Pogradeci është vënë edhe një herë në qendër të akuzave në kampionatin e Kategorisë së Parë. Pas mbrojtësit të Dinamos, Roland Peqini, dy javë më parë që deklaroi se liqenorët u kishin ofruar para dinamovitëve për të blerë ndeshjen, një ditë më parë kanë ardhur akuza edhe më të rënda.
Kësaj here ka qenë klubi i Sopotit nëpërmjet administratorit të tij, Iridion Bahiti, që ka akuzuar liqenorët. Ai ka deklaruar se Pogradeci ka tentuar të korruptojë disa futbollistë librazhdas me dy milionë lekë për kokë që të fitonte takimin e së shtunës.
Sipas Bahitit, duke parë që nuk ia arritën dot qëllimit për të korruptuar lojtarët, pogradecarët inskenuan kërcënimin me armë që iu bë skuadrës gjatë rrugës drejt Krujës ku u luajt ndeshja e së shtunës.
Çekiçi Në një reagim për gazetën "Panorama Sport", drejtori sportiv i Pogradecit, Ylli Çekiçi, shprehet: "Tani u mësuan të gjithë me këto lloj akuzash. Edhe Dinamo kështu tha, edhe librazhdasit po veprojnë me të njëjtën mënyrë. Të gjithë një avaz kanë.
Nëse dyshojnë, le të shkojnë në polici dhe të hetohet. Ata të Sopotit kushedi kujt i japin fjalën që do mundin Pogradecin dhe kur e shikojnë që nuk ia arrijnë dot qëllimit, nisin me aludime dhe akuza të pabaza", shprehet Çekiçi në reagimin e tij.
Dhe, në fund, drejtori teknik i liqenorëve thumbon sërish Dinamon me të cilën liqenorët patën përplasje dy javë më parë. "Po Dinamo pse nuk thotë gjë tani që ia la Luftëtarit?!", bën pyetjen e tij Çekiçi duke akuzuar në këtë mënyrë klubin blu se toleroi në sfidën ndaj gjirokastritëve. Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi i kampionatit, gara në Grupin B të Kategorisë së Parë është bërë e ethshme.
Luftëtari është në krye me dy pikë më shumë se Pogradeci, në një kohë që prej më shumë se dhjetë ditësh, shumë klube të këtij grupi janë përfshirë në akuza të drejtpërdrejta për tolerime të ndeshjeve. Ndërsa, dy ditë më parë situata u bë edhe më dramatike duke shkuar deri në kërcënim me armë ndaj një ekipi.
Çështja e Sopotit është tashmë në dorë të policisë, e cila ka nisur hetimet pas denoncimit të librazhdasve dhe dëshmive që kanë dhënë në komisariatin e Fushë-Krujës të gjithë lojtarët që gjendeshin në minibus.
Për herë të parë ndodh në Shqipëri që një ekip i tërë të kërcënohet me armë për të mos luajtur ndaj një skuadre tjetër. Edhe në vitin e largët 1997 nuk përmendet asnjë rast që ndaj një ekipi të jetë organizuar pritë për të kërcënuar lojtarët. Megjithatë, e gjitha mbetet për t'u vërtetuar nga hetimet që po bën policia në lidhje me këtë ngjarje të paprecedent.