Mbi 12 mijë fotografi të rralla që i përkasin fototekës private “Sotiri” në Korçë, po inventarizohen dhe dixhitalizohen. Thesari që la pas mjeshtri i madh i fotografisë Kristaq Sotiri, i mbetur në harresë përgjatë viteve të komunizmit, por edhe në vitet e tranzicionit të gjatë do të shpëtohet falë një projekti me titull “Inventarizimi i Fototekës Private Sotir Korçë”. Projekti është ideuar dhe ka nisur zbatimin nga Fototeka “Sotir”, Instituti Shqiptar i Shkencave AIS dhe Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Sipas inicuesve kjo nismë do ti shërbejë ruajtjes, evidentimit, regjistrimit dhe promovimit të një pjese të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ky thesar fotografish sjell në ditët tona dëshminë e qytetarisë, traditës, nacionalizmit dhe modelit të familjes dhe shoqërisë së trevës së Korçës në fillim shekullin XX.
Fototeka Private “Sotir” përbëhet nga mbi 12 mijë xhama fotografik të realizuara kryesisht në qytetin e Korçës nga fotografi Kristaq Sotiri. Ky artist shqiptar ka realizuar punën e tij në gjysmën e parë të shekullit të XX. Ka lindur në 1883 në Mborje. Ai qëndroi atje për një vit dhe pastaj familja u vendos në Korçë. Në moshën 17 vjeçare, ai ka punuar tek kunati i tij, Kristo Solidhi, që ishte një patriot dhe një fotograf i vjetër korçar.
Në 1900 Kristaq Sotir shkon në Amerikë për tu kthyer në 1923 pasi kishte punuar për disa vite edhe në studion e një fotograf të madh të kohës, Georges Steckel, mjaft i dëgjuar në Amerikë, i cili dhe kishte marrë rreth 12 medalje ndërkombëtare në evenimente të ndryshme. Çarli (pseudonim për Sotiri) vendosi të kthehej në Shqipëri në vitin 1923. Në fakt erdhi për pak kohë, por fati i keq e solli që ai të mos largohej më nga vendi. Kishte plot 23 vite, që kishte qëndruar jashtë atdheut. U vendos në një studio modeste, që gjendet sot afër Mitropolisë në Korçë. Dhe kjo është edhe shtëpia ku sot po punohet për të nxjerre në dritë arkivën e Fototekës Sotir.
Ky arkiv i çmuar u la në harresë në kohën e monizmit. Po njësoj ka munguar vëmendja nga institucione shtetërore lokale apo qendrore.
* * *
Vlerat e kësaj Fototeke janë të ngjashme me Fototekën “Marubi”, por vëmendja për ta konservuar këtë trashëgimi ka qenë plotësisht e munguar. Projekti inicioi një vit më parë me përpjekje konkrete për sigurimin e një fondi modest për të mbuluar shpenzimet për procesin e skanimit dhe inventarizimit.
Instituti Shqiptar i Shkencave bëri përpjekjet për ngritjen e një fondi dhe thirrjes ju përgjigj një grup pasardhësish të familjeve të nderuara shqiptare në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër ta inicuesit e këtij projekti përmendin: Louis dhe Linda Fundo; Albert Fundo; Diane dhe Perry Pero; Richard dhe Viosa Lukaj; Philip dhe Sally Giantris; Nicholas dhe Dorothy Vangel; Jason George; Mark Fundo; Steven Fundo; Lauren Fundo.
Në pesë javët e para të projektit janë skanuar dhe regjistruar 4000 xhamat e parë fotografik si dhe janë identifikuar mjete dhe pajisje pune të artistit me vlera për historinë e artit dhe mjeshtërisë fotografike. Po ashtu janë identifikuar edhe regjistra dhe mjete arkivuese të fototekës.
Në vijim sipas organizatorëve, pas inventarizimit dixhital të këtij projekti çelen mundësi konkrete për promovim të këtij fondi artistik nëpërmjet ekspozitave, botimeve apo promovimit të fondit dhe përmbajtjes së tij. Fototeka “Sotir” si pjesë e trashëgimisë të fotove artistike mbart potencialisht perspektivën e mundshme të një muzeu apo të vlerësimit të saj duke e bërë pjesë të arkivës tonë shtetërore.
KARAKTERISTIKA TË FOTOTEKËS
■ Fotograf i Realitetit
Nuk ka familje Korçare të kohës të mos ketë një foto të Sotir. Fotot kanë personazhe nga më të ndryshmit. Veç personaliteteve dhe familjeve të nderuara, ushtarakëve apo personaliteteve të kohës, Kristo Sotir fiksoi edhe pamjet e kurbatkave (romeve), endacakëve banorëve të rëndomtë të qytetit duke sjellë foto reale.
■ Familja shqiptare dhe Emigracioni në fotot e Sotirit
Shumë nga fotot e tij bëheshin nga familje korçare të cilët kishin pjesëtarë në emigracion në Amerikë. Ngjarje mortore apo evenimente familjare të fiksuara në foto, postoheshin për të shkuar dy apo tre muaj më vonë në Amerikë e për të njoftuar djemtë emigrant për ngjarje të rënda apo të gëzuara të familjes.
■ Natyra në foto
Fototeka ka edhe foto të natyrës dhe peizazhit pasi pasioni e bënte që të largohej shpesh dhe me Mion (Vangjush Mion) të prisnin agimin në Pogradec, Korçë e kudo gjetkë.
■ Trashëgimia
A vdiq në vitet 70, dhe në shtëpinë e tij janë mbi 12 mijë xhama fotografik të Kristaq Sotir. Ato po skanohen dhe po punohet të bërë një inventarizim të dixhitalizuar për secilën me qëllim regjistrim të çdo fotoje që është trashëgimi kulturore dhe pjesë e historisë së Fotografisë Shqiptare.