Të gjithë shqiptarët janë sot me sytë nga Këshilli i Ministrave të vendeve të Bashkimit Evropian për vendimin e marrjes ose jo të statusit të vendit kandidat. Këtë herë, pasi Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e saj dhe pasi janë bindur eurospektikët e shteteve homologe, sinjalet janë pozitive, ndonëse asgjë nuk është e sigurt.
Dje, Ministri i Jashtëm i Spanjës dhe ai i Lituanisë ishin pozitivë teksa u pyetën mbi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ndërsa kreu i diplomacisë suedeze, Karl Bildt, ka lënë gjithçka hapur për sot.
Fjalë që të japin shpresë ka dhënë sot në mëngjes edhe Ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangjelos Venizelos para mbledhjes së ministrave të jashtëm në Bruksel: “Sot do të diskutojmë për statusin për Shqipërinë, shpresojmë të gjejmë një kompromis”, – u shpreh diplomati grek.
Të njëjtën gjë ka komentuar pak a shumë edhe Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, i cili ka thënë se dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë është e mundur.
Ndërkohë, herët në mëngjes, kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në rrjetin social “Twitter”, shprehet optimist për marrjen e statusit, ndërsa kujton vitet ’90 kur nisi edhe rrugëtimi i Shqipërisë për t’u bërë si gjithë Evropa: “Dhjetor ’90, në fillim-rrugën për Shqipërinë si gjithë Evropa në qytetin Studenti. Sot në pritje të statusit kandidat”, shkruan kryeministri.