Partizani i Adolfo Sor manit zyrtarisht ka marrë rrugë më 1 korrik, ndonëse trajneri ndodhet prej ditësh pranë skuadrës.
Në fjalën e prezantimit, 51-vjeçari pohoi se filozofia e punës bazohet te fryma e grupit dhe jo tek individë të veçantë.
Përgatitjet e para nën drejtimin e trajnerit të ri Partizani po i kryen për ndeshjen e kthimit të Ligës së Europës ndaj Slovan Bratislavës, takim i cili do të luhet më 7 korrik në Senica.
Sormani shpreson që të jetë në pankinë në këtë sfidë, por gjithçka varet se kur do t'i mbërrijë dokumentacioni.
Trajneri italian e ka bërë të qartë se cili është synimi i Partizanit në ndeshjen e kthimit, duke ditur që sfida e parë në "Elbasan Arena" u mbyll 0-0.
"Objektivi ynë për ndeshjen e kthimit do të jetë i njëjtë: të dhurojmë të njëjtën paraqitje që shfaqëm në takimin e luajtur në Elbasan. Këtë paraqitje synojmë edhe më 7 korrik.
Kualifikimi? Jo vetëm ne, por çdo ekip zbret në fushë për të fituar, kështu që do të kërkojmë kualifikimin në ndeshjen e kthimit në Sllovaki", kështu u shpreh më 1 korrik trajneri i ri i Partizanit gjatë prezantimit. Vështirësia e vetme e të kuqve për këtë takim mbetet faza sulmuese, pasi mungesa e një bomberi të vërtetë e bën të vështirë gjetjen e rrugës së rrjetës.
Madje nëse do të kishin në formacion, njërin mes Sukajt dhe Raçiç, me shumë mundësi "demat" do të merrnin fitoren ndaj sllovakëve, të cilët nuk treguan ndonjë superioritet në 90-minutëshin e parë të Ligës së Europës.
Merkato- Kalimi në turin e dytë të Ligës së Europës mbetet qëllimi primar për të kuqtë e kryeqytetit, por drejtuesit paralelisht po punojnë edhe për forcimin e grupit.
Madje, thuhet se merkatoja e vërtetë e Partizanit të trajnerit Adolfo Sormani nis pas përfundimit të ndeshjes së dytë me Slovan Bratislavën.
Sulmuesi Kaleb Ekuban mund të jetë i gatshëm për të kuqtë në rast se kalojnë Slovan Bratislavën. Përveç sulmuesit të Kievos, të kuqtë mësohet se kanë të gatshëm edhe dy-tri lëvizje të tjera, që për arsye konkurrence në merkato nuk i bëjnë publike.
ILIR CARA