Sopranoja shlyen “borxhin” ndaj Spanjes

Sopranoja shlyen “borxhin” ndaj Spanjës
I pari shqiptar që shkeli në Teatrin Campoamor të Oviedos ishte shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, i cili në muajin tetor tërhoqi aty çmimin prestigjioz letrar “Princ i Asturias”. Pak muaj pas tij, një tjetër shqiptare e madhe do të ngjitet sërish në skenën e këtij teatri. Jo për t’u vlerësuar me çmim, por për të rrëmbyer duartrokitjet e publikut të Asturias. Diva shqiptare, sopranoja Inva Mula, do të interpretojë në një koncert recital para publikut spanjoll më 27 janar të këtij viti.

E, megjithatë, për praninë e sopranos shqiptare në teatrin prestigjioz të Spanjës është folur kohë më parë. Në tetor të vitit 2008 ishte parashikuar që ajo të ngjitej në skenë për të interpretuar në rolin e Mimit në operën “La Boheme” të Puçinit. Për shkak të përplasjes së datave në programin e koncerteve të përcaktuar nga agjentët e saj, sopranoja shqiptare u ndje e detyruar të anulojë kontratën me operën e Oviedos, duke i dhënë përparësi kontratës me operën e San Franciskos, për të interpretuar "Elisire d'amore". Kjo ngatërresë shkaktoi jo pak reagime prej drejtuesve të teatrit, por edhe të publikut, që ishte përgatitur ta shihte në skenë sopranon shqiptare me famë botërore.

Për t’i bërë ballë situatës dhe për të respektuar publikun, Inva Mula premtoi se do të kthehej në Oviedo me një koncert recital dhe e mbajti fjalën. Mediat spanjolle e komentojnë me entuziazëm praninë e sopranos në këtë teatër. “Më në fund Inva Mula do të shkelë në skenën e Campoamor. Sopranoja shqiptare do t’i kthejë borxhin publikut të Asturias, pas anulimit të pjesëmarrjes së saj në ‘La Boheme’”, shkruan e përditshmja spanjolle “La Nueva Espana”. Njëkohësisht, mediat bëjnë të ditur se debutimi në këtë teatër i sopranos shqiptare do të jetë i fundit recital i organizuar për Operën e Oviedos. Të paktën për momentin është vendosur kështu. Repertori me të cilin Mula do të bëjë për vete publikun e Campoamor, pritet të përfshijë edhe disa arie nga Mimi. Mula ka zgjedhur që në këtë recital të shumëpritur për dashamirësit e saj në Spanjë të shoqërohet nga një tjetër shqiptar.

Do të jetë pianisti Genc Tukiçi ai që do të ngjitet në skenë krah Inva Mulës për të shoqëruar zërin e saj. Ariet e përzgjedhura do të jenë kryesisht të qeta, kjo është formula muzikore me të cilën Inva Mula do të prezantohet. “Me Mulën, Campoamor do të pasurohet me artin e një sopranoje me një karrierë të gjatë ndërkombëtare, me suksese të shumta, një ndër të cilat është edhe interpretimi i aries së divës në filmin e Bruce Willis ‘Elementi i pestë’”, vijon më tej gazeta. Pritet gjithashtu që dy ditë pas këtij koncerti lirik muzikologu Alejandro González Villabrille të mbajë një konferencë në lidhje me këtë interpretim të sopranos shqiptare në Oviedo.

Dy vite më parë, Inva Mula prishi kontratën me Operën Oviedo të cilën e kishte nënshkruar kontratën që në vitin 2005.

Ndonëse nuk u shfaq për publikun si vajza e dashuruar Mimi, sopranoja shqiptare premtoi të kthehet në Operën Oviedo. Ajo vetë ka propozuar realizimin e një koncerti recital për publikun spanjoll. "I kisha lajmëruar që më parë drejtuesit e operës për përplasjet e kontratës dhe pas disa diskutimesh arritëm në një kompromis artistik për të shlyer këtë ‘gabim’ timin. Do të kthehem në po të njëjtin teatër për të interpretuar në një koncert recital falas", u shpreh dy vite më parë Inva Mula në lidhje me këtë interpretim, në vendin ku Ismail Kadareja u nderua me çmimin “Princ i Asturias”.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama