Në qytetin e Korçës në datë 30 gusht nis simpoziumi ndërkombëtar “Skulptura e parkut”. Qëllimi i këtij aktiviteti është ngritja e Muzeut të Artit Bashkëkohor, duke regjistruar memorien historike të qytetit, format e ndryshme të shprehjeve artistike, por edhe të shpjegojë rëndësinë një vepre arti në hapësirat urbane. Pjesëmarrës në këtë simpozium ndërkombëtar janë artistët: Ayla Turan nga Turqia, Attila Rath Geber nga Hungaria, Antonis Myrodias nga Greqia dhe artisti shqiptar Genti Tavanxhiu, i cili ka ardhur nga Italia. Koordinator artistik është Genti Tavanxhiu (1973). Ai ka lindur dhe ka mbaruar Liceun Artistik në Shkodër. Më pas ka studiuar me piktorin, Lin Delija. Është larguar nga Shqipëria në vitin 1993 dhe aktualisht jeton e punon në Itali. Tavanxhiu është një nga shqiptarët e Italisë, i njohur për arritjet e tij në fushën e skulpturës monumentale. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Tavanxhiu tregon se ky aktivitet u mundëson qytetarëve të shikojnë se si artistët e transformojnë një bllok guri në një vepër arti. Ky aktivitet u krijua në vitin 2008. Fillimisht Korça mirëpriti 32 skulptorë nga; Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Turqia, Portugalia, Greqia, Rumania, Zelanda e Re, Hungaria, Spanja dhe Shqipëria, të cilët realizuan 32 vepra të artit bashkëkohor. Skulpturat janë vendosur në parkun "Rinia" në Korçë. Ky vend është kthyer në një mjedis të vizitueshëm, jo vetëm nga qytetarët korçarë, por edhe nga turistët. Në simpoziumin e vitit 2014 do të mbahen edhe laboratorë për fëmijët, në projektin “Të gdhendim të ardhmen“, mbështetur nga Ministria e Kulturës, prezantuar nga Genti Tavanxhiu.
Zoti Tavanxhiu, së shpejti nis Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës në Shqipëri, ku ju jeni koordinator artistik. Çfarë mund të na thoni për përgatitjet që janë bërë deri më tani?
Qyteti i Korçës ku tradita e veprës së artit gjen mishërimin më të mirë të saj, është bërë mikpritëse e daltës së skulptorëve të vendit, rajonit e më gjerë. Përgjatë katër viteve 2008- 11. Bashkia e qytetit të Korçës ka pritur 32 skulptorë në Simpoziumin Ndërkombëtar "Skulptura e parkut", të cilët i kanë dhuruar qytetit 32 vepra të artit bashkëkohor në gur.
Përse projektin e keni emërtuar “Të gdhendim të ardhmen”?
Përsa i përket temës, nuk është se kemi vendosur ndonjë rregull. “Të gdhendim të ardhmen” është titulli i projektit që kam prezantuar pranë Ministrisë së Kulturës, prandaj e kemi lënë kështu.
Cilët janë artistët e përzgjedhur për këtë simpozium?
Simpoziumi i Ndërkombëtar i Skulpturës “Korça park”, tashmë në edicionin e tij të pestë do të organizohet nga data 30 gusht deri më 10 shtator 2014 në ambientet e qytetit të Korçës. Këtë vit do të kemi pjesëmarrëse edhe 2 shtete të reja; Hungarinë dhe Greqinë që përfaqësohen me artistët: Attila Rath Gaber dhe Antonis Myrodias. Na nderon me ardhjen e saj artistja turke, Ayla Turan. Për të parën herë me një kontribut të pjesshëm bashkëngjitet edhe Ministria e Kulturës.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është ndërtimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor. Si e shikoni zhvillimin që ka pasur deri më sot?
Korça është qyteti i parë në Shqipëri ku artistët ndërkombëtarë vendosin skulptura publike me karakter modern dhe monumental. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për historinë e artit shqiptar. Këto vepra të rëndësishme do të lënë gjurmë në psikologjinë e artistëve shqiptarë, por edhe do t’i ndihmojnë ata që të dalin jashtë rregullave të ngurta, të shkollave të Evropës lindore figurative. Një laborator i tillë është shumë i rëndësishëm për artistët sepse, ndihmon në promovimin dhe në konfrontimin e veprës së tyre me punimet e artistëve të tjerë. Zhvillimi i tij bëhet në një ambient të predestinuar nga Bashkia e qytetit të Korçës dhe mundëson qytetarët të bëhen spektatorë gjatë punimit të skulpturës. Ata mund të shikojnë se si artistët e transformojnë pak nga pak një bllok guri në një vepër arti. Ky është vetëm njëri nga aspektet e simpoziumit mbasi zhvillimi i tij konsiston kryesisht në punën e skulptorëve, në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin dhe në përballje me të përditshmen. Nga ky aspekt artistëve shqiptarë do t’u krijohet mundësia e krahasimit të dijeve qoftë në aspektin teknik e teorik, por edhe për të ndarë eksperiencat e mëparshme. Do krijohen njohje e miqësi të reja, të cilat mund të kthehen në të ardhmen në bashkëpunime serioze, eksperienca ose miqësi mes artistëve dhe qytetit.
Përse është zgjedhur qyteti i Korçës për ekspozimin e tyre?
Qyteti i Korçës ka shprehur dëshirën i pari për të organizuar një aktivitet të tillë, nuk ka asnjë arsye tjetër.
Në simpoziumin do të mbahen edhe laboratorë për fëmijët. Çfarë qëllimi ka kjo nismë ?
Në simpoziumin e këtij viti do të mbahen edhe laboratorë për fëmijët, të cilët do të shërbejnë për edukimin e brezave të rinj, qëllimi kryesor është edukimi përmes kulturës.
Keni konstatuar dëmtime në parkun “Rinia”? Çfarë mund të na thoni për gjendjen e 32 veprave të artit që ruhen atje?
Kemi pasur dëmtime të theksuara te skulpturat e edicioneve të kaluara, mbase laboratorët me fëmijët do ndihmojnë që brezi i ri ta shikojë nga afër punën e artistëve. Duhet kohë që të ndërtohen ndjenja civile dhe të largohemi nga barbarizmat. Fakti qëndron se, nuk mund të vihet në çdo vepër arti një polic. Njerëzit mund të qytetërohen gradualisht, kjo do të thotë që do të kemi sakrifica të tjera, por ne do të vazhdojmë me këmbëngulje idenë e edukimit. Mendojmë gjithashtu që, në të ardhmen të ketë laboratorë për studentët dhe për akademinë, por për arsye kohe nuk jemi në gjendje për këtë vit.
A keni një mesazh që doni ta përcillni nëpërmjet kësaj pune?
Ideja e simpoziumit të “Skulpturës së parkut”, nuk është e re. Historia a simpoziumit të “Skulpturës së parkut” fillon në vitin 1959 në St. Margaret në Austri, ku skulptori Karl Prantl solli një risi në art, duke ftuar kolegët dhe artistët që të krijonin skulptura, duke punuar së bashku për një periudhë kohe në mjedise të hapura, ku do të realizonin një projekt për një vend specifik. Miqtë e tij e adoptuan idenë duke ftuar me radhë miqtë e tyre nga vende të ndryshme. Kështu linden në të gjithë botën “parqe me skulptura” si dhe “open air museum”.
Qysh prej 20 vjetësh krijimtarinë tuaj artistike e keni zhvilluar jashtë Shqipërisë. Çfarë mund të na thoni më tepër?
Aktiviteti im gjatë këtyre 20 viteve ka qenë intensiv. Por shteti shqiptar nuk më ka mbështetur asnjëherë pavarësisht se kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë shtete të botës, por ta lëmë këtë, kjo i përket të shkuarës. Vazhdoj të jem aktiv dhe në muajt shtator-tetor 2014 do përfaqësoj Shqipërinë në Iran, në Simpoziumin Ndërkombëtar të Skulpturës në Teheran dhe në “Open Air Museum Pingtan”, në Kinë me një vepër monumentale në granit të zi.
Skulpturat janë pasuri e trashëgimisë kulturore në qytet
Simpoziumi i Skulpturës në Korçë me temë: “Skulptura e parkut” ka nisur në vitin 2008 me ndërhyrjen e ish kryetrarit të Bashkisë, Niko Peleshi, i cili është dhe ideator i tij. Simpoziumi i “Skulpturës së parkut”, për herë të parë në historinë shqiptare, po kontribuon për ngritjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor. Duke regjistruar në memorien historike të qytetit format e ndryshme të shprehjeve artistike edhe duke mundësuar eksperimentet për funksionin që ka vepra e artit në hapësirat e reja urbane.
Janë zhvilluar 4 edicione deri në vitin 2011. Skulpturat tashmë janë pasuri e trashëgimisë kulturore në qytet. Ato gdhenden dhe marrin formë në parkun "Rinia". Janë vepra abstrakte që realizohen me gurë të bardhë, me blloqe masive mbi 2 metra, me dimensione dhe forma të paracaktuara nga vetë artistët. Në këto vepra të artit abstraksionist konkretizohet gjeografia e vendit të origjinës, formimi artistik i skulptorëve, bukuria estetike si dhe miksimi i historisë, misticizmit dhe traditës së popujve. Simpoziumi është prezantuar dhe regjistruar nga Gent Tavanxhiu në “International Sculpture Symposium Alliance” (ISSA), Tongling, Kinë 2012.