Këtë vit, sipas koreografit Deli Metaliaj, folklori, grupet dhe instrumentistët popullorë sollën prurje të reja në flokun shqiptar, çka do të thotë se po punohet seriozisht në këtë drejtim, sidomos nga trevat e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, ku banojnë dhe jetojnë shqiptarë. Por akoma, vazhdon ai, duhet të hulumtohet ende për evidentimin e vlerave të trevave shqiptare.
Gjatë ditëve të festivalit binte në sy organizimi dhe përfaqësimi dinjitoz i grupeve çka duhet vlerësuar puna mjeshtërore e regjisorit të njohur Llesh Nikolla. Tashmë pjesë e artit mbarëkombëtar është edhe Presheva, e cila mbylli edhe festivalin e 11-të “Sofra Dardane 2013”, me një paraqitje dinjitoze,duke u brohoritur nga artdashësit e shumtë të Tropojës.
Në ditët e festfolkut “Sofra Dardane” u bë edhe përurimi i librit “Në sofrën e artit” të njërit prej artistëve të ansamblit “Dardania”, poetit dhe studiuesit Zog Hysenaj. Aktiviteti u zhvillua në mjediset e lokalit “Real” të pronarit Ahmet Malaj, i cili duhet falënderuar për mbështetjen financiare. Gjithashtu gjatë ditëve të festivalit u vlerësuan personalitete të artit dhe të kulturës në vite të Tropojës , Kosovës dhe diasporës.
Kryetari i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj, përshëndeti artistët dhe popullin artdashës të Tropojës për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve zhvillimit të festivalit./Shekulli Online/Përgatiti:Gjon Neçaj/