Skenderbeu ishte denuar per 5 vite FSHF vazhdon te heshte

Skenderbeu ishte denuar per 5 vite, FSHF vazhdon te heshte

Një heshtje që “vret”. Degradon institucioni i futbollit shqiptar. Në një kohë që Kombëtarja është në prag të pjesëmarrjes historike në Europianin e Francës, UEFA nxjerr nga Kupat e Europës kampionen në fuqi të Shqipërisë. Mirëpo, askush në FSHF nuk di të thotë një fjalë, qoftë edhe formalisht për këtë situatë të pazakontë në futbollin shqiptar, ku për herë të parë një klub i Kategorisë Superiore dënohet për trukime nga qeveria e futbollit europian.

Dje në mbrëmje sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, fliste me shumë patos për klubin e fansave të Kombëtares të ngritur në Francë, por çuditërisht prej ditësh i është mbyllur goja për problematikën që ka shoqëruar Skënderbeun. Njeriu që mban korrespodencën me UEFA-n, nuk ka pasur kurajën të thotë edhe një fjalë të vetme për dënimin e korçarëve, klubit kampion që është dënuar për trukime. Skandali thellohet kur FSHF nuk reagon edhe pasi vetë klubi njofton vendimin që është marrë për dënimin me 1 vit mospjesëmarrje në Kupat e Europës.

Aktualisht administrata e federatës është zhvendosur në Francë thuajse e gjitha, ndërsa ata që kanë mbetur, nuk janë në gjendje të japin një sqarim se si do të shkojë çështja e klubeve që presin për të luajtur në Europë. Sipas burimeve të gazetës, UEFA kishte dënuar fillimisht Skënderbeun me pesë vite, ndërsa më pas Apeli uli dënimin, duke e çuar në vetëm një vit.

“I kemi dërguar një letër UEFA-s për të na sqaruar hollësisht në lidhje me vendimin për klubin e Skënderbeun. Besojmë se deri të hënën e ardhshme do të kemi një sqarim të plotë të situatës. Natyrisht, në këto raste kur një klub kampion dënohet me mospjesëmarrje në Europë, rregullorja e UEFA-s e përcakton qartë. Pra, skuadra që në renditjen përfundimtare të kampionatit është poshtë Skënderbeut do të fitojë të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Ndërsa në Ligën e Europës do të kualifikohet Tirana, si vendi i pestë”, tha dje për gazetën një burim i sigurt në FSHF.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama