Regjisori Vladimir Prifti, nga krijimtaria e të cilit vlen veçanërisht të përmendet “Udha e shkronjave”, i ka thënë fjalët që po citojmë, në prag të realizmit të dokumentarit “Skënderbeu”. Intervistat para procesit të punës bartin të vërteta po aq edhe të paqena.
Në vitin e njëqind të pavarësisë, ishin shumë veprat që i folën publikut për njeriun shqiptar në histori. Po ndalemi te “Skënderbeu” i Vladimir Priftit, i cili mishëron mënyrën skematike të dokumentaristikës në kufijtë e propagandës, ndryshe nga pretendimi i regjisorit “për ta sjellë të gjallë dhe për ta larguar nga legjenda” një figurë të historisë.
Dokumentari është shfaqur në ekranin e madh e të vogël, së fundi për 17 janar, në 645-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar.
Prifti e ka thënë që ky është film i prodhuar për televizion (në bashkëpunim me televizionin Top-Channel) duke nënkuptuar qëllimin për të rrokur një audiencë masive. Projekti u porosit nga qeveria shqiptare, e cila i kërkoi Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe e mbështeti me buxhet shtesë për prodhimin e tri dokumentarëve për jubileun e pavarësisë. Dokumentari për Skënderbeun iu adresua Vladimir Priftit “sepse e meriton”, do thoshte Kryetari i Qendrës, Artan Minarolli.
I ndarë në dy pjesë, dokumentari trajton “Principatën e Kastriotëve” në periudhën 1406-1450, përbërjen e familjen së Gjon Kastriotit, vendlindjen e tij dhe të Vojsavës, rininë e Skënderbeut në oborrin e Sulltanit, kthimin e tij në Shqipëri dhe lufta kundër ushtrive osmane. Në pjesën e dytë, “Shteti dhe Simbolet”, trajtohet ndërtimi i shtetit të pavarur të Skënderbeut, me strukturën organizative dhe karakterin politik të tij, me ushtrinë, flamurin, stemën, armët, vulat.
Regjisori është bazuar në intervistat me historianët Pëllumb Xhufi, Pranvera Bogdani, Luan Malltezi, dhe në leximet e aktorëve Roza Anagnosti dhe Fatos Sela. Një aktor tjetër, Sokol Angjeli luan lojën e intervistuesit, po edhe të kryehistorianit. Ky zë që është fija lidhëse e gjithë dokumentarit na shfaqet me veprën e Marin Barletit në dorë për jetën dhe bëmat e Skënderbeut. Autori i dytë kyç për burimet dhe të dhënat historike është prifti Gianmaria Biemm-i, me librin e tij “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-begh” (1742) e kritikuar si vepër mashtruese. Pastaj është afirmuesi i veprës së Biemm-it, Fan Noli vetë me biografinë “Historia e Skënderbeut” më 1921.
Regjisori Prifti ka konfirmuar se bazë e gjerë për të mbështetur skenarin tij ka qenë vepra e Kristo Frashërit “Skënderbeu: Jeta dhe vepra”.
Një pjesë të mirë zënë skenat nga filmi “Skënderbeu” i regjisorit rus Sergej Jutkovic, të cilat ilustrojnë zërin e narratorit kur thotë: “Ai la frontin dhe u nis në drejtim të Dibrës. Këtu gjeti popullsinë të gatshme për kryengritje...” Dhe ty si spektator të ngrihet të merr zemra ashtu si kot kur këtu futet kolona zanore e Çesk Zadejës. Ose kur zëri thotë: “Pastaj pa humbur kohë, me një pjesë të forcave të veta ai u nis në drejtim të Krujës, të cilën e mori pa luftë me anë të një fermani të rremë…”
Leximi i teksteve live nga aktorët merr një rëndësi të veçantë, funksionin e të cilit do ta prekim pak më poshtë.
Flitet për Kuvendin e Lezhës më 2 mars 1444, dhe thuhet se bujarët shqiptarë u mblodhën për një “platformë antiosmane”. Lexon zëri kumbues i Fatos Selës: “Në Lezhë erdhën delegatë nga të katër anët e atdheut, brenda në katedralen e Shën Kollit ku u zhvilluan punimet e kuvendit qëndronin pranë njëri-tjetrit, bujarët e fiseve fushore dhe krerët e malësive të thella, trimat e trojeve veriore dhe kapedanë të krahinave jugore, besimtarë të ritit katolik dhe besimtarë të kishës lindore, burra të shquar të pallës dhe prijës të nderuar të kanuneve. Ndërmjet tyre shkëlqenin kapedanë që i kishin udhëhequr kryengritjet e viteve ‘30... Kryetar u zgjodh njëzëri Gjergj Kastriot Skënderbeu.”
Edhe për ilustrimin e Betejës së Torviollit ku Skënderbeu “korri fitore kundër Sulltanit”, sërish hyn në punë vepra e Jutkovic-it. Për kontrast, dhe pavarësisht nga humbjet që mund të kenë pësuar shqiptarët, këta përshkruhen si luftëtarë që iu dhanë zemër hungarezëve nën Huniadin që mezi shpëtoi kokën.
Raportet me ndërkombëtarët, nëpërmjet një teksti skematik në gojën e historianes Bogdani vijnë edhe kështu: “Fuqizimi i shtetit të Skënderbeut nuk pritej mirë nga Venediku. Ai kishte frikë mos Skënderbeu do të kërkonte të shtrihej edhe në qytetet bregdetare që ishin nën sundimin e tij.... shkak konflikti bëhet qyteti i Danjës.” Dhe këtu historiania bën sikur korrigjon tregimin e Barletit. Bën sikur sepse dokumentari i Priftit i mbetet më së shumti besnik historisë sipas Barletit, Biemm-it dhe Nolit të madh.
Në vazhdim flitet për shtetin shqiptar të Krujës, për trimërinë e shqiptarëve, për mbrojtjen e Krujës, që ishte qëllim i Sulltan Muratit mbas rënies së Sfetigradit, për fushatën e Sulltanit më 1450, për sulmet e tërbuara osmane, për betejën e Nishit ku turqit u shpartalluan... për korrje fitoresh të shkëlqyera, për madhështi të shpirtit të shkëlqyer dhe po aq për të shkëlqyerën burrëri.
Xhirimet janë bërë kryesisht në Muzeun Historik Kombëtar të Krujës. Kamera e ka kthjelltësinë e figurës të pastër kristal, madje të vë në siklet kur e sheh dokumentarin në ekranin e madh. Të vë në siklet tek shikon aktorin në rolin e historianit që me gjithë grimin, balli dhe hunda i shkëlqen nga një vesë djerse tek heq për ta thënë me një frymë tekstin patetik. Kur është në ofensivë Skënderbeu (dhe ai vetëm në ofensivë na jepet), aktori rri para afreskut mural në muzeun e Krujës ku paraqitet një skenë beteje nën udhëheqjen e heroit: shigjetarë me opingat malësore, apo kalorës me kuaj të fortë, nën thundrat e të cilëve të lemerisur jeniçerët turq apo “fundërrinat” e ushtrisë së sulltanit, siç quhet fjalë për fjalë “ushtria armike” në dokumentarin e regjisorit Vladimir Prifti.
Ç’është ky dokumentar sipas nesh? Është një dokumentar i ngritur mbi pikëpamjet tradicionale, si në përmbajtje dhe në formë. Në përmbajtje mbruhet nga pikëpamje të historiografisë zyrtare të periudhës socialiste. E thamë më lartë që Prifti bazohet te Barleti, autor i një vepre që qëndron midis historisë dhe letërsisë. Dokumentari nuk llogarit qëndrime kritike ndaj burimeve historike që janë shfaqur tash e dy shekuj. Përkundrazi, Prifti përdor vepra që i kanë shërbyer mitit që ka krijuar Barleti.
Kujt i drejtohet ky dokumentar?
“Skënderbeu është një vepër pak e vështirë për t’u trajtuar në një film dokumentar, por ndjej që nga jehona është pëlqyer nga njerëzit, një film që të shkojë 2 orë e 10 minuta në një kinema dhe asnjë të mos lëvizë, është një kënaqësi e madhe për mua”, pat thënë në një intervistë regjisori Prifti. Të bën çudi si e masin “suksesin” e artit të tyre këta krijuesit tanë. Të njëjtën gjë pati thënë para kamerave i përkorë Dhimitër Anagnosti kur shfaqej filmi i tij i fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, pra diçka me “nuk pipëtiu njeri në sallë”.
I prodhuar pjesërisht nga shteti shqiptar, për 100-vjetorin e pavarësisë, dokumentari i mëshon pikërisht figurës së Skënderbeut si shtetar, shteti i të cilit funksiononte si një institucion, që kishte ushtrinë e tij, “resurset vendase” thotë historiani Xhufi, kishte diplomatët dhe ambasadorët e tij.
Dokumentari jep për Skënderbeun atë që Barleti jep për Skënderbeun. E nëse Barleti ishte i shtyrë nga qëllime të tjera, kishte tjetër edukim dhe i drejtohej tjetër audience 500 vjet përpara, pyetja shtrohet: në ç’kohë jetojnë autorët tanë? Në kohën e teknologjisë së lartë. Sa për këtë, “Skënderbeu” i Priftit është arritje e teknologjisë. Shohim rrënojat e Drishtit në shumë pamje, shohim nga ajri Beratin fantastik. Teknologji që operon mbi sfonde fetishe të historisë, në Muzeun Kombëtar të Krujës, me imitacionet e përkrenares dhe shpatës mbi beze të kuqe. Ndërsa aktorët në fletushka akull të reja bëjnë sikur lexojnë kronika osmane që ngrenë lart figurën e shqiptarëve! Shtoji kësaj përdorim sa për të thënë të hartave dhe gravurave të vjetra.
Është dokumentar fund e krye afirmativ. Këtu dalim te çështja e formës, e mënyrës, e skemës dhe pikërisht e mungesës së këndvështrimit. Është e çuditshme se si një televizion kombëtar, një ekran që synon të jetë i gjithëpranishëm gati “invadues” paraqet për vepër “jo klasike”, “ndryshe”, “moderne” një histori kaq didaktike që nxënësit e kanë në librat e shkollës.
Ky prodhim dixhital për program televiziv, është e vërtetë që operon me “aktorë” origjinalë, “skena” origjinale që nuk janë statike, që ka inskenime, që historianët sillen lirshëm përballë kamerës. Por kamera e Priftit mbetet e distancuar sepse e tillë është marrëdhënia e regjisorit me temën, pa kënd vështrimi. Lënda historike është thjesht e kompiluar në mënyrë kronologjike dhe është retorika që merr përparësi.
Kur thotë regjisori flasin faktet, dokumentet, ai s’bën gjë tjetër, po zbythet si asnjanës, e pikërisht në këtë moment ai është krejt më i njëanshëm se më parë. Një dokumentari me tipare të tilla i vihet qëllimi i propagandës, për të të bindur për llojin e informacionit. Fillimisht me atë zërin e aktorit narrator, i gjithëpranishëm, i gjithëdijshëm, i intonuar mbi filmimin, rrëfim që mban peshën e shpjegimit dhe që “sjell prova” në përmbajtjen retorike të filmit. Kështu zëri i Sokol Angjelit vjen si zë i Vladimir Priftit.
Regjisori ka mbledhur ato filmime që i shkojnë në funksion të narracionit. Është një montim që vë edhe më në dukje atë që gjithmonë ka qenë e dukshme për historinë e Skënderbeut. Ky mbitheksim që kopjon informacionin historik dhe e përcjellë atë pa e përpunuar, - edhe një herë, pa kënd vështrimi - është propagandë. Kështu shikuesit i ofrohet vetëm një pamje, si e historia e vetme dhe e vetmja e vërtetë.
Art me një pamje nuk mund të ketë, as art që e mbyt teknologjia nuk ka arsye përse të mburret.