Skenderbeu kthehet ne nje kantier Agostineli ka dilema per sulmin

Skënderbeu kthehet në një kantier, Agostineli ka dilema për sulmin

Me emërimin e trajnerit Andrea Agostineli në krye të stolit, Skënderbeu është kthyer në një kantier pune, ku po kërkohen zgjidhjet e duhura për të vendosur më pas formacionin që do të luajë në ndeshjet e Europës.

agostineliNjë gjë e tillë ishte e pritshme që në momentin kur drejtuesit vendosën të mos kishin më në stol trajnerin Josa, i cili e njihte mjaft mirë organikën. Gjithashtu, edhe ndryshimi i shumë lojtarëve detyron trajnerin që të bëjë eksperimente.

Një gjë e tillë nuk ndodhte në vitet e kaluara, ku korçarët bënin pak ndryshime në organikë.

Formacioni - Lëvizjet në formacionin e Skënderbeut u vunë re që në ndeshjen e parë miqësore të luajtur kundër Rijekës, të cilën bardhekuqtë e humbën me rezultatin 2-1.

Këtë takim Agostineli e nisi me shumë prova dhe testime në daljen e parë zyrtare, mbi të gjitha duke kërkuar që të marrë një përgjigje, sidomos për skemën me të cilën do të luajë skuadra. Në pjesën e parë të ndeshjes bardhekuqtë luajtën me 4-4-2 klasik, një formacion me të cilin Skënderbeu zhvilloi të gjithë sezonin e kaluar.

Por me këtë skemë ekipi nuk ka mundur të japë shumë në fushën e lojës, ku u panë shumë duele të humbura dhe vështirësi për të dalë në sulm.

Në pjesën e dytë të takimit, trajneri italian ndryshoi rreshtimin me një mesfushë me tre lojtarë dhe një skemë që jemi mësuar ta shohim në ndeshjet e Europës edhe gjatë kohës së Josës, 4-3-2-1.

Me këtë vendosje kampionët funksionuan më mirë, pasi kontrolluan mesin e fushës dhe panë më shumë drejt portës kundërshtare.

Natyrisht që edhe trajneri ndihet më i kënaqur kështu dhe e shpreh edhe gjatë ndeshjes. Në një situatë të tillë duket se trajneri është më i prirur për skemën e dytë, të cilën e ka aplikuar edhe te Partizani, por natyrisht që kjo ka pasojat e saj.

Duket se sulmuesi Xhejms Adeniji duhet që të ulet në stol në pjesën më të madhe të sezonit, duke i lënë vendin e titullarit një të padiskutueshmi si Hamdi Salihi. Një gjë të tillë u mundua të bënte edhe Josa sezonin e kaluar, por politikat e klubit e udhëzuan të luante me dy sulmues për shkak të investimit te Xhejms, i cili ende nuk po jep atë që pritet prej tij.

Grinta - Që në ndeshjen e parë miqësore, trajneri Agostineli ka vendosur t'i transmetojë grintën e tij ekipit. Në çdo top të prekur nga lojtarët e tij, trajneri jepte udhëzime mbi mënyrën e pasimit dhe të vendosjes në fushë.

Nuk kanë munguar elozhet për lojtarë si Nafiu apo edhe Gavazaj në pjesën e dytë, por edhe kritikat për Latifin dhe Xhejmsin.

Por trajneri ka qenë i vetëdijshëm për faktin se skuadra e tij nuk mund të jepte më shumë në atë përballje, pasi kishte vetëm katër ditë stërvitje. Gjatë sfidës ai është dëgjuar t'u kërkojë lojtarëve që të vrapojnë shumë për të fituar sa më shpejt formën e tyre më të mirë fizike.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama