Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka publikuar ndërkohë listën vjetore të vendeve, ku gazetarët vriten rregullisht dhe qeveritë dështojnë të zgjidhin krimet. Indeksi i Mosndëshkimit në vitin 2013 udhëhiqet nga Iraku, për t’u pasuar nga Somalia, Filipinet, Shri Lanka, Kolumbia, Afganistani, Meksika, Pakistani, Rusia dhe Brazili. Të mërkurën, edhe organizata Freedom House ka publikuar raportin vjetor për lirinë e mediave në botë, ku sivjet ka konstatuar rënie në shumicën e vendeve.Kosova edhe këtë vit është radhitur në mesin e vendeve pjesërisht të lira sa i përket lirisë së mediave.
Sot para parlamentit gazetarët do të protestojnë
Me rastin e ditës Botërore të Shtypit, autoriteti më i madh i të drejtave të gazetarëve, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë do të organizojë një protestë para Parlamentitnë orën 12:00.
“Në këtë tubim ne ngremë zërin për gjendjen e vështire financiare, më saktë për krizën financiare në të cilën përpëliten mbi 90 për qind e mediave të vendit. Në këtë protestë ne kërkojmë që institucionet sociale të vendit të marrin në konsideratë ankesat e disa qindra gazetareve që kanë humbur vitet e tyre të punës, jo për faj të tyre dhe nuk rezultojnë të përfshirë në librat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në këtë protestë në kërkojmë nxjerrjen e skenës mediatike nga kthetrat e tmerrshme të informalitetit dhe shndërrimit të saj në një treg, ku te legjitimohet ligji dhe standardi i një tregu.
Në këtë protestë kërkojmë të mbyllet epoka e punës në të zezë e këtij tranzicioni me mediat që i nënshtrohen vetëm anarkisë. Në këtë proteste në denoncojmë kapjen e mediave dhe sidomos te gazetareve nga varfëria financiare dhe kriza sociale e cila njëherësh sjell kapjen e "pushtetit të katërt" nga pushtetet e tjera, përmes varfërimit dhe mospasjes së rende.
Në këtë proteste, në emër të mediave tona, shpallim ankesat për borxhet që partnerët e biznesit, investitorët dhe entet publike ju kanë mediave, duke i lënë ato në mëshirë të falimentit financiar”- shkruan Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetareve Shqiptarë