Xhevahir Sukaj pra non se Partizani gaboi atëherë kur askush nuk e mendonte, prandaj dhe në fund nuk arriti të fitonte titullin kampion.
Sulmuesi shkodran, që mbylli me të kuqtë një sezon fantastik, duke shënuar 21 gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë, gjatë një rrëfimi ekskluziv për "Panorama Sport" tregon për kampionatin dhe rivalitetin me Skënderbeun.
Ai lë gjithçka të hapur sa i përket të ardhmes, edhe pse konfirmon se raportet e tij me klubin janë të shkëlqyera. Sukaj u përgjigjet edhe ironive të lojtarëve korçarë, në një kohë që ka edhe për Tiranën.
"Skënderbeut ia treguam në stadiumin e Korçës sa i vlen lëkura. Partizani ka shumë trofe dhe s'ka nevojë për kupa morali. Tirana? Nuk arrita të kuptoj festën e tyre pas barazimit ndaj nesh, pasi dolën jashtë objektivi të Ligës së Europës", ka thënë ndër të tjera Sukaj, ndërsa nuk harron t'u kërkojë ndjesë tifozëve të kuq për mbylljen e kampionatit me humbje ndaj Teutës.
Xhevahir, pse nuk e fitoi dot titullin Partizani?
Mendoj se ishte një sezon që e nisëm shkëlqyer, por në vazhdimësi patëm oshilacione. Kjo është normale për një ekip pretendent, pasi nuk mund të fitojë çdo takim, për më tepër në 36 javë kampionat. Ajo që na penalizoi më shumë ishte faza e katërt. Nuk ishte e duhura për ne dhe në këtë mënyrë nuk arritëm të parakalonim me pikë Skënderbeun.
Humbni me Bylisin, fitoni ndaj Skënderbeut dhe më pas "qani" pikët që keni lënë për të arritur korçarët...
Ky ishte gabimi ynë, humbëm pikë aty ku nuk e mendonim, siç ishte edhe rasti i Bylisit. Megjithatë, fitorja me Skënderbeun ishte fitore karakteri.
Mirë, por pas kësaj ndeshjeje thuajse të gjithë përfaqësuesit e Partizanit dolën në konkluzionin se ishit fituesit moralë të kampionatit. Dukej sikur nuk kishit asnjë shpresë te titulli...?
Shpresa për titull kishte ekipi, pavarësisht se shkonim -5 pikë në Korçë. Thjesht ne shkuam të luanim futboll, ashtu siç i ka hije Partizanit. Mendoj se i treguam rivalit tonë sa i vlen lëkura.
Keni deklaruar pas ndeshjes së fundit se ishit i bindur që Skënderbeu fitonte në Vlorë. Pse kaq i sigurt?
Po, kam thënë se Skënderbeu do të fitonte, edhe pse nuk na e thoshte zemra një gjë të tillë. Si mendoni ju, e lë Skënderbeu një ndeshje të tillë pa e marrë?!
Në ç'kuptim, keni ndonjë dyshim?
Shikoni, nuk kam dyshime te lojtarët e Flamurtarit, thjesht isha i bindur se Skënderbeu do të fitonte me çdo mënyrë.
Ish-trajneri Sulejman Starova ka thënë se Skënderbeu ka fituar shumë pikë me aleatë. Ju si mendoni?
Starova e di më mirë dhe besoj se ka të drejtë. Unë di të them që Partizani s'ka marrë pikë me aleanca dhe as nuk do që të marrë.
Fakti që trajnerët u ndryshuan në mesin e sezonit, mendoni se kjo ndikoi për keq në skuadër?
Varet se si mund të gjykohet ndërrimi i trajnerëve. Unë mendoj se qoftë Starova, ashtu edhe Agostineli, kanë bërë një kampionat të shkëlqyer, pavarësisht se nuk u konkretizua me titull kampion.
Barazimi në derbin ndaj Tiranës, mendoni se ndikoi në vazhdimësinë e skuadrës sa i përket luftës për titull me Skënderbeun?
Barazimi në derbi ishte si humbje për ne, edhe pse arritëm të merrnim një pikë vetëm në sekondat e fundit dhe sikur u ngrohëm pak. Pas asaj ndeshjeje, një gjë nuk arrita të kuptoj, pikërisht festën e Tiranës. Të gëzohet një ekip që del nga objektivi i Ligës së Europës, vetëm këtu mund të ndodhë. Nuk e di, por ishte një festë për dështimin.
Në Korçë nuk kanë lënë pas ironitë për Partizanin në festën e titullit. Madje, mbrojtësi Kristi Vangjeli është shprehur se ata që mendojnë se janë kampionë moralë, të marrin ndonjë kupë shpërblim nga FSHF-ja. Keni ndonjë përgjigje për këto?
Që të jem i sinqertë, nuk e ndoqa festën në Korçë dhe gjithashtu s'kam dëgjuar as deklaratat e futbollistëve. Megjithatë, dua t'u kujtoj atyre se Partizani ka trofe shumë më shumë se Skënderbeu dhe s'ka nevojë për kupë morali. Mbase kjo kupë u duhet atyre që të afrohen sadopak me numrin e trofeve të Partizanit.
Kampionatin e mbyllët me humbje ndaj Teutës në një stadium të tejmbushur. Mendoni se nuk i keni respektuar tifozët, pavarësisht se si shkuan gjërat për titull në javën e fundit?
Ishim përgatitur për një ndeshje që na duhej patjetër fitorja, por shpresuam te Flamurtari dhe kur mësuam që Skënderbeu thelloi shifrat në 0-2 dhe po luhej një lojë shumë e qetë, u demoralizuam. Në këto kushte, neglizhuam punën tonë. Meqë më jepet rasti, u kërkoj ndjesë tifozëve për humbjen me Teutën. Gjithsesi, unë e di që tifozët janë të kënaqur me ekipin.
Shënuat 21 gola në kampionat, është ky sezoni më i mirë në karrierën tuaj?
Të them të drejtën, në aspektin e golave është më i miri. Por kam pasur edhe sezone që kam shënuar më pak e kam fituar trofe. Këtë e kam bërë jashtë Shqipërisë, që është tepër e vështirë t'ia arrish.
Kontrata juaj me Partizanin është drejt fundit, a i keni nisur bisedimet me klubin për rinovimin?
Akoma nuk kemi biseduar për rinovimin e marrëveshjes. Ka kohë për këtë, por mendoj se të dyja palët janë të kënaqura. Pra, si klubi ndaj meje, ashtu edhe unë me klubin. Por nuk e di se çfarë do të ndodhë.
Gjatë kësaj periudhe, cilat kanë qenë ekipet që ju kanë bërë ofertë për sezonin e ri?
Nuk më kanë munguar ofertat, si nga ekipe brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Gjithsesi, është herët për të folur rreth të ardhmes. Nuk mendoj se është etike të përmend tani klube që janë të interesuara për mua. Do të shijoj pushimet njëherë dhe pastaj do të vendos.
JORGIS MEMO