Skenderbeu mbret i penalltive Partizani asnje te pesuar

Skënderbeu mbret i penalltive, Partizani asnjë të pësuar

Kategoria Superiore e dha verdiktin e saj edhe për këtë sezon, me Skënderbeun kampion për të gjashtin vit radhazi, Partizanin nënkampion, Kukësin në Kupat e Europës dhe Bylisin me Tërbunin që rikthehen në Kategorinë e Parë. skenderbeuTani që kampionati mbaroi, i cili për nga mënyra se si shkoi u zgjidh vetëm në javën e fundit, mund të thuhet se ishte një nga më emocionuesit e këtyre viteve të fundit. "Panorama Sport" bën një vëzhgim të hollësishëm edhe rreth "emocioneve" të penalltive, me skuadrat që kanë shënuar dhe pësuar më shumë gola nga pika e bardhë e 11 metrave. Kampionët e Skënderbeut janë të tillë edhe në shënimin e penalltive dhe të gjitha golat i ka shënuar ai që mori edhe "Këpucën e Artë", Hamdi Salihi.

Ndërkohë, Partizani është i vetmi ekip që nuk ka pësuar asnjë gol nga pika e bardhë, ndërsa Vllaznia gjatë këtij sezoni që lamë pas nuk e provoi shijen e golit nga 11 metrat. Edhe Tërbuni pati të njëjtin fat si shkodranët, të cilët largohen nga Superliga pa një gol nga penalltitë. Nga 24 golat e shënuar me 11-metërsha, këtë sezon bie në sy një dominim i atyre në pjesën e dytë, plot 18 në krahasim me 6 në pjesën e parë

Skënderbeu

Fituan kampionatin e gjashtë radhazi, pse jo edhe me ndihmën e penalltive në disa raste. Këtë sezon janë skuadra që kanë shënuar më shumë nga të gjitha ekipet e tjera nga 11 metrat, plot 7.
Bie në sy se golat kanë ardhur vetëm nga Salihi dhe vetëm në një rast kanë humbur ndeshjen kur kanë realizuar në këtë mënyrë. Bëhet fjalë për humbjen 2 me 3 ndaj Tërbunit. Ndërkohë, korçarët kanë pësuar katër gola nga penalltitë, por për fatin e tyre të mirë asnjëherë nuk kanë dalë të mundur kur kanë pësuar në këtë mënyrë. Mund ta konsiderojnë veten me fat në aspektin e penalltive.

Partizani

Nënkampionët e vendit ia kanë dalë të shënojnë vetëm tri herë nga pika e bardhë dhe ka pasur vetëm një autor: Xhevahir Sukaj. Në të tria rastet që shkodrani e ka dërguar sferën në rrjetë, të kuqtë ia kanë dalë që të fitojnë ndeshjen, duke e shfrytëzuar mirë mundësinë që u është dhënë në këmbët e tyre. Ndërkohë, mund të krenohen me faktin se janë e vetmja skuadër e Superiores që nuk ka pësuar asnjë gol me penallti gjatë këtij viti.

Kukësi

Siguruan me anë të kampionatit Europën, ndërkohë që kanë shpresa për të çuar trofeun e kupës në Kukës. Për sa u përket penalltive, veriorët vetëm tri herë kanë shënuar në këtë mënyrë dhe, për fatin e tyre të keq, vetëm në një rast kanë fituar, kur nga pika e bardhë ka shënuar Hasani. Në dy rastet e tjera, me golat e Kariokës, kuksianët kanë marrë vetëm një barazim. Nga ana tjetër, djemtë e Duros kanë pësuar një gol nga penalltia dhe e kanë humbur ndeshjen.

Teuta

Durrsakët mbajnë shpresat te fitorja e Kukësit në finalen e Kupës me Laçin, pasi vetëm kështu mund të sigurojnë një vend në Europë. "Djemtë e Detit" nuk kanë qenë shumë të varur nga 11 metrat këtë sezon, sepse kanë shënuar vetëm dy herë dhe pësuar një. Si golat e shënuar dhe ata të pësuar këtë sezon nga penalltitë kanë ardhur gjithnjë në pjesën e dytë dhe në asnjë rast nuk e kanë humbur ndeshjen.

Vllaznia

Ia arritën pas shumë peripecive të mbijetonin në Superiore dhe këtë e bënë pa ndihmën e... penalltive. Thuhet kështu, pasi këtë sezon nuk kanë provuar asnjë gol nga 11 metrat. Ndërkohë, nga ana tjetër, janë një nga skuadrat që kanë pë- suar më shumë gola në këtë mënyrë, plot katër. Në të gjitha rastet, për fatin e tyre të keq, kanë dalë të mundur nga fusha e lojës.

Laçi

Ndryshe nga vitet e kaluara rrezikuan pak me qëndrimin në kategori, por gjithsesi kanë mundësi për të shpëtuar sezonin nëse marrin kupën me Kukësin, duke shkuar edhe në Europë. Kurbinasit kanë shënuar tri herë me penallti dhe në dy raste kanë fituar dhe në një kanë dalë barazim. Nga ana tjetër, kanë pësuar dy gola. Por, ajo që bie më shumë në sy është fakti se në të gjitha këto raste penalltitë janë bërë brenda në Laç, kur kurbinasit kanë qenë skuadër pritëse.

Flamurtari

Çdo vit hidhen miliona për t'u shpallur kampionë, por Flamurtari gjithnjë rrezikon mbijetesën. Kështu ndodhi edhe këtë sezon, por për fatin e mirë të vlonjatëve ia dolën të qëndrojnë. Për sa u përket penalltive, kanë shënuar tri herë dhe pësuar katër gola në këtë mënyrë. Sa herë që u është bërë goli nga 11 metrat, ata e kanë humbur ndeshjen, me të gjithë golat që i ka pësuar në pjesën e dytë.

Bylisi

E kanë konsideruar veten si "të njerkës" këtë sezon nga ana e Federatës, duke mos ia dalë për të qëndruar në Superiore, edhe pse deri në fund nuk i humbën shpresat. Kanë qenë "të persekutuar" edhe nga golat me penallti, pasi vetëm në një rast kanë shënuar në këtë mënyrë, me anë të Izuçukut. Ndërkohë, kanë pësuar katër gola, dy prej të cilëve nga Hamdi Salihi. Nuk ia kanë dalë të fitojnë asnjë ndeshje në këtë mënyrë.

Tërbuni

Pukjanët ishin të parët që ranë nga kategoria, por do të mbahen mend për fitoren historike në Korçë përballë kampionëve të Skënderbeut. Me penalltitë nuk i kanë pasur mirë punët, pasi do të largohen nga Superiorja pa e provuar "shijen" e golit nga pika e bardhë dhe ky mund të jetë "pengu" i vetëm. Pukjanët kanë pësuar gol nga penalltitë në tri raste, ku në dy janë mundur dhe në një kanë fituar, pikërisht me korçarët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama