Solistet e Operes kundershtojne kontrollin teknik

Solistet e Operes kundershtojne kontrollin teknik

“Vlerësimi i performancës për trupën artistike”, që do të zhvillohet në datën 10 korrik 2015 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nuk është mirëpritur nga artistët. Në një bisedë zhvilluar për gazetën “Shekulli”, baritoni Ylber Gjini, i cili ka 25 vjet që ushtron këtë profesion në mjediset e këtij institucioni tregon arsyet se pse është kundër këtij vlerësimi.

 

Sipas tij, ky vlerësim është tendencioz dhe më mirë do të ishte që të bëhej një kalendar artistik, që artistët të dinin se kur do të angazhoheshin në skenë, se sa të dilet përballë një komisioni, që i bën artistët të ndihen sikur janë në lice. Të njëjtin shqetësim kishin dhe solistë të tjerë, por ata kishin shpresë se gjatë ditës së sotme do të bëhej i mundur komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve, (drejtues-artist).

Zoti Gjini, çfarë mund të na thoni për kontrollin teknik ndaj solistëve të operës në datën 10 korrik?

Kur ne ishim pushim, është vënë lajmërimi për këtë kontroll teknik dhe duket se është një veprim tendencioz dhe i pabesë. Gjithashtu, është i papranueshëm nga ana ligjore, sepse ne e kemi të përcaktuar datën se kur duhet të bëjmë vlerësim të performancës artistike (25 nëntor - 30 dhjetor) dhe jo në datën 10 korrik.

Pra, ju thoni se nuk bëhet fjalë për një audicion të parashikuar?

Jo. Nëse do të ishte kështu, do të ishte shumë mirë, sepse do të bëhej dhe kalendari artistik nga drejtoresha artistike, por kjo nuk bëhet.

Përse artistët e kanë marrë, si fyerje këtë kontroll teknik?

Artistët për t’i fyer i fyen shumë kollaj, nga vetë natyra që ata kanë, sidomos solistët. Unë personalisht kam 30 vjet që po jap jetën në skenë. Ndërsa tani, për shkak të forcës politike që mund të kenë, mund të më ofendojnë, por jo të më mbyllin gojën, sepse për rrogën që marr nuk e kam aspak problem dhe sikur të ngelem pa të. Duhet të kuptojnë se solisti është i shenjtë dhe duhet pasur kujdes komunikimi me të. Ai është individ që qëndron përballë një orkestre që përbëhet nga 60 veta, duke marrë përgjegjësi të mëdha në skenë. Por të debutosh tërë vitin në skenë dhe në fund të sezonit të të kërkohet një kontroll teknik, këtë nuk e kuptojmë se çfarë është. Përpos kësaj pretendohet se vijnë dy personalitete nga Italia, por nuk është kështu. Ne vihemi përballë një jurie qesharake.

Problemi qëndron se këtu po luhet një lojë, të cilën neve nuk na i kanë servirur kështu. U hodh ideja e kontratave, që unë e kontestova, derisa në fund fare na i shitën si rregullim të marrëdhënieve juridike të punës, sepse në teatër ishin zhdukur të gjitha kontratat e punës. Nuk e di se si, por ne na nxorën pa kontrata. Të gjendur përballë këtij fakti real, ku ata na thanë se nuk kishim kontrata, këtë e bëmë me sforco, e bëmë, sepse dhe vetë i besojmë qeverisë që votojmë. Megjithatë, nëse çdo gjë ishte në rregull nga ana ligjore, as firmosja nuk duhej të bëhej në atë mënyrë, por duhet të gjendej personi dhe mënyra e duhur për të komunikuar me artistët.

Pas firmosjes së kontratës, para një viti, si ka vijuar bashkëpunimi mes artistëve dhe drejtuesve?

Kemi qenë në Ministrinë e Kulturës dhe pas firmosjes së kontratës ne kërkuam që të njihet në fillim statusi i artistit, pastaj Ligji për Artin dhe më vonë reforma, por po shohim se nuk po bëhet asgjë. TKOB-i ka disa rregulla, të cilat ne duhet që t’i zbatojmë. Pra, sikurse i kemi ne ndaj teatrit dhe teatri karshi nesh ka disa detyrime reciproke. Punohet në një bodrum të errët dhe vetëm kur del krisma jashtë, shohim se çfarë bëhet. Nëse kanë qëllim për ta mbyllur TOB-in, të dalin burrash dhe ta thonë. Është logjike ajo se, nëse goditen gjeneralët, ushtarët ikin vetë pastaj. Kjo tendencë ka qenë dhe në drejtimin e mëparshëm. Ai ishte usta dhe këtë bëri. Solisti është shumë i ndjeshëm, nëse ofendohet.

Por ju nuk jeni dakord as për anëtarët e komisionit që do t’ju vlerësojë gjatë kontrollit teknik...

Nuk mund të vësh një juri që është shumëfish poshtë nivelit të solistëve. Për këdo që është në juri, i bie që ne t’u bëjmë kontroll atyre. Për shembull, kam 25 vjet këtu dhe kam luajtur role nga më të ndryshmet, por e vetmja mënyrë që mund të më denigrojnë mua, që nuk e mbyll këtë të shkretë gojë, sepse kështu kam lindur, është që të më nxjerrin para një komisioni jo të mirëfilltë duke më thënë: Këndo para këtyre që të të vlerësojnë si je ti.

Ne ishim mësuar dhe e krijuam një standard për një kalendar 1-vjeçar me fondet që kishte TOB-i. Solistët e dinin se gjatë vitit kishin vepra të përcaktuara, prandaj secili i shkonte pas punës së tij. Ndërsa kjo gjë tani nuk po bëhet. Këta duan që ta kthejnë teatrin në kompani, përderisa thonë: TOB-i dhe Filarmonia. Meqenëse ne jemi elita e shoqërisë (me modesti e them këtë), sepse si artistë nuk dimë të bëjmë replika të forta, sepse nuk jemi prepotentë, nuk do të thotë se kemi frikë, vetëm se kemi mbetur shumë të çuditur nga sjellja e tyre. Artistët, nëse ngrihen, nuk ka lumë që t’i ndalojë. Madje, më së fundmi, komunikimi ynë është prerë dhe duhet bërë vetëm me email me drejtuesit.

Po për sa i përket uljes së moshës për pensionin e artistëve, çfarë mund të na thoni?

Aktualisht jemi në një sindikatë të gjymtuar, por tani që po tentojnë të nxjerrin një masë të madhe artistësh në pension, me atë pensionin skandaloz ku për 25 vjet në teatër, me rroga që, të them të drejtën, mezi kemi ngrënë bukë, jo vetëm vlerësim monetar që nuk ka, por as për vlerësim moral nuk bëhet fjalë. Në fund na nxjerrin në mënyrë të tillë: Shyqyr që dole në pension. Ikim me pensione qesharake, jo si artistë që kemi lënë zemrën dhe shpirtin në skenë. Kemi biseduar në tavolinë dhe e kemi lënë se, kur të dalim në pension, do të dalim me dinjitet. Do të rishikohej dhe pensioni, që artisti të mos këtë turp se ku ka punuar, por të qëndrojë ballëhapur.

Fakti më i hidhur është se këtu te ne kanë hequr dhe të drejtën për të shkuar në Universitetin e Arteve si pedagog. Atje nuk mund të konkurrojmë, sepse kanë vënë disa rregulla që ne këtu nuk i plotësojmë dot, se nuk mund që të bëhemi profesor të asociuar, pavarësisht viteve, por as atje nuk pranohemi pa këtë. Përpos kësaj Universitetin e Arteve e kanë hequr nga varësia e Ministrisë së Kulturës, dhe e kanë vënë te Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Ata, jo vetëm që nuk na njohin ne, por do të ishte hata, nëse do të kishin ardhur ndonjëherë në opera. Gjithashtu, qysh nga viti 1990 deri më sot në TKOB nuk është dhënë asnjë titull. Titujt shiten dhe blihen, por nuk jepen.

A i keni sheshuar këto ankesa me drejtuesit?

Jo. Nuk kemi pasur komunikim mes palëve. Po përfitohet, sepse po punojnë me njerëzit më me kulturë që ka Tirana, por ne po prekemi, sepse e kemi mbajtur këtë zanat me djersë.

Vetëm në Shqipëri rregullorja e brendshme, qëndron mbi kontratën

Rudin Sata, tenor pranë Teatrit të Operës së Baletit, si përfaqësues i artistëve shprehet shumë i indinjuar për atë çka po përjetojnë artistët në këto momente. Sipas tij, ky audicion është në shkelje me vetë rregulloren që përfaqësohet TOB-i. Audicioni për vlerësimin e performancës artistike nuk është përcaktuar për në korrik, por përgjatë datave 25 nëntor - 25 dhjetor, sipas kategorisë së artistëve. “Vetëm në Shqipëri rregullorja e brendshme e një institucioni mund të dalë mbi kontratën”, shprehet ndër të tjera Sata. Ndërsa termi kontroll teknik, është një tjetër fyerje për solistët, pasi ata e kanë bërë që në lice, tani duhet të bëjnë vetëm audicione.

Zoti Sata, si përfaqësueses i komunitetit të artistëve të TKOB-së, si mund ta komentoni nga ana ligjore këtë situatë që është krijuar në TKOB?

Nga ana ligjore kjo është e mbaruar. Në këto 25 vjet të demokracisë shfrytëzohen institucionet, duke vendosur oligarkët, të cilët nuk janë gjë tjetër, veçse pjesë e qeverive që vijnë ose janë. Problemi është se duan që të gënjejnë artistët me pseudoreforma dhe nuk u referohen asnjë standardi evropian. Ky është paradoksi i këtyre. Më shqetësuese është se ky nuk është vullnet për t’iu referuar modelit evropian, por interesave klienteliste. Nuk bëjnë gjë tjetër veçse me këto dispozita ligjore kanë instaluar sëmundjen patologjike të këtij institucioni, amoralitetin artistik institucional.

Pse e quani kështu?

Sepse baza ligjore është në kundërshtim me çdo të drejtë profesionale qytetare dhe etike të artistit.

Kontrolli teknik apo audicioni, si parashikohen në rregullore?

Ky është paradoksi. Janë mësuar me një gjë, që ndodh vetëm në Shqipëri, që një akt normativ prevalon mbi një predispozitë ligjore. Konkretisht nuk mund që të prevalojë rregullorja e brendshme e një institucioni, e cila është e fundit për nga hierarkia vertikale e predispozitave ligjore, të dalë mbi kontratën.

Rregullorja e brendshme mbi kontratën...

Kur u firmosën kontratat me lot në sy nga artistët, kur u kërcënuan me bukën e gojës: Ose firmosni, ose nuk ju japim bukën e gojës. Në datën 9 korrik 2014 u firmos nga artistët, sepse ata vendosën një kufi kohor se, nëse nuk firmoseshin në datën 10 korrik, nuk do të kishte rroga. Artistët firmosën nga frika se mos nuk merrnin pagat. Por çfarë ndodhi? Ajo ishte thikë pas shpine.

Por sot si qëndron kontrolli teknik, sipas rregullores?

Kur ishte firmosur kontrata, rregullorja nuk ishte bërë fare. Unë kam një fakt se rregullorja mban datën 25. 07. 2014 kurse artistët kanë firmosur në datë 9. 07. 2014. Ndërsa tani thonë se, përderisa ke firmosur kontratën, do të zbatosh dhe rregulloren. Gjërat e mira nuk bëhen në bodrume.

Domethënë rregullorja e përfshin kontrollin teknik në këtë periudhë?

Ky term mungon. Ka vetëm audicion. Në mënyrë eksplicite audicionin e përmend vetëm neni 12, i cili ia delegon nenit 13. Ndërsa neni 24, që këta i referohen në njoftimin e fundit, nuk bën fjalë për kontroll teknik fare. Por nuk qëndron këtu problemi, se fjala kontroll teknik është për liceun, për gjimnazet, për saxho (lice dhe akademi). Ndërsa te ne ekziston fjala audicion, që duhet t’u thuhet artistëve. Ky është diskriminim. Kjo është shkelje ligjore se nuk ka kontroll teknik, por vetëm audicion që duhet bërë nga data 25 nëntor, deri në 25 dhjetor, neni 12 që e kanë bërë vetë këta. Mund të them se këta artistë audicionet i kanë me spektatorët, aty ku kanë dhënë gjak për të ardhur deri këtu. Tani solistët duhet të mbrojnë veten me argumente bindëse dhe duke iu referuar ligjit... Ky është një proces teknik, por pas saj fshihet dhunimi i individit. Këto janë shantazhe, nga ku kuptoj se opera është në greminë.

Reagimi i TKOB-së

“Ky audicion është një proces rutinë, që do të bëhet çdo vit në përmbyllje të sezonit artistik në TKOB”

“Shekulli” kontaktoi për të takuar drejtoreshën artistike të TKOB-së, Abigeila Voshtina, por arriti që të komunikonte me të vetëm me emai-l, vetëm nëpërmjet ndërmjetësimit të specialistes të departamentit të promocionit dhe imazhit, Izabela Zaçe. Pyetjet që i drejtuam për sa i përket “Vlerësimit të performancës së trupës artistike”, në datën 10 korrik 2015 ishin: Përse shërben ky kontroll teknik për solistët e kategorisë së parë, dytë dhe të tretë? A është pjesë e kontratës (apo e përfshin rregullorja), që ata kanë firmosur se, në datën 10 korrik duhej të bënin këtë audicion? Si do të ndikojnë pikët e mbledhura (vlerësimi), nga kjo performancë në vijueshmërinë e tyre të punës gjatë sezonit të ardhshëm? etj.

Përgjigjja me shkrim ishte e përbashkët dhe për të gjitha mediat: “Duam t’ju bëjmë me dije se në datën 10 korrik 2015 në TKOB do të zhvillohet audicioni për vlerësimin teknik të performancës së artistëve në TKOB. Në këtë audicion do të përfshihen të gjithë solistët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë (ndërkohë që audicioni për koristët është kryer në janar të këtij viti). Ky kontroll, i cili është i parashikuar në rregulloren e brendshme të TKOB-së, i propozuar nga Ministria e Kulturës (ashtu siç është bërë për të gjitha institucionet e tjera në varësi të MK-së) dhe i miratuar nga titullari i institucionit në 25 korrik 2014, ka si synim ruajtjen dhe përmirësimin e nivelit artistik të artistëve të këtij institucioni”. Duke vijuar më tej se ky është një kontroll rutinë, i cili duhet të kryhet një herë në vit dhe rezultatet e tij nuk janë përcaktuese për nivelin e secilit artist. “Rezultati përfundimtar, ashtu siç parashikohet edhe në rregullore është një mekanizëm i përbërë nga rezultatet e performancave të këtyre artistëve gjatë vitit”.

Për sa i përket komisionit që përbëhet nga: Abigeila Voshtina, kryetare e komisionit, Paolo Carbone, anëtar, Franco Sebastiani, anëtar, Edmond Dako, anëtar dhe Ardita Bufaj, anëtare shkruan: “Për sa i përket panelit, i cili do të bëjë vlerësimin sipas rregullores, kryetar do të jetë drejtori artistik i institucionit dhe anëtarët e tij janë të përbërë nga emra të cilët kanë bashkëpunuar me solistët e TKOB-së gjatë aktiviteteve të ndryshme, që janë zhvilluar gjatë vitit për të cilin do të bëhet vlerësimi dhe që janë vlerësuar për punën e tyre nga vetë artistët”. Duke përfunduar: “Theksojmë edhe njëherë se ky audicion është një proces rutinë, i cili do kryhet çdo vit në përmbyllje të sezonit artistik në TKOB. Për çdo informacion shtesë referojuni Rregullores së Brendshme të TKOB-së (Neni 12,13), e cila është e publikuar në faqen tonë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama