Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013, SOROS ka kryer në Shqipëri 1208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Të pyetur për përkatësinë e tyre ideologjike majtas apo djathtas në një shkallë nga 0 deri në 10, ku 0 nënkupton të majtën ekstreme dhe 10 të djathtën ekstreme, në shkallë kombëtare shqiptarët janë të qendrës, me tendencë djathtas, në nivelin 5.3. Rreth 23% e të intervistuarve e ndjejnë veten afër me Partinë Demokratike, 20% me Partinë Socialiste, dhe 4% refuzojnë t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.
Për partitë e vogla, 1% e qytetarëve shprehen afër me PDIU-në dhe po kaq me LSI-në, 1.2% me Aleancën Kuqezi dhe 1.3% me Frymën e Re Demokratike. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kapin pak më shumë se gjysmën e elektorateve potenciale sipas përkatësisë ideologjike. Konkretisht, 56.7% e qytetarëve që shprehen djathtas, shprehen edhe më të afërt me Partinë Demokratike, dhe 57.3% e qytetarëve që shprehen majtas ideologjikisht, shprehen më të afërt me Partinë Socialiste.
Rreth një e treta e qytetarëve si djathtas, si majtas, nuk ndihen afër me asnjë parti. Ndërkohë, nga qytetarët që identifikohenme qendrën, pjesa dërrmuese, 73.3% nuk ndjehen afër me asnjë parti. Në nivele të ngjashme të ulëta janë qytetarët e qendrës, që ndihen më afër me PD dhe PS – rreth 7% me secilën. Një pamje e kryqëzuar e gjetjeve paraprake mbi partinë e votuar në vitin 2009 dhe partinë që ndjejnë më afër sot, sugjeron se Partia Socialiste ruan dy të tretat e elektoratit të 2009-ës dhe gjen të alienuar (jo afër me asnjë parti) 30.6% të atyre që e votuan më 2009-ën.
Ndërsa Partia Demokratike ruan 54.5% të zgjedhësve të saj në 2009-ën, dhe gjen të alienuar 36.7% të këtyre zgjedhësve në 2009-ën. Partia që ka pësuar distancimin më të lartë nga elektorati i vitit 2009 është Lëvizja Socialiste për Integrim, me 60% të atyre që e votuan në 2009-ën, që shprehen se sot nuk ndihen afër me asnjë parti. Partitë që i ruajnë më bindshëm elektoratet e tyre të 2009-ës janë PBDNJ, me 80%, që ende sot ndihen afër me këtë parti, dhe PDIU me 75% të atyre që e votuan më 2009-ën, të cilët shprehen se ndjehen më afër me të sot.
Nga ata që nuk kanë votuar më 2009- ën dhe që janë potencialisht zgjedhës të rinj sivjet, 9.6% shprehen afër me PS, 16.4% me PD. Realizimi i Sondazhit Social Europian koordinohet nga zyrat qendrore në City University London, ndërsa u sqarua gjatë prezantimit të sondazhit të djeshëm se të dhënat e nxjerra janë paraprake dhe të pjesshme, pasi Ekipi Qendror Shkencor i Sondazhit Social Europian i bën publike të gjitha të dhënat dhe bazën e plotë të tyre në përfundim të procesit të vlefshmërisë, në vjeshtë 2013.
Sondazhi paraprak, vetëm 1208 të intervistuar në vend
Hulumtimi Social Europian kryhet sot në mbi 30 vende të Europës, për të kuptuar stofën sociale, politike dhe kulturore të shoqërive të ndryshme. Pyetësori mbulon përfshirjen sociale, besimin fetar, besimi tek institucionet dhe politika, këndvështrimet mbi demokracinë si dhe perceptimet e njerëzve për mënyrën sesi po shkon jeta e tyre. Realizimi i Sondazhit Social Europian koordinohet nga zyrat qendrore në City University London. Gjatë muajit dhjetor 2012 – shkurt 2013 janë kryer në Shqipëri 1 208 intervista të vlefshme, ballë për ballë, shtëpi më shtëpi, në të 12 qarqet e Shqipërisë, në fshat dhe qytet. Teknika e intervistimit sjell risi në Shqipëri, sipas organizatorëve, pasi intervistat janë kryer nëpërmjet tabletave kompjuterike, që mundësojnë hedhjen e të dhënave në kohë reale në kompjuter, duke evituar kështu gabimin njerëzor.
Shqiptarët mosbesues, por të kënaqur me veten
Shqiptarët kritikojnë politikanët, qeverinë, drejtësinë dhe ekonominë, por janë të kënaqur e të lumtur me veten. Paradoksi del në pah në sondazhin paraprak, të publikuar dje nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ku theksohet se të intervistuarit e kanë vlerësuar me notën 6.4 nivelin e tyre të lumturisë. Në këtë drejtim, shqiptarët rezultojnë më të lumtur se rusët, grekët, ukrainasit apo bullgarët, megjithëse renditen shumë poshtë në krahasim me vendet e tjera të Europës. Notë relativisht pozitive ka marrë edhe pyetja se sa të kënaqur janë përgjithësisht me jetën e tyre. Të intervistuarit kanë vlerësuar me 5.8 nivelin e jetës, në një shkallë nga 0 për tepër i pakënaqur, në 10 për tepër i kënaqur. Të njëjtën notë mban ky nivel edhe në grafikun për indeksin e kënaqësisë, në sondazhin paraprak për çështjet politike, sociale dhe besimin tek institucionet.