Sot festohet Dita e Veres

Sot festohet Dita e Veres
Sot në të gjithë vendin festohet Dita e Verës. Kryeqendra e festimeve mbetet Elbasani, qyteti ku kjo festë është kremtuar tradicionalisht. Festimeve të ditës së sotme në Elbasan pritet t’u bashkohen qytetarë nga e gjithë Shqipëria. Aktivitetete të shumta do të zhvillohen në qendrën e qytetit, ndërsa nuk do të mungojë edhe ëmbëlsira tradicionale e Ditës së Verës, ballokumja. Edhe Tirana feston sot Ditën e Verës, festën që për të tetin vit me radhë mbledh mijëra qytetarë në shëtitoret dhe rrugët e kryeqytetit.  Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për festimin e kësaj dite.  Sipas njoftimit për shtyp të Bashkisë, do të jetë Banda e Qytetit e cila do të hapë festimet, duke nisur turin e saj nga Bashkia e Tiranës deri në Sheshin “Nënë Tereza”.

Në rrugën “Murat Toptani”, në orën 10.00 hapet Panairi i Produkteve Shqiptare, i cili bashkon biznese të të gjitha trevave shqiptare, nga Kosova, Mal i Zi, Maqedonia, Presheva e Shqipëria. Hapja e këtij panairi në rrugën “Murat Toptani” do të shoqërohet edhe me performancën e Ansamblit të Qytetit. Në Lulishten “3 Vëllezërit Frashëri” do të kompozohet qyteti i artit. Dekorimi i kësaj qyteze do të shoqërohet me muzikën e një bande rock dhe do të rrethohet nga piktorë e piktura të punuara nga nxënës të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Nën atmosferën e personazheve të dashur për fëmijët të cilat do të sillen nga animatorë profesonistë, do të organizohen lojra për të gjithë fëmijët, në lulishten në qendër të qytetit. Të gjithë lojrat do të shoqërohen me shfaqjen teatrore të Qendrës Kulturore “Tirana”. Këto festime do të fillojnë në orën 11:00, deri në orën 14:00 pranë “Parkut Rinia”.

Festimet do të kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza” me Karaoken që do të organizohet me pjesëmarrjen e disa këngëtarëve të mirënjohur. Shfaqja do të trasmetohet në ekranin e skenës, nga e cila do të ftohen qindra qytetarë të këndojnë live këngë të njohura. Karaoke do të fillojë në orën 11:00, për të vazhduar deri në orën 14:00. / G.N.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama