Sipas Hillman, deri në njëfarë pike. "Objektivi ynë nuk duhet të jetë zhdukja, apo mohimi i frikës. Askush prej nesh nuk do të mund të jetonte pa frikën. Ai që nuk e njeh, nuk do të mund as të kalonte rrugën para shtëpisë së tij në mëngjes. Edhe një fëmije i mësojmë të ketë frikë e jo të kundërtën". Për Hillman, vetëruajtja është një ligj i natyrës. Aristoteli në librin "Etika" e përkufizonte frikën si "shmangëse të së keqes". Megjithatë duhet që të dallojmë mes frikës dhe imagjinatës për frikën, që është refleksi i saj. Këtë të fundit e njohin mirë ata që merren me qeverisje. Shteti ka interes që të mbajë një lloj ndjenje frike për ta përdorur pastaj me raste në shërbim të vet.
"Rritja e sigurisë është një nga metodat e kontrollit të shtetit. Përdorimi i frikërave të ndryshme, ksenofobisë, alarmit për shtimin e kriminalitetit, çrregullsive seksuale, të gjitha janë metoda të përdorura nga shteti në favor të tij". Në lidhje me ankthet e shoqërive të zhvilluara janë shprehur shumë profesionistë të fushës së psikologjisë: postmodernistët francezë, sociologë e të tjerë. Për ta bëhet fjalë për një shoqëri të frikës, ankthit, një shoqëri në rrezik. Po a është e mundur që kjo lloj shoqërie, e intuituar në librin e famshëm të Kafkës, "Metamorfoza", të jetë njohur vetëm tani në shekullin XXI? Sipas Hillman, "shoqëria e rrezikut" nuk është një term i sotëm.
Perceptimi i rrezikut është shumë i hershëm. Që nga rënia e perandorisë romake, te sëmundjet e luftërat e mëdha që pasuan, për të ardhur te dy luftërat botërore të shekullit të kaluar, ankthi ka shkaqe specifike dhe tenton që të përsëritet kohë pas kohe. Sot në Amerikë dhe në Evropë qytetarët jetojnë me ankth për fenomene të ndryshme: emergjenca ekologjike, rritja e çmimeve të ushqimeve kryesore, kriza e papritur e bursave dhe institucioneve të kreditimit. Mund të mendosh që fenomenet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Kështu, nëse kemi një krizë ekonomike botërore, kjo shoqërohet me rritje çmimesh dhe mund të ketë efekt edhe në ngrohjen globale.
Hillman e ka studiuar shumë gjatë luftën dhe e di mirë se çfarë roli ka frika në të. Ai nuk është i pari që e rendit frikën ndër ndjenjat kryesore të njeriut. Sigurisht, në këtë renditje u bashkohet shumë studiuesve dhe filozofëve të tjerë më të hershëm që janë marrë me studimin e shpirtit njerëzor si: Descartes, Spinoza apo Kirkegaard. Një nga frikërat më të mëdha është frika për të ndryshuar. Natyra njerëzore është e dhënë pas status quo-së, por njëherazi dihet se ndryshimi është pjesë e jetës.
Një tregues i ndryshimit të pashmangshëm është edhe rasti i kandidatit presidencial për në Shtëpinë e Bardhë, Obama. Me nënë të bardhë dhe baba nga Kenia dhe me një mbështetje të jashtëzakonshme kryesisht nga të rinjtë dhe njerëzit e shkolluar, Obama është tregues i forcës për ndryshim, që është e vetmja që përmbys konturet e frikës, të mbështetura nga status quo-ja. Për sa i përket Amerikës, janë të bardhët ata që kanë frikë, por jo çdo lloj i bardhi, por ai që ka pushtetin, që e ka pasur brez pas brezi e tani i rrezikohet.
Duke iu rikthyer Roosveltit, janë ata që kanë frikë nga vetë frika. Në këtë pikë, për të kuptuar e zgjidhur problemet, duhet që patjetër të vihemi në rolin e tjetrit. Siç shkruan edhe shkrimtari i famshëm hebre, Amoz Oz: "Edhe kur kemi të drejtë 100%, para se të marrim vendim duhet të vihemi në rolin e tjetrit". Po a veçon ndonjë lloj tjetër ankthi të epokës sonë Hillman? "Shembja e kulturës dhe edukimit". Kjo fjali duket si një rekuiem, por Hillman shpjegon: "Brezat e rinj refuzojnë gjithmonë e më tepër mendimin kritik dhe kompleksitetin kulturor. Synojnë t‘i thjeshtëzojnë gjërat dhe kanë pak pika të përbashkëta referimi, duke u rritur gjendjen në sfera të ndryshme manipulimesh, përfshi atë politike. Por një qytetar i thjeshtëzuar është përbërës i një mase njerëzish të thjeshtëzuar.
Sot, një lloj masmedia ka një pushtet shumë të madh te të rinjtë. E tillë është tendenca për të komunikuar nëpër celularë, blogje, çate. Janë të gjitha lidhje sipërfaqësore, mjaft larg nga ajo çka të ofron një media e vërteta, apo një gazetari e vërtetë, pa folur për letërsinë. Me dy fjalë, kultura e blogut është kjo: mund të flasësh me gjithë botën, por nuk ka përzgjedhje, nuk ka kontroll për cilësinë, madje as për të vërtetën apo faktet. "Megjithatë, sipas Hillman, e vetmja gjë që mund të luftojë frikët e ndryshme, ankthet nga e panjohura, qoftë kjo edhe në formën e armiqve imagjinarë, është forca e madhe e ndryshimit që e kemi po aq brenda vetes, sa edhe errësirën e panikut, apo frikës".
Gazeta: Shqip