Ndodh që, edhe një shkrepje e vetme fotografie të mjaftojë për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Në kohëra emergjencash edhe arti vihet në shërbim. Ditën e shtunë në datën 16 janar në orën 18.00, Shkolla Shqiptare e Fotografisë “Projekt 5.6” hap një ekspozitë-solidariteti, në ndihmë të popullsisë së Shkodrës, e cila sot gjendet në ditë të vështira, për shkak të përmbytjeve. Sipas drejtueses së Qendrës Kulturore “Lindart”, ku do të organizohet ekspozita, Eleni Laperi, kjo nismë, ishte një ide e një prej miqve të kësaj qendre, e cila u mbështet në mënyrë të menjëhershme nga qindra njerëz. Mjaftoi vetëm një lajmërim në faqen e tyre në facebook, që në adresën e tyre të vërshonin mijëra fotografi. “Kanë ardhur fotografi pa fund, por ne do të zgjedhim vetëm 100 prej tyre, të cilat do t’i stamponim në formatin e kartolinave”, - thotë Laperi. Qëllimi, nuk është thjesht për të hapur një ekspozitë e për të kundruar artistikisht fotografitë që do të ekspozohen aty. Këto fotografi do të ofrohen për shitje. Çdo njëra prej tyre kushton 500 lekë të reja dhe shuma e mbledhur do të derdhet në numrat e llogarive që janë hapur për të ndihmuar popullsinë e përmbytur në veri. Ideja fillestare për Foto Barin e radhës të Shkollës Shqiptare të Fotografisë “Projekt 5.6”, ishte fiksimi i momentit të ndërrimit të viteve. Shkrepen kaq fotografi gjatë një viti.. përse të mos i kushtohej një ekspozitë vetëm momentit të ndërrimit të viteve? E siç mund të përfytyrohet, do të ishte një ekspozitë argëtuese, me ngjyra të gjalla, fishekzjarrë, trokitje gotash, fytyra të qeshura, shkëmbime urimesh e puthjesh... Ishte parashikuar edhe një bisedë mbi fotografinë. Por ngjarjet e fundit në veri,e kthyen ekspozitën në një mision. Një mision që organizatorët e ndjejnë dyfish detyrim për ta organizuar. Sepse janë me mijëra njerëz që kanë nevojë për mbështetje, por edhe sepse Shkodra është qyteti i fotografisë, është qyteti i Marubëve, ku ka nisur tradita e fotografisë dhe ku ruhen thesaret më të çmuara të saj. “Është tepër interesante të shohësh se çfarë sensibilizimi ekziston mes shqiptarësh. Kanë ardhur fotografi nga të katër anët e vendit, madje, edhe nga Kosova e nga Mali i Zi. Të gjitha janë të gatshëm për të ndihmuar me këtë formë simbolike”, shton Laperi. Sipas saj, dërguesit janë të moshave të ndryshme, shumica e tyre janë amatorë, por nuk mungojnë edhe profesionistë që kanë dërguar shkrepjet e tyre. Tematika është e shumëllojshme. Duke iu përmbajtur idesë fillestare, ka pasur shumë dërgime fotografish që tregojnë momentin e ndërrimit të viteve, por ka edhe shumë shkrepje në vendngjarje. Janë të shumtë ata që kanë dërguar fotografi nga Shkodra nën ujë. Disa kanë karakter të mirëfilltë social, por ka edhe nga ato, ku është zbuluar artistikja, e bukura, edhe në një fatkeqësi si ajo që po përjetojnë tani banorët e fshatrave e lagjeve periferike të Shkodrës. Adresa elektronike e Shkollës së Fotografisë është thuajse e bllokuar. Drejt saj shkojnë me qindra fotografi, aq sa organizatorët e ekspozitës e kanë të vështirë të zgjedhin më të bukurat. Do të kishin dashur t’i ekspozonin të gjitha, megjithatë do të ketë një përzgjedhje të më të mirave. Afati i dërgimit të fotografive është dita e premte. Ditën e shtunë janë të gjithë të ftuar të marrin pjesë në këtë ekspozitë solidariteti.
Alma Mile : Gazeta Panorama