Ky sulm shënoi fillimin e Luftës II Botërore, që shkaktoi vdekjen e rreth 50 milionë njerëzve në të gjithë botën, afro gjashtë milionë prej të cilëve polakë.
"Polonia këmbëngul në atë që 1 shtatori i vitit 1939 të mbetet i skalitur në kujtesë si data e fillimit të kataklizmës më të madhe të shekullit XX, që lidhet me agresionin e Gjermanisë, më tej të Rusisë sovjetike, kundër Polonisë", deklaroi kryeministri polak Donald Tusk.
Më shumë se 20 kryetarë qeverish do të jenë sot të pranishëm në këtë përvjetor në monumentin kushtuar mbrojtësve të Westerplatte-t. Mes të ftuarve, janë kancelarja gjermane, Angela Merkel, kryeministri rus, Vladimir Putin dhe kryeministrat François Fillon i Francës, Silvio Berlusconi i Italisë, Julia Timoshenko e Ukrainës dhe Fredrik Reinfeldt i Suedisë, që është edhe president i radhës së Bashkimit Evropian.
Administrata amerikane do të përfaqësohet nga ish-sekretari i Mbrojtjes,William Perry dhe Këshilltari për Sigurinë kombëtare, James Jones. Numri jo i madh i anëtarëve të delegacionit amerikan ka shkaktuar komente të ashpra në Poloni.
Pjesëmarrja e Angela Merkel dhe e Vladimir Putinit është e veçantë, ndërkohë që interpretimet historike të luftës ndryshojnë në të tre vendet. Me afrimin e përvjetorit, media polake publikoi shumë deklarata të historianëve rusë, të cilët akuzojnë Poloninë për paktin e nënshkruar në vitet 1930 me Hitlerin dhe ia hedhin Varshavës një pjesë të përgjegjësisë për shpërthimin e konfliktit.
Shërbimi rus i zbulimit të brendshëm (SVR) njoftoi bërjen publike së afërmi të dokumenteve të reja të "papublikuara ndonjëherë" lidhur me politikën e Polonisë në vitet 1935-1945, ku përfshihen veçanërisht disa "plane sekrete" të Varshavës në prag të luftës. Një projekt memorial në Berlin kushtuar zhvendosjes së popullsive në Europë pas vitit 1945 vazhdon të ngjallë shqetësime në Poloni, pasi vendosen në të njëjtin plan vuajtjet e viktimave të nazizmit dhe ato të gjermanëve të dëbuar nga vende të Europës Qendrore pas luftës.
Disa miliona prej tyre janë detyruar të largohen nga territoret e dhëna Polonisë nga fuqitë aleate si kompensim për territoret lindore të marra nga BRSS-ja. Në këtë mënyrë, miliona polakë kanë qenë viktima të këtyre ndryshimeve të kufijve. Në një deklaratë të përbashkët të publikuar me afrimin e përvjetorit, peshkopët katolikë polakë dhe gjermanë paralajmëruan për "tentativa për shfrytëzimin e plagëve të së kaluarës dhe për zgjimin e ndjenjave me interpretime të njëanshme të historisë". Ata dënuan në të njëjtën kohë krimet e Luftës së Dytë Botërore dhe dëbimet që rrodhën prej saj.
Pasi arriti të aneksojë pa luftë Austrinë në mars të vitit 1938 më tej territore në perëndim të Çekosllovakisë, Adolf Hitleri kërkoi nga Polonia një rrugë kalimi, të quajtur korridori i Gdanskut, mes Prusisë Lindore dhe pjesës tjetër të Gjermanisë, një kërkesë e kundërshtuar nga Varshava.
Më 1 shtator të vitit 1939, pa një deklaratë zyrtare lufte, ushtria gjermane sulmoi Poloninë. Shtatëmbëdhjetë ditë më vonë, Bashkimi Sovjetik pushtoi pjesën lindore të Polonisë, në bazë të një klauzole të fshehtë të një pakti gjermano-sovjetik të arritur më 23 gusht të vitit 1939.
Kujtimi i Luftës së Dytë Botërore vazhdon të jetë mjaft i gjallë në Poloni. Rreth 5,6-5,8 milionë qytetarë polakë, tre milionë prej të cilëve hebrenj, kanë gjetur vdekjen gjatë këtij konflikti, mësohet nga llogaritjet e fundit të historianëve polakë.
AFP