Edhe Tirana feston sot Ditën e Verës, festa që mbledh mijëra qytetarë në shëtitoret dhe rrugët e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për festimin e kësaj dite. Sipas bashkisë së kryeqytetit axhenda e festimeve do të jetë e ngjeshur dhe secili mund të gjejë këndin që i përshtatet për të gëzuar këtë ditë.
Aktivitetet e shtrira përgjatë rrugës “Murat Toptani”, parkut “Rinia”, përpara Galerisë së Arteve, tek “Vëllezërit Frashëri”, sheshi “Nënë Tereza” dhe Liqeni Artificial do të fillojnë që në mëngjes dhe do të vazhdojnë deri në mbrëmje.
Kështu në rrugën “Murat Toptani” do të çelet Panairi i artizanatit dhe i luleve ndërsa Ansambli “Tirana” dhe Banda Frymore do të performojë për të gjithë të pranishmit.
Ndërsa në sheshin përpara Galerisë së Arteve do të ketë muzikë dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”.
Nën atmosferën e personazheve të dashur për fëmijët të cilat do të sillen nga animatorë profesionistë, do të organizohen lojëra për të gjithë fëmijët, në “Parkun Rinia” në qendër të qytetit. Të gjithë lojërat do të shoqërohen me shfaqjen e Cirkut Kombëtar të Tiranës. Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur.
Ndërkohë kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës.
“Gëzuar Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë! Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj së pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera. Uroj shëndet, lumturi, mbarësi dhe suksese për të gjithë!”, ka uruar kryeministri.