me të cilin arriti të fitojë dy tituj kampion. Me përfundimin e kontratës, lojtari nuk ka preferuar një skuadër brenda vendit edhe pse ofertat nuk i kishin munguar, por ka vendosur të luajë te Zira.
Por, ajo që shqetëson tifozët korçarë është vrulli i largimeve të titullarëve, që duket se nuk kanë ndër mend të ndalen. Presidenti Takaj duket i bindur për t'i lënë të lirë futbollistët që janë pa kontratë, por që mund të zëvendësohen me lojtarë të rinj.
Oferta
Pas largimeve të para duket se Skënderbeu ka filluar të lëvizë edhe në drejtim të afrimit të elementëve të tjerë në ekip për të formuar grupin që ka mbetur i cunguar. Normalisht emrat e lakuar janë shumë, por burime të sigurta brenda kampionëve bëjnë me dije se në rang drejtuesish po bisedohet për të bindur lojtarë si Arbnor Fejzullahu dhe Valdet Rama që t'i bashkohen bardhëkuqve sezonin e ardhshëm. Ish-mesfushori i Kombëtares ka përfunduar kontratën me ekipin që mbylli sezonin në Bundesligën 2, Mynih 1860, dhe tani është një lojtar i lirë në merkato teksa bardhekuqtë e Skënderbeut janë vënë në ndjekje të tij.
Megjithatë, pavarësisht zhurmës së bërë me emrat e fundit që janë dalë dhe do të dalin dita ditës si alternativa të Skënderbeut, pritet që merkatoja e vërtetë në kampin bardhekuq të nisë vetëm pas datës 6 korrik në kohën kur KAS do të japë vendimin përfundimtar në lidhje me dënimin e marrë nga UEFA.
Llazi Saro