Snajperi Sinanaj Jam i saktenuk gaboj kurre

'Snajperi' Sinanaj: Jam i sakte,nuk gaboj kurre

Që të jesh një vrasës me pagesë sëpari duhet të kesh një shënjestër pagabueshme, për të mos folur pastaj për ndërgjegjen që nuk duhet ta kesh fare. Vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj duket se i përmbush këto dy pika. Gjatë një prove në poligonin e qitjes, 27-vjeçari ka befasuar me aftësinë e tij.

Shënjestra e tij është vënë në provë me armë të ndryshme si pistoletë, snajper dhe kallashnikov. Përveçse ai kishte një shënjestër për të qenë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, Sinanaj gjithashtu ka treguar se është një njohës i mirë i armëve të zjarrit.

Prova

Procesi i qitjeve është bërë në dy faza. Në fazën e parë ai ka qitur me pistoletat e ndryshme, në distanca të vogla. Fillimisht ai ka qëlluar nga një distancë prej 1 metër. Normalisht që i ka marrë “pikët” maksimale nga një distancë kaq të vogël. Prova ka vijuar në një distancë prej 2.4 metrash dhe procesi i qitjes është mbyllur me largësinë prej 4 metrash. Dhe sërish Sinanaj ka qëlluar në shenjë, raporton gazeta “Shqip”.

Faza e dytë ka të bëjë me armët automatike dhe snajper, ku është shënuar nga distanca 20, 40 dhe 55 metra. Në të gjitha largësitë, Julian Sinanaj ka qenë i saktë në qitje. Ekspertët kanë dalë në konkluzionin se ai është një profesionist qoftë në njohjen e armëve apo edhe në shënjestër. Gjatë gjithë procesit ai ka kapur “pikët” maksimale, duke mos gabuar asnjëherë. Gjithashtu ekspertët kanë dalë në konkluzionin se sapo Sinanaj merrte në dorë armën, nuk shfaqte asnjë shenjë nervozizmi. Ai kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të gjitha llojet e municioneve. Të njëjtin qëndrim mbante edhe gjatë momentit të qitjeve. Ai godiste pa pësuar dridhje ose lëkundje fizike. Nëse ndodh një fenomen i tillë, shënjestruesi gabon në goditjen e objektit e për pasojë i riu nga Elbasani do të dështonte në ekzekutimin për të cilin ishte paguar. Julian Sinanaj nuk i kishte këto simptoma, e për pasojë nuk kishte as gabime në momentin që ai qëllonte mbi viktimën.

“Nuk gaboj asnjëherë”

“E shikoni që jam i saktë në goditje dhe nuk gaboj asnjëherë. Unë nuk gënjej për ato që kam thënë”, u është shprehur Sinanaj ekspertëve, pas përfundimit të procesit të qitjes në poligon. Sinanaj është shprehur se njohuritë që kishte për municionet luftarake, e kanë bërë të njohur në biznesin e vrasjeve me pagesë. Rezulton se ai është i aftë që të qëllojë me të dyja duart dhe kjo e bën atë unik në mënyrën e të vepruarit. Vrasësi me kontratë ishte shumë i kërkuar në treg, pasi nuk gabonte kurrë. Gjithashtu ai vepronte pa lënë asnjë gjurmë në skenën e krimit, duke e vështirësuar punën e policisë në zbardhjen e dhjetëra vrasjeve pa autor në Shqipëri.

 

Pasi ekzekutonte viktimën e radhës, 31-vjeçari e hidhte armën e krimit. Ai nuk e përdorte atë për të dytën herë, pasi gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes do të krahasoheshin në laboratorin e balistikës. Këto të dhëna do të ngrinin dyshime se vrasja ishte kryer nga e njëjta dorë. Si pasojë e kësaj, një pjesë të parave që merrte për ekzekutim, e shpërdoronte për mbijetesë, ndërsa pjesën tjetër për blerje të armatimeve. Për të mos rënë në gjurmët e policisë, bazën materiale ia siguronte bashkëpunëtori i tij, Ndriçim Gjokona. Ky i fundit është i arrestuar nga policia dhe ka statusin e të penduarit. Nëse Gjokona nuk do të kishte dekonspiruar në polici për bandën e mafies së tritolit C4 dhe vrasjeve me pagesë, atëherë karriera kriminale e Julian Sinanajt do të vazhdonte sërish.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama