Gjatë kohës që do të jetë me pushime Skënderbeu, trajneri italian Andrea Agostineli do të ketë mundësinë që të bëjë edhe dy zgjedhjet e fundit, për të përforcuar ekipin para se të mbyllin merkaton e verës.
Ashtu sikundër e bëri me dije vet presidenti Ardjan Takaj, do të ketë edhe dy afrime të reja në ekip për të pasur një grup shumë më të fortë që do të mbrojë sërish titullin kampion.
Gjatë kësaj kohe, trajneri Agostineli së bashku me agjentët e merkatos të klubit bardhekuq do të punojnë për të gjetur edhe dy përforcimet e duhura.
Me shumë mundësi do të bëhet fjalë për afrime në repartin defensiv atje ku bardhekuqtë kishin më shumë nevojë. Është bërë e ditur se do të jenë emra të rëndësishëm dhe ekipi do të fuqizohet së tepërmi.
Pasi nuk arriti të merrte pjesë në Ligën e Kampioneve, ekipi do të synojë të fitojë titullin kampion sezonin në vazhdim. Korçarët kanë arritur të fitojnë gjashtë herë radhazi titullin dhe janë të gatshëm që ta mbrojnë sërish.
Megjithatë, pritet që rivaliteti mes skuadrave gjatë kampionatit të ardhshëm të jetë i madh. Disa ekipe kanë shprehur hapur ambiciet.
Ll.Saro