Klubi Skënderbeut është dënuar nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s që në muajin maj, edhe pse ndërkombëtarët nuk e kanë bërë publik një vendim të tillë. Një e-mail i komunikimit me UEFA-n, i publikuar nga TVSH, ka zbuluar se takimi i datës 1 qershor nuk ishte para panelit të Komisionit të Disiplinës, por para atij të Apelit në UEFA.
"Trupa e Apelit vendosi në takimin e vet të datës 1 qershor 2016 që Skënderbeu nuk mund të luajë në Ligën e Kampioneve për sezonin 2016/2017", shkruhet në këtë shpjegim.
Kjo hedh edhe më shumë dyshime, si mbi Skënderbeun, ashtu edhe mbi FSHF-në që kanë heshtur prej javësh, duke mos bërë publik dënimin e shkallës së parë të disiplinës sportive të UEFA-s.
Ky dënim do të thotë që Skënderbeu do të paraqitet direkt në KAS për të kthyer vendimin, pa pasur nevojë të dalë më para komisioneve disiplinore në UEFA.